Seminari ndërkombëtar: Letërsia për fëmijë, si edukohet një lexues i fortë i së ardhmes

Më 26 dhe 27 prill, Shtëpia botuese Dituria organizon seminarin ndërkombëtar “Letërsia për fëmijë dhe lexuesit e saj. Strategji të reja për nxitjen dhe promovimin e leximit”, me specialistë vendës dhe ndërkombëtarë, ndërsa një “xhep” i saj është dhe bashkëpunimi me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, që lidhet me laboratorin e përkthimit të letërsisë për fëmijë

Kur shkruan për një libër të mirë për fëmijë, shkrimtarja Michela Murgia thotë: Mrekullia e librit të mirë për fëmijë parakupton që një përmbajtje komplekse të përcillet me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për të vegjlit dhe jo të banalizohet përmbajtja, duke e përcjellë me një gjuhë shumë komplekse, më të përshtatshme për të rriturit se sa fëmijët…

Lexuesi i të ardhmes, përfshirë në një projekt më të gjerë, ka ndalur edhe në Shqipëri, dhe konkretisht mbi një arsye praktike, të munguar. Shtëpia botuese Dituria organizon seminarin ndërkombëtar “Letërsia për fëmijë dhe lexuesit e saj. Strategji të reja për nxitjen dhe promovimin e leximit”, me pjesëmarrjen e specialistëve vendës dhe ndërkombëtarë, që mbahet më 26 prill dhe 27 prill. Pjesë e projektit “Readers of the future” (Lexuesit e së ardhmes), organizatorët thonë se ky “seminar synon shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e bashkëpunimit profesional me institucionet, por edhe mes kolegëve, për aftësimin më të mirë të operatorëve të librit, duke i dhënë një shtysë të re promovimit të dashurisë për librin”.

Për të ngritur një bazë të fortë lexuesish, nxitja për fëmijët dhe të rinjtë drejt letërsisë për organizatorët ndikon te lexuesi “i dobët”, duke mbështetur autorët, botuesit, artistët për krijime të reja, botime dhe promovime, t’iu japë nxënësve dhe sektorit kulturor mundësinë për të punuar së bashku, të inkurajojë talentet e reja etj. Në këtë seminar marrin pjesë botues, ekspertë të huaj, përfaqësues të institucioneve publike dhe private, specialistë të kulturës dhe arsimit, mësues, librarë, lexues, gazetarë etj. Botuesit e “Diturisë” njoftojnë se seminari është konceptuar si një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe për të reflektuar së bashku, për të ndërtuar e përmirësuar bashkëpunimin profesional mes kolegëve, por edhe për aftësimin më të mirë të operatorëve të librit, duke i dhënë një shtysë së re pasurimit të “librarisë” së librit për fëmijë në Shqipëri dhe promovimit të dashurisë për librin.

“Pas anketimit të kryer në shumë shkolla të vendit rreth shprehive të të lexuarit, si dhe konkursit letrar dhe vizatimor kombëtar, ky seminar synon të bëjë të njohura edhe përfundimet e këtyre aktiviteteve dhe të reflektojë rreth rezultateve të anketimit”.

Disa nga referimet prej studiuesve shqiptarë janë… Letërsia për fëmijë që botohet në Shqipëri: probleme dhe prirje; si ka ndryshuar tregu i librit për fëmijë, mbajtur nga botuesi i “Diturisë”, Petrit Ymeri. Për studimet letrare të letërsisë shqipe për fëmijë, nga Pandeli Koçi, shkrimtar, Tiranë; Lexues të fortë dhe të dobët: përfundime të anketimit për lexueshmërinë në Shqipëri, nga prof. dr. Lili Sula, studiuese, Universiteti i Tiranës. Botimet përballë sfidave të tranzicionit dhe mendësisë së një shoqërie të hapur në Shqipëri, nga Ermir Nika; studiues dhe përkthyes, Ph.D në historinë e Ballkanit në Aristotle University of Thesaloniki, Stavri Dajo, do kumtojë: “Libri-shkolla-familja, si nxitet lexuesi i vogël? Përvoja greke”. Operatorët e librit në Shqipëri do shqyrtojnë edhe rastin se cili është tregu i botimeve për fëmijë në tri vende: Shqipëri, Itali, Maqedoni, si sillet lexuesi fëmijë ndaj librit, çfarë pritet nga shkolla, nga botuesit, nga prindërit, nga institucionet kulturore dhe arsimore për të rritur një lexues dhe cilat strategji të reja propozohen për të edukuar një lexues të forte të së ardhmes.

Me praninë dhe ndërhyrjen e ekspertëve vendës të fushës por edhe të disa ekspertëve ndërkombëtare, si: Mariagrazia Mazzitelli, drejtore e Shtëpisë Botuese Salani, Itali; Luisa Marinho Antunes Paolinelli, nga Universiteti i Madeirës; Marija Ott Franolić, Center for Advanced Studies – Southeast Europe (Universiteti i Rijekas), Giuseppe Errico- Angela la Torre, Agenzia Arcipelago (Napoli); Andriana Dragovic, Shtëpia Botuese Tabernakul (Shkup).

Ekspertët e huaj që marrin pjesë: Giuseppe Errico, psikolog, shkrimtar. Ekspert i pavarur i Komisionit Europian, 2014 do të mbajë kumtesën “Librat na ndihmojmë të rritemi. Përvoja e promovimit të librit në Napoli në zona të margjinalizuara”. Mariagrazia Mazzitelli, drejtore editoriale e Salanit, protagoniste e rilindjes së fantazisë dhe romanit fantastik në Itali, do kumtojë në Tiranë, temën “1987-2017, 30-vjetori i Gl’Istrici Salani. Një panoramë e letërsisë dhe editorisë për fëmijë në Itali” etj. Ndërsa një “xhep” i saj është dhe bashkëpunimi me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, që lidhet me laboratorin e përkthimit të letërsisë për fëmijë, me nismën private të botueses Marjana Ymeri dhe përkthyeses Diana Kastrati.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Fajtorë pa faj

Ose “Të gjithë që të pasurohen edhe më shumë disa” Nga Valbona...
Read More