Selami Xhepa: Kemi fituar betejën me të shkuarën tonë, por jo me të tjerët

Përkundrejt pretendimit të biznesit, a ka ulur qeveria taksat? A po kthehet pabarazia në problem edhe për shoqërinë shqiptare, ashtu siç po ndodh në shumë vende të huaja? Cila është nota e tij për qeverinë e Edi Ramës në planin ekonomik? Ç’mendim ka ai për programet e dy partive të mëdha (PS e PD) dhe a sigurojnë ato instrumentet e nevojshme për të siguruar një rritje ekonomike të kënaqshme? Për të gjitha pyetjet sa më sipër dhe jo vetëm, Dekani i Fakultetit Ekonomik dhe i Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Selami Xhepa vjen në një intervistë ndryshe për Revistën “Mapo”. Ai flet për fenomenin e ngecjes në kurthin e nënzhvillimit, dhe për problemin themelor që ka shoqëria shqiptare; ajo e varfërisë.

Bisedoi: Nevila Përndoj, Revista Mapo

Z.Xhepa, këto kohë po shohim gjithmonë e më shumë njerëz, kryesisht përfaqësues të biznesit, që ankohen për rritje taksash. Nga ana tjetër, qeveria flet për ulje taksash. Si mund të ketë qëndrime kaq të kundërta? Cila është e vërteta?

Gjatë këtij viti financiar ka patur një rishpërndarje të barrës fiskale midis grupeve të ndryshme të bizneseve, prandaj dhe të dyja palët kanë të drejtë. Për shembull, qeveria ka favorizuar ndjeshëm ndërtimin e hoteleve luksoze (4 dhe 5 yje), duke i përjashtuar nga pagimi i TVSH dhe kostove lokale të ndërtimit, përfshirë dhe “tax holiday” për tatimin mbi fitimin për vitet e para të veprimtarisë. Këtë lehtësi të fundit ua ka akorduar edhe industrive të reja në fushën e teknologjive të komunikimit dhe informacionit (ICT). Po kështu, ministri i Financave bëri me dije se mënyra e llogaritjes së tatimit mbi fitimin do të sjellë lehtësi për ndërtuesit e pallateve. Gjithashtu, me vendosjen e tatimit progresiv mbi pagat që prej vitit 2014, rreth 50% e të punësuarve janë përjashtuar nga pagimi i tatimit mbi pagën pasi deklarojnë një nivel page nën 30 mijë lekë, që është dhe kufiri përjashtues i aplikimit të tatimit. U hoq edhe tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël si dhe u bënë disa përjashtime për tatimin mbi vlerën e shtuar (ilaçet, barrë e reduktuar për turizmin etj.).

Nga ana tjetër, tatimi i fitimit për veprimtarinë ekonomike në tërësi u rrit me 50% – nga 10%, në 15%, një rritje shumë e lartë. Po kështu, mënyra e aplikimit të taksave ka ndryshuar, duke e bërë sistemin fiskal më rëndues për tatimpaguesit. Për shembull, ulja e pragut të aplikimit të TVSH për bizneset e vogla, ka një kosto të lartë mbi këtë fashë të tatimpaguesve; aplikimi i tatimit mbi pronën nga një tarifë fikse në një tarifë në % mbi vlerën e pronës, do të rritë gjithashtu barrën fiskale për individët. Tarifat lokale që paguajmë për bashkitë kanë shënuar një rritje gjithashtu të lartë, bashkë me rritjen e tarifave për ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike. Të gjithë këto akte, edhe pse disa prej tyre nuk klasifikohen si taksa, kanë efekte të njëjta fiskale mbi të ardhurat e biznesit dhe të qytetarëve, duke bërë që kostot e jetesës të jenë rritur ndjeshëm.

Thuhet shpesh se rritja ekonomike nuk sjell domosdoshmërisht përmirësim të jetesës për shumicën e njerëzve. Sa qëndron diçka e tillë?

Nëse rritja ekonomike nuk i shërben përmirësimit të standardit të jetës së qytetarëve, atëherë me të drejtë gjithkush mund të pyesë – e përse na shërben atëherë një ekonomi e tillë? Qëllimi final i ekonomisë duhet të jetë rritja e të ardhurave reale të të punësuarve dhe mendoj se ky duhet të jetë dhe indikatori kryesor i matjes së progresit ekonomik.

