Sëmundja: Tiroiditi Hashimoto, shkaqet, shenjat dhe dieta e rekomanduar

Simptomat e Hashimotos janë të lehta në fillim dhe me kalimin e viteve përforcohen. Një nga shenjat e para mund të jetë zmadhimi i gjëndrës tiroide, i dukshëm me sy të lirë, por ka edhe një sërë shenjash të tjera që sinjalizojnë sëmundjen. Edhe pse nuk ka shërim për këtë sëmundje, plotësimi i hormoneve në mënyrë artificiale i rregullon nivelet e tyre në gjak dhe optimalizon funksionet fiziologjike që varen prej tyre

Shtim në peshë, lodhje, dhembje muskujsh dhe humbje e kthjelltësisë mendore, janë disa nga shenjat që sinjalizojnë për sëmundje të tiroides. Konkretisht për Tiroiditin Hashimoto, e cila është inflamimi i gjëndrës tiroide i shkaktuar nga sulmi që i bëhet asaj prej vetë sistemit imunitar të trupit. Për këtë arsye, kjo sëmundje quhet autoimunitare dhe pasohet nga hipoaktiviteti i saj dhe nivele të ulëta të tiroides në gjak. Ky hormon është përgjegjës për shumë funksione fiziologjike si dhe për metabolizmin e njeriut. Duke qenë se nuk ka shërim për këtë sëmundje, por plotësimi i hormoneve në mënyrë artificiale i rregullon nivelet e tyre në gjak dhe optimalizon funksionet fiziologjike që varen prej tyre, mendohet se dieta ushqimore luan rol në sëmundje. Ka shumë teori që pretendojnë të rregullojnë tiroiditin Hashimoto nëpërmjet dietës, edhe pse duhet pranuar se asnjëra prej tyre nuk është e vërtetuar shkencërisht. Blerina Bombaj, dietologe klinike thotë se duke qenë se kjo sëmundje vjen si një çrregullim i sistemit imunitar, mund të ndiqen parimet bazë të një diete për të forcuar imunitetin i cili fillon në aparatin tretës dhe për të ulur inflamimin. Ndaj ajo këshillon disa ushqime të cilat duhet të evitohen dhe të tjera të cilat duhet të bëhen patjetër pjesë e dietës tuaj ushqimore, që të kthehen në alete të shëndetit të tiroides.

Shkaqet

Mendohet të jetë një sëmundje e predispozuar gjenetikisht, edhe pse akoma nuk është krejtësisht e qartë zanafilla. Shumë faktorë mendohet të jenë shkaktarë. Në to përfshihen disa.

Gjenet

Personat që preken nga kjo sëmundje, shpesh kanë të afërm me sëmundje të tiroides apo të tjera sëmundje autoimunitare. Kjo tregon një lidhje të mundshme me predispozitën gjenetike.

Hormonet

Kjo sëmundje prek 7 herë më shumë femrat se meshkujt, duke treguar se ndoshta hormonet seksuale mund të ndikojnë. Për më tepër, disa femra preken nga kjo sëmundje vitin e parë pas lindjes. Edhe pse zakonisht sëmundja largohet, në 20% të femrave ajo përparon në Hashimoto në vitet në vazhdim.

Teprica e jodit

Është ky një tjetër shkak për zhvillimin e tiroiditit Hashimoto. Kështu disa studime tregojnë se mjekime të caktuara dhe teprica e jodit, një mineral i nevojshëm për prodhimin e hormones së tiroides, mund të nxitë sëmundjen e gjëndrës në disa njerëz.

Rrezatimi

Sëmundjet e tiroides janë shumë të përhapura në persona të ekspozuar ndaj rrezatimit duke përfshirë bombën atomike të Japonisë, Cernobillin, terapitë me rreze për kancerin e gjakut.

Simptomat

Simptomat e Hashimotos janë të lehta në fillim dhe me kalimin e viteve përforcohen. Një nga shenjat e para mund të jetë zmadhimi i gjëndrës tiroide, i dukshëm me sy të lirë. Simptoma të tjera të një tiroideje hipo-aktive janë: shtim në peshë, lodhje, zbehje dhe ënjtje e fytyrës, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, kapsllëk, vështirësi për t’u ngrohur, vështirësi për të mbetur shtatzënë, rënie dhe dobësim flokësh, çrregullime menstruacionesh dhe dhimbje, depresion, ritëm i ngadalësuar i zemrës, rënie të shkathtësisë mendore, probleme të ekuilibrit.

Trajtimi

Nuk ka shërim për këtë sëmundje, por plotësimi i hormoneve në mënyrë artificiale i rregullon nivelet e tyre në gjak dhe optimalizon funksionet fiziologjike që varen prej tyre. Dozat e mjekimit vendosen nga mjeku duke marrë parasysh shumë faktorë dhe monitorohen gjatë gjithë kohës për t’i përshtatur.

Trup dhe mendje

Filozofia e Lindjes së largët e vendos gjëndrën tiroide midis trurit dhe zemrës dhe një çekuilibër i këtyre të dyjave mund të reflektojë në përkeqësimin e tiroides. Aktivitete si Yoga, Meditimi dhe teknikat e frymëmarrjes mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes fizike dhe mendore duke ndihmuar mbarëvajtjen e gjëndrës së vogël por me një rol të madh!

 

Box:

Dieta e rekomanduar për Tiroiditin Hashimoto

Konsumi i ushqimeve të papërpunuara, të freskëta, të larmishme

Konsumi i shpeshtë dhe i mjaftueshëm i peshqve të kaltër dhe i farave të linit

Marrja e mjaftueshme e fibrave bimore

Evitimi i sheqerit dhe miellit të bardhë

Evitimi i stimulantëve si kafja dhe alkooli

Konsumi i ushqimeve të pasura në probiotikë si kosi dhe turshitë e shtëpisë

Evitimi i sasive të tepruara të perimeve të familjes së kryqëzorëve si brokoli, lulelakra, lakra – edhe pse këto ushqime në sasi të moderuar janë tepër të vlefshme për shëndetin.

Marrja e proteinave në çdo vakt ndikon pozitivisht.

Mineralet si Selenium dhe Zink luajnë rol të rëndësishëm në formimin e hormoneve të tiroides. Ushqime të pasura në to janë arrat e Brazilit dhe vaji i farave të kungullit.

Koliandri është erzë tepër e dobishme për të detoksifikuar trupin nga merkuri – një metal i rëndë i cili mendohet të ketë lidhje me shkatërrimin e gjëndrës tiroide dhe burimi i tij mund të jetë përveç ushqimit – amalgamet e dhëmbëve.

 

Meny ditore

Mëngjes

1 vezë fshati me vaj farash kungulli dhe rigon

Në frulator: Lëng molle + ¼ avokado + 1 kastravec + pak majdanoz + 1 lugë të madhe bajame të zbutura në ujë

Paradite

2 arra Brazili + 2 fruta të stinës

Drekë

Sallatë jeshile, rukola, finok, domate, gjizë, fara & djathë dhie të njomë + 150 gr peshk të vogël + 1 kupë oriz të egër me kikirikë dhe kurkume

Pasdite

Kos natyral ose qumësht arrë kokosi + fruta pylli + copëza arre kokosi + fara “chia”

Darkë

Supë me qiqra, qepë dhe vaj ulliri + panxhar i pjekur me gjizë të njomë dhe fara kungulli

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të dhënat befasuese: Shqiptarët “braktisin” librat, por…

INSTAT nxjerr të dhënat e fundit për kulturën, çfarë po ndodh në...
Read More