Sfida e Angela Merkel për Europën

Nga Joschka Fischer*

Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk është konsideruar ndonjëherë si një oratore frymëzuese. Në fakt, ajo njihet për të folurën e butë që i bën audiencat e saj gati për të fjetur. Por kjo ndryshoi disa ditë më parë. Ndërsa po bënte fushatë në periferinë Trudering të Mynihut, Merkel, duke folur nga një çadër birre, mbajti një fjalim të fuqishëm që dominoi titujt e gazetave në të dyja anët e Atlantikut.

Me të dielën e shenjtë që po afron, shumë veta menduan se Merkeli ishte frymëzuar nga shpirti i shenjtë. Nëse jo, ajo mund të jetë nxitur për veprim pasi ka kaluar shumë orë në shoqërinë e Presidentit të SHBA, Donald Trump, gjatë samiteve të fundit të NATO-s dhe G7. Dhe padyshim që zgjedhjet e ardhshme federale të Gjermanisë u përplasën në mendjen e saj. 

Por fjalimi i Merkel nuk ishte një fjalim i zakontë në një tendë birre në Goslar. Ajo nuk ishte duke rivalizuar me ish-kancelarin Gerhard Schroder, i cili, duke bërë fushatë në qytetin Goslar në janar të vitit 2003, deklaroi se Gjermania nuk do të merrte pjesë në luftën në Irak, pavarësisht nëse kishte mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në fjalimin e Merkelit kishte shumë më tepër se fushatë zgjedhjesh.

“Kohët kur mund të mbështetemi plotësisht te të tjerët janë duke përfunduar”, -tha Merkel, “dhe për këtë arsye unë mund të them vetëm se ne europianët duhet ta marrim me të vërtetë fatin tonë në duart tona”. Disa mund ta kuptojnë këtë si një largim i Gjermanisë nga aleanca transatlantike, duke ndjekur një riorganizim strategjik ose duke hyrë në një epokë të re pasigurie. Por deklarata e Merkelit nuk do të thotë asgjë nga këto.

Kushdo që ka qenë i vëmendshëm ka ditur që ndryshimet historike që po ndodhin sot nuk e kanë origjinën në Gjermani. Përkundrazi, ato dalin nga dy anëtarët themelues të Perëndimit gjeopolitik: Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Para zgjedhjeve të Trump dhe referendumit të Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, gjermanët nuk panë ndonjë arsye për të bërë ndryshime thelbësore në rendin ekzistues gjeopolitik.

Por këto dy ngjarje kanë tronditur themelet mbi të cilat kanë qëndruar paqja dhe mirëqenia e Europës që nga Lufta e Dytë Botërore. Vendimi i Britanisë për t’u tërhequr nga Bashkimi Europian mund të frymëzojë vendet e tjera për të ndjekur të njëjtin shembull. Dhe agjenda izoluese “Amerika e parë” e Trumpit nënkupton se Shtetet e Bashkuara do të heqin dorë nga roli udhëheqës në botë dhe ndoshta do të heqin dorë edhe nga garancia e sigurisë për Europën.

Europianët shmangën një katastrofë të përmasave historike në zgjedhjet presidenciale franceze të muajit të kaluar. Nëse Marine le Pen i Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë do të ishte zgjedhur, kishte gjasa që ajo t’’i jepte fund euros, BE-së dhe tregut të përbashkët. Europa kontinentale tani do të ishte zhytur në një krizë të thellë ekonomike dhe politike.

Ata që ende mbështesin një Europë të bashkuar duhet të marrin një mësim nga ndodhia e fundit në Francë, që historia të mos përsëritet. Europa duhet të zgjerojë aftësinë e saj për të vepruar dhe për t’iu përgjigjur krizave dhe rrethanave në ndryshim. Ky ishte mesazhi në thelb të vërejtjeve të Merkelit.

Në të njëjtën kohë, Merkel iu drejtua debateve të vazhdueshme midis ekspertëve dhe komentuesve të shtypit në lidhje me atë që presidenca Brexit dhe Trump mund të thotë për të ardhmen e bashkëpunimit transatlantik dhe europian. Kur Merkel vuri në dukje se “ne europianët duhet ta marrim me të vërtetë fatin tonë në duart tona”, ajo po deklaronte një fakt të thjeshtë.

Megjithatë, vetëm ata që e kanë nënvlerësuar Merkelin mund të mendojnë se ajo do të heqë dorë nga transatlanticizmi. Merkel e di se SHBA është e domosdoshme për sigurinë e Europës. Por ajo di gjithashtu se presidenca e Trump ka hedhur dyshime mbi garancinë amerikane të sigurisë dhe vlerat e përbashkëta që deri tani lidhin fort dy palët.

Një analizë e kujdesshme e fjalëve të Merkelit tregon se ajo nuk vë në dyshim të ardhmen e aleancës transatlantike. Përkundrazi, ajo po bënte thirrje për një Europë më të fortë. Merkel e di se nëse SHBA sakrifikon vendin e vet në krye të rendit ndërkombëtar për arsye politike të brendshme, nuk do të zëvendësohet me një fuqi të re udhëheqëse, as nuk do të dalë një rend i ri botëror. Ajo që do të kemi është një vakum i pushtetit, shoqëruar nga kaosi. Dhe meqenëse bota bëhet më pak e qëndrueshme, ne europianët nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të bashkohemi për të mbrojtur interesat tanë. Askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për ne.

Pra, fjalimi i Merkelit ishte para së gjithash për forcimin e Europës. Dhe, fatmirësisht, ajo ka gjetur mbështetje në presidentin francez Emmanuel Macron. Të dy liderët duan të stabilizojnë eurozonën, të rivendosin rritjen ekonomike dhe të forcojnë sigurinë e Europës me një forcë të përbashkët kufitare dhe një politikë të re për refugjatët.

Merkel me siguri do të thoshte atë që tha në Trudering. Duke patur parasysh mjedisin e trazuar ndërkombëtar dhe vetë thirrjen e afërt të BE-së, nuk ka alternativë tjetër përveçse të ndërmarrë veprime dhe vërejtjet e saj mund të kenë pasoja të gjera për vendin e Gjermanisë në BE dhe për marrëdhëniet e saj me Francën. Roli i tanishëm i Gjermanisë si dorështrënguara e ditur e eurozonës është në kundërshtim me qasjen e re që duhet të marrë. Për të demonstruar lidership të vërtetë brenda partneritetit franko-gjerman, Gjermania do të duhet të bëjë lëshime politike.

Për më tepër, vetëm për shkak se Trump thotë diçka nuk do të thotë që ajo automatikisht është e gabuar. Gjermania dhe Europa në përgjithësi do të duhet të bëjnë shumë më tepër për të siguruar sigurinë e tyre dhe për të përforcuar urën transatlantike që mbështet paqen dhe mirëqenien europiane. Dhe ndërsa e ndjekim atë projekt, duhet të qëndrojmë në mënyrë të vendosur ndaj vlerave liberale që na bëjnë të kemi zili demokratët dhe brezit të autoritaristëve në mbarë botën.

*Ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë. Artikulli u botua te project-syndicate.org

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Basha e Kryemadhi: Bashkohuni me frontin tonë! Blushi i refuzon

Kreu i PD-së i cili thirri mbrëmjen djeshme tryezën e partive politike...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.