Pra, qeveritë duhet të shënojnë si treguesin e parë dhe kryesor të performancës së punës së tyre indikatorin e të ardhurave mesatare në ekonomi, duke zhvendosur në plan të dytë indikatorin e rritjes ekonomike. Paradoksi i zhvillimit në vendin tonë është se përgjatë gati tridhjetë viteve të tranzicionit, rritja ekonomike ka qenë e fortë, edhe pse prirjet e saj kanë qenë rënëse nga njëra dekadë në tjetrën. Megjithatë, të ardhurat reale dhe konsumi, matësit e vërtetë të mirëqenies (materiale) të shoqërisë janë rritur shumë pak. Struktura e punësimit në vendin tonë, i përgjigjet një strukture ekonomike të një vlere të shtuar të ulët dhe që për pasojë kanë një produktivitet të ulët. Kjo shpjegon dhe nivelet shumë të ulëta të pagave në ekonomi (veçanërisht bujqësia, ndërtimi dhe industritë fason, por edhe sezonaliteti shumë i lartë në industrinë e turizmit) dhe gjendjen sociale shumë problematike me të cilën përballet sot shoqëria jonë.

Në ekonomi ekziston një term “kurthi i të ardhurave të mesme”. A kemi ngecur ne në këtë kurth?

Në fakt ky ka qenë dhe shqetësimi themelor që jam përpjekur të përcjell nëpërmjet një libri që kam botuar së fundmi, “Në kërkim të mirëqenies”. Fenomeni i ngecjes në kurthin e nënzhvillimit, ose të një vendi me të ardhura të mesme është shumë i njohur në ekonomiksin e zhvillimit. Disa vende që kanë arritur një nivel mesatar të të ardhurave, kanë ngecur në këto nivele pa mundur të bëjnë një shkëputje të fortë dhe t’i bashkohen grupit të vendeve të të ardhurave të larta, siç ishte rasti i atyre që u njohën si “tigrat e Azisë”. Shqipëria përgjatë historisë ka patur rritje ekonomike, por pa njohur zhvillim dhe progres, në kuptimin perëndimor që i japim sot këtij termi, pra një ekonomi me struktura moderne, një nivel të lartë teknologjik dhe me një standard social dhe demokratik si vendet e zhvilluara. Rritja ekonomike edhe pse pozitive, ka qenë më pak nga sa duhet në mënyrë që të ngushtohet hendeku që na ndan me vendet e zhvilluara, si në termat e të ardhurave, ashtu dhe në dimensionet e tjera me të cilat mund të matim progresin. Prandaj, akoma Ballkani mbetet rajoni i prapambetur i Europës dhe Shqipëria është ndër më të varfrit e rajonit. Disa vende si Mali i Zi dhe deri diku edhe Maqedonia duket se po ecin më shpejt, e po kështu edhe Serbia ka një potencial për të krijuar një shkëputje shumë të fortë. Duhet të kuptojmë se jemi në një garë me të tjerët dhe jo me vetveten. Deri tani kemi fituar vetëm garën me të shkuarën tonë, dhe kjo është meritë e sistemit, por nuk po fitojmë garën me të tjerët, dhe ky është dështimi ynë.

Duket se ka një paradoks nga qeveria: Më shumë koncesione me pretendimin se qeveria nuk ka të ardhura për projektet dhe nga ana tjetër më shumë taksime e tarifa. A qëndron ky konstatim?

Koncesionet lindën si një inovacion fiskal, për të blerë më shpejt mundësitë e një infrastrukture të modernizuar pa krijuar huamarrje të larta menjëherë. Por, siç e ka thënë Friedman “nuk ka drekë falas”. Koncesionet janë financime që mund të kryhen nga privatët, por me garanci nga fondet buxhetore, prandaj ato janë borxhe të nënkuptuara publike. Një disavantazh i madh i projekteve të tilla është edhe mungesa e transparencës në prokurime duke qenë se këto projekte janë të pakërkuara: pra hartohen nga bizneset e interesuara, tenderohen me një ofertues (përgjithësisht) dhe termat e financimit ofrohen po nga vetë sipërmarrësit privat. Kjo krijon një gjendje të një konflikti të hapur interesi dhe barra fiskale e projekteve të tilla ka gjasa të jetë shumë më e lartë se sa do të kishin kushtuar nëse do të ishin prokuruar në procedura konkurruese. Për këtë arsye edhe FMN ka qenë gjithnjë shumë kritike si për aspektet procedurale dhe kapacitetet analizuese dhe vlerësuese nga autoritet prokuruese, ashtu dhe për implikime fiskale të praktikave të tilla.

Michael Granoff, drejtues i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim thotë se njerëzit po votojnë me këmbë, pra duke ikur. Përse jemi në këtë gjendje?

