Selam Alekum, baba! – roman nga Mustafa Nano

Diana Çuli

 

Mustafa Nano, pas disa librave të suksesshëm në fushë të studimit, të historisë, të publicistikës e të eseistikës, na sjell në dorë edhe një roman – Selam alekum, baba! botuar nga botimet SARAS. Nuk e kuptoj akoma mirë, as unë që shkruaj çdo javë një rubrikë mbi librat, nëse lexuesit dhe kritika letrare shqiptare e percepton apo jo kur në letrat shqipe mbërrin një libër që duhet patjetër të tërheqë vëmendjen për shumë arsye: për ato që thotë, për mënyrën si i thotë, për kënaqësinë estetike që të shkakton, për mendimet ku të fut e të thellon, për përsiatjet, për gjuhën që përdor – pra, për gjithçka që e bën një vepër letrare të quhet e bukur, e arrirë, origjinale, e mençur, e veçantë.

Mendoj se romani i Mustafa Nanos është një vepër e tillë. Nuk mendoj, për stereotip, për inerci të modave mediatike apo për lehtësi shkrimi, se vepra është provokative. Gjë që nuk e mendoj as për librat e tjerë të Mustafa Nanos si Pax Albanica apo Unë jam gegë. Na është mësuar goja të themi «provokues» për çdo mendim apo reflektim që është normal, që në çdo vend të botës, të paktën të asaj perëndimore së cilës pretendojmë se i përkasim, do të quhej normal, kur rreket të thellohet në dukuritë e shoqërisë, të historisë apo të kulturës së kësaj shoqërie.

Duke përmendur përsëri Pax Albanica-n, ku M. Nano hulumton mbi marrëdhëniet e shqiptarëve me fenë gjatë historisë, e shoh romanin Selam Alekum, baba! si një vazhdim letrar të këtij hulumtimi, por, natyrisht, në një formë tjetër, në një qasje tjetër dhe në një rrafsh tjetër diskutimi, që është ai letrar. Në këtë roman, si në pak ose aspak vepra letrare shqiptare, autori ka në qendër personazhe që përqafojnë një fe – në këtë rast fenë islame. Ngjarjet vendosen në ditët tona, në rrugët tona, ata për të cilët lexojmë në këtë libër mund të jenë fqinjët tanë, kushërinjtë tanë, miqtë ose bijtë e miqve tanë – me një fjalë është një pjesë nga jeta jonë, e rirrëfyer përmes filtrit artistik dhe mendimit filozofik të autorit. Feja, besimi, ka qenë gjithnjë një pjesë e rëndësishme e traditës letrare botërore. Shkrimtarët shqiptarë i janë shmangur, thuajse gjithnjë – ndoshta për shkak të shumë besimeve, më vonë për shkak të regjimit; sot, ndoshta për shkak të mos-përvojës dhe për shkak të drojës nga keqkuptimet.  Në këtë drejtim, Mustafa Nano ka hapur rrugën në djerrinën e pashtruar të letërsisë shqipe, për sa i përket marrëdhënieve të saj me fenë. Mustafa Nano është i vetëdijshëm se nuk është e lehtë ta interpretosh këtë marrëdhënie, sepse brenda këtij binomi ekzistojnë shumë çelësa të ndryshëm leximi, që përfshijnë dhe tundimin e shqetësimin e pikëpyetjeve të shumta.

Mustafa Nano nuk është si Michel Houllebecq-u, që provokon skandale në Francë, duke përbuzur fenë islame, nuk kërkon t’i japë një rol mitit të fesë në veprën e tij, as nuk e sheh si një rrekje morale apo shenjtëruese, përkundrazi,  përpiqet të hyjë në botën e këtyre të rinjve të sotëm, të cilët, duke jetuar në familje “shumëfesh”, apo edhe në familje laike, kërkojnë një tjetër shteg për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve që kanë mbi jetën, mbi bashkësinë, mbi mëkatin, të drejtën e të padrejtën, të shkuarën, të ardhmen, dashurinë, Të keqen, Të Mirën, Dhimbjen.  Apo kërkojnë të shkelin në një shteg hyjnor për t’i gjetur, duke iu nënshtruar përfundimisht atij? Ndërkohë që vëllai, apo e dashura, apo shoku i ngushtë nuk mendon të njëjtën gjë, në një botë ku rregullat nuk janë më të njëtrajtshme, siç mund të kenë qenë për etërit e tyre? Janë pyetje që nuk gjejnë gjithnjë përgjigje, që nuk njohin përgjigje, që çdo epokë, çdo brez i ngre nga e para, në rrethanat ku i bie të jetojë, mes një turbullire dyshimesh e sigurish, që më së shumti mund t’i hasë te feja, në një kohë që, po të perifrazojmë Tomas S. Eliot-in – edhe ai i tërhequr nga hyjnia – “…çoroditja e njeriut të sotëm e ka humbur kuptimin e shenjtërisë”.

Kapitulli i fundit i romanit, me shpirtin e babait të vdekur që reflekton mbi jetën e ardhme në parajsë, është një gjetje e shkëlqyer. I gjithë libri është shkruar me kulturë të gjerë gjuhësore, me ton të ngritur intelektual, që në të vërtetë qëndron si nënshtresë, por ky kapitull është një përmbyllje e përkryer nga pikëpamja artistike. Ku ngrihen përsëri pikëpyetjet ekzistenciale të besimit, të vlerës së njeriut, të mëkatit – të pyetjes a mundet njeriu të shpëtojë prej tij apo do të mbetet pre? A mundet të shpëtojë prej djajve që ka në shpirt, që e rrethojnë dhe cila është natyra e ‘shpëtimit’ të tij?

Romani Selam Alekum, baba! është një vepër letrare dinjitoze, me strukturë narrative të harmonizuar, ku të gjithë elementet e saj: – personazhet, subjekti, atmosfera dhe toni i rrëfimit – na lidhin pashmangshmërisht me çështjet e besimit.   Dhe kështu, edhe në një shoqëri si e jona, që nuk mendon se është veçanërisht fetare, historitë që rrëfejmë, na shtyjnë të mendojmë për pikëpyetjet e mëdha të jetës, të cilave fetë janë përpjekur gjithnjë t’u japin përgjigje.

E, nga ana tjetër, me vigjilencën e laikëve, në një kontekst shqiptar, kur pyetjet dogmatike ngrihen je me zotin, apo kundër tij, do të rikujtoja shprehjen e famshme të Volterit: Unë nuk jam në një mendje me ju, por do të luftoj që ju të vazhdoni të shprehni mendimin tuaj.  

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Lëvrimi i shqipes dhe tradita e dorëshkrimit

Nga Genciana Abazi-Egro* Gjuha shqipe ka qenë në fokus të diplomatëve perëndimorë...
Read More