SHBA ndalon lëvizjen në USA për zyrtarin e dytë shqiptar, Tom Doshi akuzohet për korrupsion të rëndësishëm

Një ditë pas publikimit të raportit të DASH, i cili e shpall deputetin Tom Doshi “non grata”, duke mos i lejuar atij dhe familjes së tij të hyjnë në shtetet amerikane, deputeti është shfaqur sot i qetë, ndërsa merrte pjesë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Ndërsa është pyetur nga gazetarët për për qëndrimin e tij sa i takon raportit të DASH, që e akuzon atë si një deputet të përfshirë në çështje korruptive, Doshi u është përgjigjur shumë shkurt mediave, duke u thënë se nuk ka pse të japë shpjegime.

“Jam shprehur një herë, pse përditë do shprehem unë? Për çfarë t’u sqaroj, s’kam qenë ministër. Pse të jap shpjegime. Ika se kam një takim, e morët përgjigjen”, është shprehur shkurt deputeti Doshi.

Në vendimin e DASH thuhet: “Anëtarit të Parlamentit të Shqipërisë, Tom Doshi i ndalohet hyrja në SHBA, për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni”.

Ndërkaq, në vendimin e DASH thuhet se: “Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë.

Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë”.

Mediat amerikane i kanë bërë jehonë raportit të agjencisë AP në lidhje me ndalimin që i ka bërë SHBA  Tom Doshit.

Gazeta ‘Washington Post’ shkruan se Departamenti i Shtetit ka ndaluar hyrjen në SHBA të një ligjvënësi shqiptar, i dyshuar për korrupsion domethënës.

Në një deklaratë të publikuar të hënën, thuhet se Tom Doshit i ndalohet hyrja në SHBA së bashku me gruan e fëmijët.

Doshi i tha mediave shqiptare se nuk ka bërë asgjë të paligjshme që të meritojë diçka të tillë.

“Shqipëria po punon që të përmirësojë sistemin gjyqësor dhe të zhdukë korrupsionin si pjesë e përpjekjeve për të hyrë në Bashkimin Europian. Ekspertët amerikanë dhe europianë po këshillojnë vendin sa i përket reformave,” shkruan agjencia.

Në lidhje me këtë ka reaguar sot Ambasada amerikane në vendin tonë, teksa ka shmangur çdo koment të sajin, duke shpërndarë vetëm postimin e DASH-it në faqen e saj në ‘’Facebook”.

Argumentimi me të cilën DASH veproi në rastin e Doshit ishte i ngjashëm me atë që u përdor në rastin Llalla, dyshime për përfshirje në afera korruptive.

Vetë Doshi u shpreh i pashqetësuar në lidhje me vendimin e SHBA-ve, teksa tha se në jetën e tij nuk ka firmosur asnjë dokument korruptiv, dhe është një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend.

“Nuk kam dijeni për këtë vendim. Mua nuk më ka ardhur një vendim i tillë. Gruaja ime dhe fëmijët e mi kane pasaportë australiane. Ndërsa unë kam patur vizë amerikane, por më ka skaduar. Në momentin që kam aplikuar sërish për vizë, më kanë kërkuar dokumente nga prokuroria. Por duke qenë se në atë kohë isha në hetim nuk çova dokumente shtesë, dhe viza mbeti pezull.” – tha deputeti Tom Doshi.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Horoskopi i ditës, 16 maj

  Dashi Mos u fiksoni marrëzisht në mungesën e perfeksionit të një...
Read More