Selenica e gjakosur, a mos nevojitet shërbimi i detyrueshëm ushtarak?

Nga Kristaq Xharo*

Kasaphana që ndodhi në Selenicë ka nevojë për reflektim të të gjithë shoqërisë. Pavarësisht specifikave të ngjarjeve makabër, ato kanë mjaft të përbashkëta. Shoqëria në mënyrë konstante po kalon dhe po krijon gjendje depresive. Të gjitha ngjarjet përgjatë këtyre 25 viteve kanë të përbashkët mungesën e pjesës sociale të këtyre individëve. Individët nuk arrijnë ekuilibrat e mjaftueshëm socialë dhe ata emocionalë për të marrë vendimet dhe veprimet e caktuara, shprehet profesori i njohur i psikologjisë sociale. Ata nuk arrijnë pjekurinë e nevojshme sociale dhe emocionale ..e kanë të vështirë të orientojnë emocionet e veta, dëshirat, pasionet, instinktet, agresivitetin, sepse ju ka munguar pjesa sociale, ajo që kontrollon përgjegjësinë e çdo individi. Kështu që tipa të tillë, që janë të izoluar, të vetizoluar, që jetojnë kryesisht me veten dhe jo me të tjerët, janë të predispozuar të kryejnë veprime antisociale. Shoqëria është një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit mendor të individit… Ndoshta sociologu e ka fjalën për një shoqëri të organizuar dhe jo për shoqërinë tonë kaotike, ku shteti nuk ka arritur të kryejë asnjë rol në ndërgjegjësimin e saj. Në këtë kontekst, qëllimi i këtij shkrimi është për të debatuar rreth idesë së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Përse shërbimi i detyrueshëm ushtarak? Vendi i vetëm dhe koha më e mirë ku individi mund të marrë aftësitë për t’u bërë dhe ndjerë pjesë e komunitetit është shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Sigurisht për çfarë përmendet më lart është më pak çështje ushtarake… Por ndërkohë që roli i familjes po dobësohet gjithnjë e më tepër, ai i shkollës po sulmohet nga gjendja virusale e përgjithshme e shoqërisë, e shtetit që edhe pas 25 vitesh nuk ka arritur të qartësojë raportet e tij me individin dhe shoqërinë atëherë kaosi është i vetmi faktor që është prezent në gjithë rritjen dhe formimin e një individi. Ku po shkojmë e çfarë duhet të bëjmë? Nuk ka receta por mund të mësojmë nga përvoja dhe nga të tjerët. Janë kushtet kur shërbimi ushtarak më së paku, por jo vetëm, mund të rekomandohet si një preventiv afatgjatë në problemin që po diskutojmë. Është si një antidote që mund t’i vijë në ndihmë shoqërisë, që tashmë duket e helmuar që në qelizë. Të tjerë më parë janë shprehur se në një vend ku nuk ekziston asnjë institucion formal apo joformal i shoqërizimit, përveç stadiumeve të futbollit, shërbimi i detyrueshëm është i vetmi institucion që mund të vendosë qytetarët e vet në mënyrë të barabartë përballë të njëjtës ndjenjë përgjegjësie.

Të rinj/të reja, që vijnë që nga shtresa super të pasura deri në ato ekstremisht të varfra mund të jenë në një vend e në një kohë ku të ndihen të barabartë përballë një përgjegjësie më të madhe seç përfaqësojnë veç e veç. Të ndjerët të barabartë do t’i sensibilizojë edhe më shumë se kur ndjekin një ndeshje të kombëtares. Shërbimi ushtarak ju jep mundësi të sfidohen dhe të sensibilizohen përballë të njëjtës përgjegjësi, që është më e madhe se individët, më thellë se besimet, më shumë se kulturat, apo të barabartë me sakrificën. Nuk është vetëm ajo që do të ndjejnë , por më tepër ajo që individët dhe shoqëria përfiton e në këto kushte, shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër, në ndjenjën dhe sjelljen sociale të individit në një shoqëri të dërrmuar në të gjitha nivelet e vlerave të saj.

