SHBA: Hyni në zgjedhje. Ja reagimi i Bashës në grup

basha-ne-sheshin-e-liriseAmbasada amerikane: “Qeveria e Shteteve te Bashkuara mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet, apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit”. Reagon Basha në grup: Shumë shpejt do të  konkretizohet mbështetja e SHBA për kauzën e opozitës

Nga Nevila Perndoj

Pas vizitës një javore në SHBA ku nuk u përcoll asnjë njoftim zyrtar, kryetari i opozitës Lulzim Basha informoi demokratët nga çadra e ngritur para kryeministrisë se atje, ai kishte marrë mbështetjen nga ekipi fitues i Presidentit Trump për zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri teknike.

“…Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të kenë ekspertizën dhe ndihmën e ekipit fitues në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës…”, – tha ndër të tjera Basha.

Por mbrëmë, Top Channel iu drejtua ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe e pyeti se në çadër Basha duket se pretendon se ka mbështetjen e administratës Trump për protestën e PD. A është kjo e vërtetë?

“Jo. Qeveria e Shteteve te Bashkuara mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet, apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit. Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”, – ishte përgjigja e një prej zëdhënësve të Ambasadës.

Paralelisht me reagimin e Ambasadës, Lulzim Basha kishte mbledhur në seli grupin parlamentar dhe kryesinë e Partisë Demokratike. Basha nuk përcolli reagim zyrtar për qëndrimin e ambasadës pas mbledhjes, megjithëse mesazhin e dha. Referuar burimeve nga grupi parlamentar i PD-së, Basha mësohet të jetë shprehur se, “shumë shpejt do të  konkretizohet mbështetja e SHBA për kauzën e opozitës”.

Kryetari i opozitës ka folur me superlativa për vizitën e tij në SHBA duke e cilësuar atë si një nga vizitat më të suksessshme që ka pasur përfshi edhe kohën kur ka qënë ministër i Jashtëm.

Ai është shprehur gjithashtu se, ”menjëherë pas fitores së kauzës, PD-ja shkon direkt në zgjedhje”, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë shtyrje të tyre. Për këtë arsye, edhe pse jo drejtpërdrejt, Basha ka kërkuar nga deputetët por edhe anetarët e kryesisë që të fillojnë të angazhohen edhe në terren krahas çadrës në funksion të zgjedhjeve.

E gjithë sa shpreson PD-ja varet pikërisht nga ndërkombëtarët sa kohë që zgjidhja nga brenda nuk po u vjen. Dhe Basha pretendon se këtë mbështetje e ka. “Në këtë betejë, jo rastësisht kanë marrë krahë, kanë vendosur të hedhin peshën e tyre politike faktorët ndërkombëtarë. Ata që historikisht kanë mbështetur aspiratat legjitime të Shqipërisë dhe shqiptarëve për demokraci, për liri, për shtet ligjor, për ekonomi të hapur të tregut, për të drejtat e njeriut, për respekt para ligjit për çdo individ, kanë zgjedhur të mbështesin këtë betejë sepse duke e mbështetur këtë betejë, mbështesin tabanin mbi të cilin qendrojnë vlerat më të larta të civilizimit të aleancës euroatlantike. Prandaj, Amerika është me ne, prandaj Europa është me ne, prandaj miqtë dhe aleatët e Shqipërisë janë me ne deri në fitore…”.

Por ndryshe e sheh situatën kryeministri Edi Rama. Duke iu referuar vizitës së Bashës në SHBA, Rama ironizoi: “Ka takuar aq shumë sa nuk thotë dot se kë takoi sepse ka hall mos harron ndonjërin…”

Për Bashën, qëndrime të tilla janë llomotitje, duke dhënë një reagim të përgjithshëm për gjithësa ka folur Rama. “…Keni dëgjuar të flasë për armiqtë e jashtëm të cilët nuk ia duan të mirën Shqipërisë, të cilët sipas tij paskan bërë konspiracion me këtë çadër lirie, me këtë shesh lirie, me këtë koalicion lirie, por kundër kujt?! Sot nga ky shesh dua t’i them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe mercenarëve të tij të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre, që me paratë e drogës shqiptare lehin kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, se; Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një armik, dhe kjo është tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani…”.

Përkundër qëndrimit të Bashës, edhe Rama në anën tjetër trumbeton se ndryshim kursi nuk mund të ketë. Ai tha sërish mbrëmë se zgjedhjet në Shqipëri do të zhvillohen me apo pa PD-në përfshi këtu edhe ato për bashkinë e Kavajës.

“Bujrum të dialogojmë dhe të votojmë së bashku çdo ndryshim që forcon ligjin e zgjedhjeve. Të dialogojmë për gjithçka që mund të dialogojmë. Por qëndrimi im është dhe mbetet i pandryshuar, PD-ja duhet ta harrojë qeverinë teknike dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Sidoqoftë, kriza e thellë e PD-së as nuk është dhe as nuk do të bëhet krizë e vendit. Me apo pa PD, populli duhet dhe do të zgjedhë i lirë në ditën e sovranitetit të tij të pakundërshtueshëm, qoftë në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Kavajës, qoftë në zgjedhjet për Parlamentin e ri për katër vitet e ardhshme…”, – tha Rama.

Shkruar Nga
More from revista mapo

90-vjetori: Akademia e Shkencave “pret” Trebeshinën

Shkrimtari Kasem Trebeshina që ndan jetën mes Turqisë dhe Shqipërisë mbush 90...
Read More