Selami Xhepa merr çmimin “Ekonomisti i Vitit”

“Ne japim gjithmonë çmimin e mendimit ekonomik. Kështu që, ne vlerësojmë shumë atë që të gjithë e kanë vlerësuar njëzëri këtë vit; një ideator të madh, një idealist dhe vizionar, prof. dr. Selami Xhepën”, u shpreh drejtuesja e RTV SCAN, Elvana Hana.

RTV SCAN i akordoi çmimin “Ekonomisti i Vitit” zotit Selami Xhepa, pas një votimi të zhvilluar në portalin SCAN, si vlerësim për kontributin e dhënë në mendimin ekonomik në vend gjatë këtij viti. Drejtoresha e Përgjithshme e RTV SCAN, zonja Elvana Hana i dha çmimin, duke theksuar se janë idetë ato që çojnë përpara zhvillimin e një vendi.

“Në fakt, çmimet natyrisht të gjithë i meritojnë! Por më shumë se gjithçka tjetër janë idetë, ato hapin rrugën. Ne japim gjithmonë çmimin e mendimit ekonomik. Kështu që, ne vlerësojmë shumë atë që të gjithë e kanë vlerësuar njëzëri këtë vit; një ideator të madh, një idealist dhe vizionar, prof. dr. Selami Xhepën”, u shpreh drejtuesja e RTV SCAN, Elvana Hana.

“Unë sot dua të bëj vetëm dy përshëndetje. Së pari, dua të përshëndes të gjithë stafin e Televizionit SCAN. Mendoj që po luan një rol shumë të rëndësishëm për të krijuar një kulturë ekonomike te qytetarët shqiptarë. Së dyti, dëshiroj të falënderoj të gjithë komunitetin e biznesit në Shqipëri, t’i përgëzoj për arritjet që kanë pasur gjatë këtij viti, të kenë sukses në familjet e tyre dhe gjithashtu në mënyrë të veçantë përshëndes të gjithë punëtorët që janë të punësuar pranë këtyre bizneseve, sepse është në analizë të fundit edhe kontributi i tyre ai që bën edhe suksesin e këtyre bizneseve”, deklaroi Presidenti i IEP Selami Xhepa.

Gjithashtu, gjatë mbrëmjes gala të organizuar nga Televizioni SCAN dhe Dhoma e Tregtisë së Tiranës u ndanë çmimet e fundvitit për bizneset për kontributin e madh të dhënë gjatë këtij viti. Dhjetëra personalitete nga biznesi, politika por edhe arti ishin të pranishëm në këtë mbrëmje dedikuar sipërmarrjeve.

Ministrat e Ekonomisë dhe Financave nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria dhanë disa çmime. Ata njëzëri theksuan se qeveritë e kanë për detyrim që t’i shërbejnë biznesit duke iu hequr pengesat dhe lehtësuar sa më shumë kushtet. “Ky event është një konkretizim i asaj përpjekje që ju dhe ne kemi bërë për të përshirë sipërmarrës nga të gjitha trevat”, u shpreh ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Në këtë event gjithashtu ishte e ftuar edhe zv.kryeministrja Senida Mesi, e cila deklaroi se: “Nuk hezitova të marr pjesë në këtë mbrëmje, sepse kjo është një natë e veçantë që jam prezente me sipërmarrjen. Sipërmarrësit janë promotorë të zhvillimit të ekonomisë dhe teknologjisë. Ne duhet të ecim me hapin e tuaj. Është një rast i veçantë, pjesëmarrja e bizneseve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Është një kënaqësi që të gjithë së bashku jemi për elementin e dytë, të festojmë arritjet tuaja. Sipërmarrja është ajo që nxit rritjen ekonomike dhe sipërmarrja punëson dhe rrit mirëqenien. Sipërmarrja kryen edhe pagesa, që qeveria duhet t’i materializojë në shërbime”, -tha Mesi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Panairi i Punës në UET: Momenti kur studentët nisin një fazë të re

U zhvillua edicioni i 9-të i Panairit të Punës në UET, me...
Read More