SHBA dhe politikat mjedisore në 2017

Gjatë fushatës, Donald Trumpi premtoi se do të mbështeste sektorin e burimeve energjetike tradicionale si naftë, gaz e qymyrguri ndërkohë që ngriti dyshime lidhur me argumentet shkencore për ndryshimet klimatike. Politikat e tij që kur u bë president reflektojnë këto pikëpamje. Korrespondeti Steve Baragona i hedh një vështrim 2017-tës në lidhje me politikat energjetike dhe mjedisore të administratës Trump:

Ndër vendimet e para që mori Donald Trumpi pasi u bë president ishte riaktivizimi i planeve për dy tubacione nafte të anuluara gjatë administratës Obama.

Presidenti Trump e prezantoi vendimin si një doktrinë të re për fuqizim energjetik në emër të sigurisë kombëtare.

“Për më shumë se 40 vjet, Amerika ishte e dobët para regjimeve të huaja që përdornin energjinë si armë ekonomike,” tha presidenti.

Por faktikisht teknologjia e re e ka transformuar Amerikën nga importuese në eksportuese të fuqishme të energjisë.

Presidenti Trump synon ta vazhdojë këtë prirje. Ai ka miratuar liçenca për nxjerrje qymyrguri, nafte dhe gazi në territore që janë pronë e qeverisë federale, ka zbutur rregulloret mbi prodhimin e energjisë dhe ka shfuqizuar rregullore që synonin të luftonin ndryshimet klimatike. Këtu përfshiheshin edhe rregulloret e vëna gjatë administratës Obama lidhur me çlirimin e gazeve nga centralet bërthamore.

“Nuk besoj se ka ndonjë rregullore të vetme që kërcënon minatorët dhe punonjësit e centraleve energjetike e të sektorit prodhues më shumë se ky sulm dërrmues mbi industrinë amerikane,” u shpreh presidenti.

Kritikët nënvizojnë se pjesa më e madhe e shteteve amerikane po vazhdojnë punën për të përmbushur objektivat që kishte vënë kjo rregullore, pa dëmtuar industrinë. Ata vënë në pikëpyetje argumentet e presidentit për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për klimën.

“Tërheqja nga kjo marrëveshje nuk ka të bëjë aq me klimën sa ka të bëjë me vendet e tjera që po sigurojnë avantazh financiar në kurriz të Amerikës,” tha presidenti.

Ndërkaq, 2017-ta mendohet se do të jetë një ndër tre vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë. Shkencëtarët po mbledhin gjithnjë e më shumë të dhëna për ndryshimet klimatike, si ditë me temperatura shumë të larta, stuhi dhe fenomene të tjera të motit ekstrem.

Kritikët thonë se këto masa të presidentit janë në drejtim të gabuar.

Nicholas Bianco punon për Institutin Botëror të Burimeve Natyrore. Ai thotë se disa nga këto masa janë sfiduar me padi gjyqësore:

“Ende nuk kanë hyrë në fuqi. Pritet që gjatë vitit të ardhshëm të shohim rezistencë ndaj këtyre masave”.

Për shembull rezistencë nga autoritete lokale si dhe nga bizneset. Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg është bashkë-kryesues i një grupi që përfaqëson afro gjysmën e ekonomisë amerikane, i cili është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të përmbushin kuotat për reduktimin e gazeve ndotëse të çliruara në atmosferë.

“Amerikanët nuk kanë nevojë për mbështetjen e Uashingtonit që të përmbushin kuotat e Marrëveshjes së Parisit. Amerikanët s’kanë për ta lënë Uashingtonin t’i pengojë në këtë objektiv”.

Reduktimi i sasisë së gazeve ndotëse që çlirohen në atmosferë po bëhet më i lehtë me uljen e kostos së prodhimit të energjisë nga era dhe dielli. Në disa zona të vendit, energjia nga burime të ripërtëritshme prodhohet me kosto që konkurron burimet tradicionale.

Por administrata Trump ka propozuar ndryshimin e rregullave për të favorizuar qymyrgurin.

Shefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Scott Pruitt ka në plan të debatojë kundër argumente për ndyshime klimatike:

“Mendoj se ka ende vend për të debatuar sa të aftë jemi të masim me saktësi ndikimin e njeriut tek klima,” thotë zoti Pruitt.

Por shoqatat më prestigjoze të shkencës në botë kanë arritur në përfundimin se aktiviteti i njeriut është shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike. Pikëpamjet e zotit Pruitt bien ndesh me këto përfundime:

“Ky fakt të bën të mendosh thellë mbi ndikimin që do të kenë këto pikëpamje tek agjencia që ai drejton dhe që ka për detyrë të mbrojë shëndetin e publikut,” thotë analisti Bianco.

Në ditët e fundit të 2017-tës, zjarre të fuqishme kanë përpirë zona të gjera në Kaliforni, ndërkohë që beteja të reja mbi politikat klimatike shfaqen në horizont.

Shkruar Nga
More from Revista User

Silvio Berlusconi: Tek Donald Trump, më pëlqen vetëm gruaja e tij!

Katër herë ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni, i cili e paraqet vetën si...
Read More