Në ditët e sotme asnjë institucion tjetër, veç ushtrisë nuk mund ta zhvilloj këtë proces. Ajo ka aftësinë, kapacitetet dhe eksperiencën për ta kryer ketë detyrim. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak mundëson që njerëzit të ndihen së bashku, sidomos kur përballen me sfida apo kërcënime të identitetit, me ndarje kulturore apo religjioze, politike apo ideologjike, nga çfarëdo lloj drejtimi, që mund të veprojë. Ai ua mundëson të rinjve për të mësuar dhe trajnuar së bashku, duke mundësuar që të ndajnë eksperienca të përbashkëta. Më tej, ndihmon të kuptuarit e përgjithshëm për jetesën, vështirësinë dhe përgjegjësinë, që thuajse është e nevojshme për çdo lloj angazhimi të mëvonshëm. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk nxit nacionalizmin, por ndërgjegjëson qytetarët e vet për konceptin real të kombit dhe përgjegjësinë e secilit për vendin tënd.

A ndihmon shërbimi ushtarak në këtë model shoqërie? – Shërbimi ushtarak ofron përvoja të paçmueshme për çdo individ. Ai është një ndryshim i rëndësishëm nga përvojat e mëparshme për të rinjtë/të rejat; një ndryshim në perspektivë që mund t’i ndihmojë ata të shohin të ardhmen në një nivel tjetër nga ai spontan, të frymëzojë ata që të jenë më serioz, të përballen me probleme duke respektuar veten dhe të tjerët, dhe të nxisë një ndjenjë më të madhe të interesit, por edhe përgjegjësisë qytetare. Për të rinjtë (por jo vetëm) shërbimi i detyrueshëm kthehet në një benefit që prodhon cilësi të rëndësishme për shoqërinë, po aq të dukshme sa edhe të karakterit të individit.

Dhe vërtet, gjatë shërbimit të detyrueshëm , të rinjve iu mësohet jo vetëm respektimi i autoritetit, i vetëdisiplinës, të sjellurit dhe punuarit në grup, por edhe aftësi të tjera, të përballjes me problemin dhe vështirësinë, aftësi menaxhuese apo drejtuese, cilësi këto për të cilat shërbimi i detyrueshëm është unik. Në të kundërt, mungesa e tyre, edhe siç po provohet dita-ditës, po kthehet në një fenomen virusal. Shërbimi ushtarak nxit ndjenjën e ndërgjegjes kolektive qytetare, një fenomen i dërrmuar aq rëndë nga ndasitë politike, kulturore, religjioze, të origjinës apo të vendlindjes. Shoqëria jonë gjithmonë e më tepër po demonstron frikshëm ndarjet dhe dallimet sociale. Asnjë strukturë institucionale nuk përballet me fenomenin. Shërbimi i detyrueshëm është një ambient ku mundësohet që dallimet të shkrihen dhe unifikohen. Shërbimi ushtarak është një terren i të gjithëve, të atyre që vijnë nga shtëpitë e pasura dhe të varfra, nga grupe religjioze të ndryshme e me praktikë në besime fetare, por edhe laike, me ngjyra të ndryshme të lëkurës, të zgjuar, apo edhe të ngadalshëm, me aftësi të kufizuara, por edhe të shëndetshme, të guximshëm dhe hezitues. Shërbimi i nxit të gjithë brenda një procesi më të njëjtin standard, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë, duke i vendosur nën të njëjtat kërkesa dhe duke iu besuar të njëjtat përgjegjësi të mëdha, pavarësisht nga besimi, përkatësia, gjendja sociale apo etiketat e përkatësive të tjera.

A ka NATO, apo BE standard për modelin e shërbimit ushtarak? – JO. Ideja e heqjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak mori për bazë veç të tjerash edhe ‘rekomandimet’ e NATO-s. Kjo nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë. Vendet anëtare të NATO-s apo BE aplikojnë modele, që përcaktohen tërësisht në referenca kombëtare. Nuk ka kërkesë standarde të NATO-s apo BE, që përcaktojnë modelin e shërbimit. Danimarka, Norvegjia, Greqia, Turqia e anëtarë të tjerë në NATO zbatojnë modelin e shërbimit të detyrueshëm. Franca dhe Gjermania shumë shpejt do të aplikojnë shërbimin e detyrueshëm. Edhe vende të tjera europiane, jo anëtare të NATO-s, Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra etj., zbatojnë shërbimin e detyrueshëm.

*Kristaq Xharo ka titullin ‘Profesor’ dhe është pedagog për Çështjet e Sigurisë në UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arsimi i lartë: Është koha për cilësi

Konferenca III Shkencore e Forumit të Pavarur të Rektorëve Në mjediset e...
Read More