SHBA, 1.6 miliardë dollarë për murin me Meksikën

Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, mbylli të premten sesionin e saj të verës me një arritje të rëndësishme legjislative, që përfshinte një dhuratë për presidentin Donald Trump.

Republikanët përfshinë në një paketë ligjore një kërkesë prej 1.6 miliardë dollarësh për të ndërtuar një pjesë të murit përgjatë kufirit me Meksikën, një premtim i presidentit Trump.

“Duhet të jemi vigjilentë në mbrojtjen e atdheut tonë. Kjo është përparësia jonë. Kjo paketë ligjore financon funksionet më kritike të qeverisë. Ajo garanton kufijtë tanë, duke siguruar fonde për një mur në kufirin jugor”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, në një deklaratë ndërsa përshëndeti miratimin e financimit të murit në kufi.

“Disa republikanë janë të zhgënjyer që nuk kanë realizuar gjërat që duhen këtë vit” tha për Zërin e Amerikës Molly Reynolds e Institutit “Brookings”.

“Pra, ata e shohin këtë paketë ligjesh mbi sigurinë si një mënyrë për të treguar se kanë bërë diçka mbi çështjet me ndjeshmëri publike, si financimi i programeve të ushtarakëve dhe veteranëve”, thotë ajo.

Por kërkesa për murin kufitar pritet të përballet me një rrugë të vështirë në Senat ndërsa atmosfera politike në Uashington është ngarkuar edhe më shumë pas dështimit të minutës së fundit, të një përpjekjeje të republikanëve për të miratuar projektligjin për sistemin shëndetësor.

Paratë për murin, që i janë shtuar shpenzimeve për Departamentin amerikan të Mbrojtjes janë kundërshtuar “100 për qind” nga demokratët dhe disa udhëheqës republikanë.

Senatorët demokratë pritet të kundërshtojnë financimin e murit, duke hedhur poshtë projektligjin e shpenzimeve në formën e paraqitur aktualisht, ndoshta duke shkaktuar dhe një mbyllje të qeverisë.

Kundërshtitë

Të martën numri dy i demokratëve Steny Hoyer e cilësoi votimin një “marifet ligjor”, pasi sipas tij paketa ligjore pengoi debatin e veçantë për financimin e murit.

Megjithëse ligji për mbrojtjen përfshin shpenzime të shumta për sigurinë, kjo sipas demokratëve ishte mundësia për republikanët që të fusnin aty kërkesën e presidentit Trump për të financuar ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

Ligjvënësi demokrat i kalifornisë Pete Aguilar, tha se 1.6 miliardë dollarë duhet të përdoren për “tu kujdesur për veteranët dhe për të vlerësuar angazhimin amerikan në programet e nevojshme të mbrojtjes”.

Ligjvënësi demokrat i Ilinoit, Luis Gutierrez, tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një sistem modern dhe funksional të imigracionit dhe jo për një mur “.

Shkruar Nga
More from Revista User

Përplasen 3 makina me njëra –tjetrën, plagosen rëndë disa persona

Tre automjete janë përplasur në hyrje të qytetit të Sarandës dhe për...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.