Ekonomia politike përdor termin që “qytetarët votojnë me xhepat e tyre”, domethënë se ata zgjedhin një alternativë qeverisëse që iu rrit të ardhurat dhe mirëqenien. Kur ky bëhet një premtim permanent zhgënjyes, kur cilësia e jetës përkeqësohet, kur funksionimi i demokracisë dhe ligjit vetëm se përkeqësohen, kur liritë e individit vihen në rrezik për shkak të mungesës së alternativave dhe oportuniteteve, atëherë mbetet alternativa që njerëzit “të votojnë me këmbë”. Vendimi i tyre për të braktisur vendin dhe për të kërkuar të ndërtojnë një të ardhme në vendet e huaja është nota më objektive që tregon dhe cilësinë e qeverisjes. Individët shkojnë të studiojnë jashtë vendit pasi ne kemi një sistem edukimi universitar shumë të dobët; shkojmë e kurohemi jashtë pasi cilësia e shërbimit këtu është jo vetëm i kushtueshëm, por dhe me mungesa serioze të standardeve; shkojmë të punojmë jashtë pasi këtu nuk ndihemi të mbrojtur nga ligji dhe të nëpërkëmbur, të abuzuar dhe të shfrytëzuar. Fakti që prej muajsh debati publik mediatik merret vetëm me çështje trafiqesh, krime, lidhje politikë-krim etj., demonstron gjendjen e rëndë të depresionit social të shoqërisë sonë. Edhe midis të shkolluarve, shprehja se “vendi vështirë se mund të bëhet ndonjëherë” është drama dhe realiteti më zemërthyes për të ardhmen e vendit. Ndoshta dikush duhet të thotë: Mjaft!

A po kthehet pabarazia në problem edhe për shoqërinë shqiptare, ashtu siç po ndodh në shumë vende të huaja?

Unë besoj se problemi themelor i shoqërisë sonë është varfëria, e thellë dhe gjerësisht e përhapur. Zakonisht të pasurit janë shëruesit e varfërisë dhe jo shkaku i saj. Pabarazia në të ardhura është një fenomen deri diku i pranueshëm, por në rastin tonë ajo kontraston fort me gjendjen e varfërisë deri diku edhe ekstreme që ekziston. Një ekonomi, thoshte Keynesi, duhet të ketë tre objektiva themelorë: eficiencën, drejtësinë sociale dhe lirinë e individit. Varfëritë dhe pabarazitë e forta, i cenojnë të tre këta objektiva duke krijuar potenciale për tronditje të forta sociale.

Opozita shqiptare vazhdon të pretendojë se taksa e sheshtë është jetike për zhvillimin e vendit. Çfarë mendimi ndani ju?

Ruajtja e tatimit të sheshtë mbi të ardhurat mendoj se ishte reforma më pozitive si nga pikëpamja e eficiencës ekonomike, ashtu dhe në kuptimin e moralitetit shoqëror. Njerëzit nuk kishte nevojë të fshihnin të ardhurat, të bënin akrobaci kontabël duke shfrytëzuar çdo mundësi juridike për devijim në raportime të të ardhurave. Grupet me të ardhura të ulëta mund të përjashtoheshin dhe shkalla tatimore mund të ishte rritur paksa mbi 10% – ndoshta në 13%. Nevoja për më shumë të ardhura buxhetore është absolute prandaj dhe barra fiskale duhet parë në mënyrë më rigoroze.

Borxhi mbetet një nga problemet e mëdha të vendit. Si do e shpjegonit situatën aktuale të borxhit në mënyrë të thjeshtëzuar për ta kuptuar një njeri me njohje mesatare?

