Sëmundja: Testet mjekësore që zbulojnë tuberkulozin

Simptomat më të shpeshta të tuberkulozit aktiv të mushkërive janë: kollë dhe pështymë me gjak, dhimbje kraharori, dobësi, humbje në peshë, temperaturë dhe djersitje natën

Tuberkulozi është një sëmundje që trajtohet dhe që shërohet. Në format aktive të saj kjo sëmundje kurohet për një periudhe 6-mujore me një kombinim të 4 medikamenteve antimikrokobiale të cilat jepen nën udhëzimin, mbikëqyrjen dhe mbështetjen e mjekut apo të personelit shëndetësor, pa të cilët trajtimi mund të jetë i vështirë dhe sëmundja mund të përhapet. Numri më i madh i rasteve me TB mund të kurohet me marrjen e medikamenteve të duhura. Midis viteve 2000-2016, rreth 53 milionë jetë u shpëtuan nëpërmjet diagnostikimit dhe trajtimit të duhur të TB-së.

Të dhëna

Tuberkulozi është një prej 10 shkaqeve kryesore të vdekjeve në botë. Në vitin 2016 rreth 10.4 milionë njerëz u sëmurën me TB dhe 1.7 milionë vdiqën nga kjo sëmundje (duke përfshirë 0.4 milionë njerëz me HIV). Rreth 95% e vdekjeve ishin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Shtatë vende përbëjnë 64% të të gjithë totalit ku hyjnë: India, Indonezia, Kina, Filipinet, Pakistani, Nigeria dhe Afrika e Jugut. Në vitin 2016 rreth 1 milion fëmijë u sëmurën me TB dhe 250.000 fëmijë vdiqën nga kjo sëmundje (përfshirë këtu edhe fëmijët me TB të shoqëruar me HIV). Tuberkulozi është vrasësi kryesor te njerëzit me HIV pozitiv: në vitin 2016 40% e vdekjeve me HIV ishin si pasojë e TB-së. Tuberkulozi (MDR-TB) rezistent ndaj shumë medikamenteve është një krizë për shëndetin publik dhe kërcënim për sigurinë në shëndet. OBSH-ja raportoi se ishin 600.000 raste të reja me TB të cilat ishin rezistente ndaj rifamicinës, i cili është medikamenti më efektiv i grupit të parë, prej të cilëve 490.000 kishin MDR-TB. Në nivel botëror incidenca eTB-së ka rënë me 2% çdo vit. Por kjo rënie duhet të rritet dhe të shkojë në 4-5% çdo vit për të arritur objektivat e vendosura për vitin 2020,për zhdukjen apo eliminimin e TB-së në botë. Përafërsisht 53 milionë jetë u shpëtuan nëpërmjet diagnozës dhe trajtimit të TB-së midis viteve 2000-2016. Një target i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm është eliminimi i epidemisë së TB-së në vitin 2030.

Shenjat

Kur një person sëmuret me TB, simptomat (si kolla, temperatura, djersitja natën apo humbja në peshë) për disa muaj mund të jenë të një forme të lehtë, duke vonuar kërkimin e ndihmës mjekësore, gjë që çon në infektimin e njerëzve të tjerë për sa kohë personi nuk merr mjekim. Njerëzit me tuberkuloz aktiv mund të infektojnë 10-15 njerëz të tjerë nëpërmjet kontaktit të ngushtë përgjatë një viti. Në mungesë të trajtimit të duhur, 45 % e personave të cilët janë HIV negativ por të sëmurë me TB dhe ata me HIV pozitiv të shoqëruar dhe me TB do të vdesin.

Rrezikuar

Tuberkulozi prek kryesisht të rriturit në periudhën më produktive të jetës. Megjithatë, të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara. Mbi 95% e rasteve të diagnostikuara dhe e vdekjeve janë në vendet në zhvillim. Njerëzit e infektuar me HIV kanë një rrezik 20-30 herë më të lartë për të patur tuberkuloz aktiv. Gjithashtu, ky rrezik është i lartë edhe për njerëzit të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera të cilat kanë dëmtuar sistemin imunitar. Përdorimi i duhanit e rrit shumë rrezikun për sëmundjen dhe vdekjen nga TB-ja. Përafërsisht 8% e rasteve me TB në mbarë botën i atribuohen duhanpirjes. Në vitin 2016 një milion fëmijë të moshës 0-14 vjeç u sëmurën me TB, dhe 250.000 të tjerë (përfshirë këtu fëmijët me HIV të shoqëruar dhe me TB) vdiqën nga kjo sëmundje.

Diagnoza

Simptomat më të shpeshta të tuberkulozit aktiv të mushkërive janë: kollë dhe pështymë me gjak, dhimbje kraharori, dobësi, humbje në peshë, temperaturë dhe djersitje natën. Një mënyrë për të diagnostikuar TB-në është vëzhgimi në mikroskop i pështymës për të zbuluar praninë ose jo të baktereve, por kjo metodë mund të kapë vetëm gjysmën e baktereve të TB-së të pranishme dhe nuk mund të zbulojë ato që janë rezistente ndaj medikamenteve. Përdorimi i testit të shpejtë Xpert MTB/RIF nën rekomandimin e OBSH-së është përhapur dukshëm që prej vitit 2010. Ky test zbulon në të njëjtën kohë TB-në dhe rezistencën ndaj rafampicinës, që është medikamenti kryesor i mjekimit të TB-së. Diagnoza mund të bëhet brenda 2 orëve dhe ky test rekomandohet sot nga OBSH-ja si testi diagnostik fillestar në të gjithë personat me shenja dhe simptoma të TB-së. Sot më shumë se 100 vende në botë e përdorin këtë test. Për të diagnostikuar rezistencën ndaj medikamenteve, në vitin 2016 OBSH-ja rekomandoi 4 teste të reja diagnostikuese: një test i shpejtë molekular për të zbuluar TB-në në qendrat shëndetësore periferike, ku Xpert MTB/RIF nuk mund të përdoret; dhe 3 teste për të zbuluar rezistencën ndaj medikamenteve të gjeneratës së parë dhe të dytë të TB-së. Tuberkulozi është veçanërisht i vështirë për t’u diagnostikuar te fëmijët, dhe sot akoma vazhdon të përdoret testi i Xpert MTB/RIF për vendosjen e diagnozës së tuberkulozit pediatrik.

TB dhe HIV

Njerëzit që jetojnë me HIV kanë një rrezik 20-30 herë më të lartë për t’u sëmurur me TB në krahasim me njerëzit që nuk kanë HIV. Kombinimi i HIV-it me TB-në është vdekjeprurës pasi secili përshpejton progresin e sëmundjes tjetër. Në vitin 2016 rreth 0.4 milion njerëz vdiqën nga HIV-i i kombinuar me TB-në. Në vitin 2016 rreth 40% e vdekjeve te njerëzit me HIV pozitiv ishin si pasojë e TB-së, gjithashtu rreth 1.4 milion raste të reja të TB-së ishin te njerëzit me HIV pozitiv, 74% e të cilëve jetonin në Afrikë. OBSH-ja rekomandon një qasje prej 12 komponentësh, ku përfshihen aktivitete të përbashkëta TB-HIV me qëllim parandalimin dhe trajtimin e infeksioneve dhe sëmundjeve, si dhe për të ulur vdekjet.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse dështuan partitë e vogla?

Nga Ervis Iljazaj Një nga tiparet e zgjedhjeve të 25 Qershorit është...
Read More