SHBA do të mbrohet me “kapacitete bërthamore” nëse është e nevojshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se vendi i tij është i përgatitur të mbrojë veten dhe aleatët “duke përdorur gamën e plotë të kapaciteteve diplomatike, konvencionale dhe bërthamore”.

Komentet në një bisedë telefonike me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, vijnë pasi Koreja e Veriut ka kryer një provë me bombë hidrogjeni, me kapacitet për bartjen e raketave me rreze të gjatë.

Trump ka shkruar në Twitter se “fjalët dhe veprimet e Phenjanit vazhdojnë të jenë shumë armiqësore dhe të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara”.

Komentet e presidentit po ashtu pasojnë zotimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, se çdo kërcënim kundër SHBA-së do të pasojë me “reagim masiv ushtarak” dhe se Koreja e Veriut rrezikon “asgjësimin e plotë” me veprimet e saj.

“Ne nuk duam asgjësimin total të një vendi, përkatësisht Koresë Veriore. Por, siç e thashë, kemi shumë opsione për ta bërë këtë”, tha Mattis.

Në Gadishullin Korean, ndërkohë, ushtria e Koresë së Jugut tha se forcat e saj ajrore dhe ushtria kanë kryer stërvitje me raketa bërthamore, në përgjigje të shpërthimit të dyshuar të bombës me hidrogjen nga ana e Phenjanit.

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugkoreane tha se ushtria ka simuluar sulm ndaj “lokacionit bërthamor të Koresë së Veriut, duke goditur caqe të caktuara në Detin Lindor”.

Tensionet e rritura janë përkeqësuar tutje në fundjavë pasi Koreja e Veriut ka thënë se ka testuar me sukses një bombë hidorgjeni, me kapacitet për të bartur raketë balistike ndërkontinentale.

Media shtetërore verikoreane ka thënë se testi i gjashtë bërthamor i Phenjanit ka qenë një “sukses i përsosur” dhe një hap “i rëndësishëm” në kompletimin e programit bërthamor.

Programi me raketa bërthamore dhe balistike i Koresë së Veriut është i ndaluar me rezoluta të Kombeve të Bashkuara, por Phenjani vazhdon të bëjë prova, duke sfiduar gati të gjitha fuqitë botërore.

Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar fuqishëm testin e fundit bërthamor. Kina, aleate e Koresë Veriore, i ka bërë thirrje shtetit komunist të ndalojë “veprimet e gabuara”, ndërsa Rusia ka thënë se ato mund të çojnë në “pasoja serioze”.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Francës, Britanisë dhe Koresë së Jugut, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka caktuar për sot seancë, për të diskutuar krizën.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka dënuar testin e fundit bërthamor, duke e cilësuar si destabilizues për sigurinë rajonale.

Një bombë hidrogjeni është më e fuqishme se një bombë e rregullt atomike.

Shkruar Nga
More from Revista User

Si fotografitë e para dasmës janë kthyer në një biznes fitimprurës në Europë

Ata janë kudo. Në frontin e Muzeut të Luvrit. Nën Kullën Eifel....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.