Borxhi publik nuk ndryshon shumë nga borxhi që merr dhe një individ apo një familje. Kur të ardhurat e familjes janë të pakta dhe ne duhet të shpenzojmë më shumë nga sa kemi të ardhurat (do ndërtojmë shtëpi, do paguajmë studimet për fëmijën etj.), jemi të detyruar të marrim borxh. Për qeverinë ky është deficiti fiskal vjetor. Duke marrë hua çdo vit buxhetor, ne krijojmë në ekonomi një stok deficitesh, që quhet borxhi publik. Është borxh publik sepse qeveria e merr atë në emrin tonë dhe se atë duhet ta paguajmë po ne kur i vjen koha për ta shlyer. Sot borxhi publik ka arritur diku pak më shumë se 70% të prodhimit të brendshëm. Që domethënë se nëse do duhet ta shlyejmë atë menjëherë, do të shpenzonim 70% të të gjithë prodhimit vjetor. Kur borxhet bëhen të larta, ato manifestojnë një problem të aftësisë paguese të tij. Për shembull sot Shqipëria shpenzon afërsisht 4% të prodhimit vjetor në shërbim/pagim borxhi dhe interesash. Sa më shumë të rritet borxhi, aq më shumë rritet edhe kostoja e shërbimit të tij dhe nëse në një moment të caktuar normat e interesit për borxhin rriten, atëherë kostot e shërbimit vjetor të borxhit bëhen të papërballueshme për buxhetin. Kjo çon në një krizë borxhesh, siç ndodhi në rastin e Greqisë dhe siç ka ndodhur përgjatë historisë njerëzore në shumë raste. Kjo do të kishte efekte të forta destabilizuese dhe do të zhbënte përparimin e ekonomisë për shumë vite. Sot, për shembull, të ardhurat e grekëve janë pothuaj sa nivelet e tyre të 15 viteve më parë. Kriza zhbëri 15 vite punë dhe progres, përveçse krijoi dhe një depresion të madh social. Prandaj, menaxhimit të financave publike i kushtohet një kujdes i posaçëm. Edhe Shqipëria, pavarësisht se nuk ka ndonjë indikacion për ndonjë krizë të tillë, duhet të jetë shumë vigjilente që të mos krijojë raste apo argumente që investitorët të tremben nga risku i ekspozimit ndaj borxheve tona.

Nëse do i vinit një notë qeverisë së Edi Ramës në planin ekonomik, cila do ishte ajo?

Imponimi i disiplinës mbi kompanitë e shërbimeve publike, energjisë dhe ujit të pijshëm, mendoj se janë dy suksese që duhen përshëndetur fort. Por sërish ka nevojë për ta konsoliduar këtë sukses. Edhe raporti i fundit i FMN hedh disa ide për këtë temë. Po kështu, edhe kontrolli mbi territorin në sektorin e ndërtimeve, me gjithë klientelizmat që janë shfaqur, mendoj se meritojnë të përshëndeten. Një notë vlerësimi kam edhe për përmirësimet urbane që u janë bërë qendrave të banuara urbane dhe tani edhe në zonat rurale, me gjithë teprimet në kuptimin e angazhimeve buxhetore të ekzagjeruara. Ky projekt mund të shtrihej më shumë në kohë duke financuar projekte investimesh publike më fitimprurëse dhe me impakt më të madh ekonomik.

Por qeveria e majtë, nuk e ka bërë më kohezive shoqërinë, dhe ka dështuar në përmbushjen e premtimeve më esenciale që lidhen me punësimin, posaçërisht me punësimin cilësor dhe në përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Për më tepër, rritja e ndjeshme e trafiqeve të paligjshme po rrezikon sektorët e ligjshëm të ekonomisë, duke krijuar nxitës ekonomik deformues.

Ndërsa notën e kanë vënë vetë qytetarët: këtë radhë duke votuar me këmbë, siç e tha Granoff.

Në parim, a mendoni se programet e dy partive të mëdha (PS e PD) sigurojnë instrumentet e nevojshme për të siguruar një rritje ekonomike të kënaqshme?

Rritja dhe zhvillimi i ekonomisë mendoj se janë ndikuar thellësisht negativisht para së gjithash nga politika. Destabiliteti politik, qoftë në kuptimin e tensioneve të luftës politike, por edhe në kuptimin e ndryshimeve shumë të shpeshta ligjore/institucionale, krijojnë një ambient shumë negativ për sipërmarrjen. Unë mendoj se prioriteti i vetëm i qeverisë duhet të jenë investimet private, të huaja dhe vendase, si indikator inputi dhe të ardhurat që shpërndahen për punën (vende pune + nivel pagash), indikatori kryesor i outputit. Çdo politikë dhe reformë duhet vënë në funksion të arritjes së këtij objektivi. Mendoj se PD-ja ka një qasje më miqësore ndaj biznesit dhe filozofia e saj për një lehtësim të barrës së taksave në ekonomi më duket e përshtatshme. Ndërsa krijimi i lehtësive për grupe të caktuara dhe diskrecionet në administrimin fiskal që kanë filluar të zbatohen nga qeveria, krijojnë probleme serioze në funksionimin e sinjaleve të tregut dhe si të tilla duhen hequr duke i zëvendësuar me lehtësi për të gjithë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një bashkëpunim me Kadarenë, mbi humbjet e kujtesës

Nga Zija Çela Me kalimin e kohës askush nuk është i mbrojtur...
Read More