Sëmundja: Ajri i ndotur shton të sëmurët me astmë

Faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës janë substancat dhe grimcat e thithura nëpërmjet ajrit, të cilat mund të shkaktojnë reaksione alergjike ose mund të acarojnë rrugët e frymëmarrjes.

Astma është një nga sëmundjet kronike jo të transmetueshme të rrugëve të frymëmarrjes, gjatë të cilës ato pezmatohen dhe ngushtohen. Rreth 235 milionë njerëz aktualisht vuajnë nga astma. Kjo është një nga sëmundjet më të shpeshta te fëmijët. Sipas vlerësimeve të fundit të OBSH-së, në vitin 2015 kishte 383.000 vdekje për shkak të astmës. Shumica e vdekjeve ndodhin te të rriturit. Faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës janë substancat dhe grimcat e thithura nëpërmjet ajrit, të cilat mund të shkaktojnë reaksione alergjike ose mund të acarojnë rrugët e frymëmarrjes. Medikamentet mund të kontrollojnë astmën, ndërsa shmangia e shkaktarëve të astmës mund të zvogëlojë ashpërsinë e saj.

Sëmundja

Astma është një nga sëmundjet kryesore jo të transmetueshme e karakterizuar nga kriza të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje dhe fishkëllima gjatë saj, të cilat ndryshojnë në ashpërsi dhe frekuencë nga personi në person. Tek individët e prekur simptomat mund të shfaqen disa herë në ditë ose në javë, dhe për disa të tjerë ato mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik ose gjatë natës. Gjatë krizës së astmës, tubat bronkial ënjten duke shkaktuar ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe zvogëlimin e lëvizjes së ajrit brenda apo jashtë mushkërive. Simptomat e përsëritura të astmës shpesh shkaktojnë pagjumësi, lodhje, reduktim të aktivitetit jetësor të individëve, sidomos në shkollë dhe në punë. Astma ka një shkallë relativisht të ulët të vdekshmërisë në krahasim me sëmundjet e tjera kronike. Astma është e nëndiagnostikuar dhe e nëntrajtuar. Ajo krijon barrë të konsiderueshme për individët dhe familjet.

Shkaqet

Shkaqet kryesore të astmës nuk janë kuptuar plotësisht. Faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës janë një kombinim i predispozicionit gjenetik me ekspozimin mjedisor ndaj substancave dhe grimcave që mund të thithen nëpërmjet ajrit, të cilat mund të provokojnë reaksione alergjike ose mund të acarojnë rrugët e frymëmarrjes, si: Alergjenet e brendshme si pluhurat në shtëpi, (në shtretër, qilima dhe mobiliet) apo parazitët e ndryshëm si furrtarja e zezë; Alergjenet në natyrë (të tilla si poleni dhe myku); Kafshët shtëpiake; Tymi i duhanit; Alergjenet kimike në vendin e punës; Ndotja e ajrit etj. Shkaktarë të tjerë që provokojnë krizat e astmës mund të jenë ajri i ftohtë, ngacmimet ekstreme emocionale si zemërimi ose frika, dhe aktiviteti fizik. Edhe medikamente të caktuara mund të shkaktojnë astmë: aspirina dhe medikamente të tjera josteroide anti-inflamatore dhe beta-bllokuese (të cilat përdoren për të trajtuar presionin e lartë të gjakut, zemrën dhe migrenën). Urbanizimi është shoqëruar me një rritje të astmës, por natyra e saktë e kësaj lidhjeje është akoma e paqartë.

Menaxhimi i astmës

Megjithëse astma nuk mund të shërohet, menaxhimi i duhur mund të kontrollojë sëmundjen duke u mundësuar njerëzve me astmë të gëzojnë një cilësi të mirë të jetese. Medikamentet me efekt afatshkurtër përdoren për lehtësimin e simptomave gjatë krizave të astmës. Medikamente të tilla si kortikosteroidët aerosole janë të nevojshme për të kontrolluar përparimin dhe përkeqësimin e astmës, si dhe vdekjet e lidhura me të. Njerëzit me simptoma të vazhdueshme duhet të marrin medikamente afatgjata çdo ditë për të kontrolluar pezmatimin bazë dhe për të parandaluar simptomat dhe përkeqësimin. Qasja e papërshtatshme ndaj medikamenteve dhe shërbimeve shëndetësore është një nga arsyet kryesore për kontrollin e dobët të astmës në shumë vende. Por medikamentet nuk janë mënyra e vetme për të kontrolluar astmën. E rëndësishme është gjithashtu shmangia e shkaktarëve të astmës. Çdo pacient me astmë duhet të mësojë se cilët janë shkaktarët e mundshëm të krizave të astmës dhe t’i shmangë si një masë parandaluese. Megjithëse astma nuk vret në atë nivel sa sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK) ose sëmundjet e tjera kronike, neglizhimi apo dështimi i përdorimit të medikamenteve të përshtatshme ose neglizhimi i trajtimit mund të çojë në vdekje. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se parandalimi parësor për të zvogëluar nivelin e ekspozimit ndaj faktorëve të zakonshëm të rrezikut, veçanërisht tymit të duhanit, infeksioneve të shpeshta të frymëmarrjes gjatë fëmijërisë dhe ndotjes së ajrit (ekspozimi i brendshëm, i jashtëm, dhe në vendin e punës) duhet të jenë objektiva të programeve të parandalimit të astmës.

 

Astma, menaxhimi i shkaktarëve

E rëndësishme është gjithashtu shmangia e shkaktarëve të astmës. Çdo pacient me astmë duhet të mësojë se cilët janë shkaktarët e mundshëm të krizave të astmës dhe t’i shmangë si një masë parandaluese

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Berisha nuk ka kujt t’i flasë

Nga Armand Shkullaku Partia Demokratike gjendet sot në udhëkryqin më të madh...
Read More