Shek. XVIII-XIX: Shqiptarët kanë jetuar më mirë se ballkanasit e tjerë

Pas 56 vitesh kontribut në fushën e studimeve albanologjike, konkretisht në studimin e banesës popullore shqiptare, në hapësirat e Shqipërisë dhe Kosovës, monografia e Emin Rizës “Arkitektura popullore e Gjakovës”, botohet nga Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë; këtë veprimtari studiuesi e specialisti i banesave popullore, që ka përgatitur edhe dosjen e Gjirokastrës për në UNESCO, e sjell në përvojën e mëposhtme

Nga Emin Riza

Këto ditë, pas 56 vitesh veprimtarie të pandërprerë në fushën krahasimisht të re të studimeve albanologjike, atë të studimit të banesës popullore shqiptare, në hapësirat e Shqipërisë dhe Kosovës, u njoha me botimin e monografisë, hartuar prej meje “Arkitektura popullore e Gjakovës”, botuar prej Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Së pari, në vitin 2006 e njëjta Akademi më ka botuar monografinë “Banesa qytetare e Kosovës shek. XVIII-XIX” ndërsa bashkia e Prizrenit monografinë “Banesa popullore e Prizrenit”. Më tej në tre monografitë përgjithësuese mbi banesën popullore shqiptare kam pasur objekt banesat popullore shqiptare në hapësirat e Shqipërisë dhe Kosovës. Jam i bindur se kuptueshëm, veprat e njësive të ndryshme ndërtimore të ngritura prej shqiptarëve për shqiptarët në shekujt vijueshëm do të zgjerohen dhe thellohen. Është rast për të pohuar një arritje sa të rrallë, aq edhe metodikisht të saktë dhe frutdhënëse metodike të ish-drejtuesit të grupit të kulturës materiale, dhe pas vitit 1965 të Institutit të Monumenteve të Kulturës ark. Gani Strazimiri. Ai në vitin 1962 pas emërimit të tre inxhinierëve të parë të ndërtimit Aleksandër Meksi, Pirro Thomo dhe Emin Riza, për të zhvilluar veprimtari me veprat, duke më ngarkuar mua fushën krahasimisht të re të banesës popullore shqiptare. Kuptueshëm mungesa e institucioneve përkatëse mësimdhënëse, pra kuadroformuese në fushën e gjerë të vlerësimit të trashëgimisë historiko kulturore të ndërtimeve popullore i hapte rrugën praktikës së njohur dhe njëherazi produktive të vetëformimit profesional në punë dhe nëpërmjet saj. Mbarëtrajtimi i gjurmimi dokumentimit, përzgjedhjes vënies në mbrojtje, restaurimit, studimit dhe botimit për këto vlera me theksin e qartë të dëshmive historiko kulturore, dhe përfundime të shpejta aq edhe të sakta. Për disa arsye dhe si kosovar prej tim eti, banues në Prizren prej viteve 1942-1944 në vitin 1980 m’u dha rasti të vizitoj Gjakovën, duke qenë tashmë i informuar profesionalisht në fushën e re të studimeve albanologjike, atë të banesës popullore shqiptare. Më tej në vitet 2004-2005 kam qenë për një vit këshilltar për trashëgiminë kulturore në Ministrinë e Kulturës në Kosovës, kohë në të cilën m’u dha rasti i lakmuar për të njohur përherë dhe më gjerë dhe thellë vlerat e banesës popullore shqiptare të Kosovës pra edhe të Gjakovës. Është rasti për të theksuar ndihmën konkrete të drejtorit të Institutit të Monumenteve të Gjakovës kolegut të nderuar Osman Gojani, i cili më njohu dhe më vuri në përdorim një mori rilevimesh të banesave tradicionale gjakovare.

Gjatë kësaj periudhe krahasimisht të gjatë, pata mundësinë të shoh dhe të rishoh pra të vëzhgoj gjerësisht vlerat e banesës popullore tradicionale gjakovare, të cilat krahas atyre në Prizren shfaqin vlera madhore të banesës popullore mbarëshqiptare në rrafshin ballkanik dhe më gjerë. Pa hyrë në shpjegime të hollësishme, mund të pohoj pa mëdyshje se banesa popullore shqiptare e shekullit XVIII-XIX është dëshmi e prekshme dhe e pakundërshtueshme se shqiptarët e shekujve të përmendur kanë jetuar në kushte jetësore të përshtatshme për kohën, madje me përparësi ndaj kombeve të tjerë ballkanas të kohës. Gjakova siç e dëshmon bindshëm qindra zejtarë tregtarë të saj gjatë shekujve të përmendur ka qenë vendbanim qytetar, gjithë duke pasur në pjesë të popullsisë periferike fshatare, me kuptimin se siguronte jetesën me kultivimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ashtu si përgjithësisht qendrat e banuara të kohës. Banesat popullore gjakovare janë thuajse mbarë, njëfamiljare. Ato përgjithësisht kanë oborre të madhësive të ndryshme. Përveç banesës në hapësirat e oborreve mbaheshin ambientet ndihmës plemat në të cilat përdhesa apo me kat, strehoheshin kafshët e ngarkesës dhe bagëtitë, krahas rezervat ushqimore për to. Në familjet e mesme dhe kryesisht ato të plemat ngriheshin brenda oborreve. Banesa popullore gjakovare, kuptueshëm shfaqet dukuria thelbësore me bashkësinë e veprave ndërtimore të kësaj qendre, e cila përfshin dhe ndërtimet e kultit dhe ato shoqërore, krahas qendrës së rëndësishme prodhimtare- tregtare të Pozarit, njëra prej bashkësive më të zhvilluara për të kaluarën e qendrave të qyteteve shqiptare të kohës. Monografia mbi arkitekturën popullore të Gjakovës ndahet në 5 kapituj, sipas parimit të diferencimit tematik për të depërtuar në thelbin e dukurisë synuar për të trajtuar në këtë monografi. Kuptueshëm si pjesë organikisht e bashkëpërfshirëse me këtë vepër janë dokumentacionet grafike dhe fotografike të veprave ndërtimore të paraqitura si shembuj, me përfaqësues të dukurive arkitekture popullore, në qendrën e mbarënjohur në hapësirën mbarëshqiptare gjakovare. Kapitulli I trajton synimet e monografisë, kriteret studimore të ndjekur dhe tiparet e kësaj qendre të banuar, e cila për kohën mbante bindshëm emërtimin qytete. Kapitulli II analizon qendrën zejtare tregtare të emërtuar “Çarshia e madhe”, e cila shfaq bashkësinë ku zhvilloheshin një sërë profesionesh dorësore dhe njëherazi shitej prodhimi. Qendrat e veçanta, vetëm për shitje janë dukuri e gjysmës së dytë të shek. XIX. Kapitulli III ai thelbësor i monografisë, trajton temat kryesore ë krijimtarisë arkitekturore popullore: tipologjinë e banesës, ambientet formuese me tiparet kompozicionale teknikës dhe materialet ndërtimore. Kapitulli IV trajton synimet për trajtesa përgjithësuese dhe krahasuese, të ndërtimeve popullore të Gjakovës, me hapësirën kosovare dhe më gjerë me atë mbarëshqiptare. Kapitulli V dhe i fundit trajton gjendjen e sotme të vlerave mbarëkombëtare dhe më gjerë të arkitekturës popullore gjakovare dhe qëndrimin ndaj saj, sot dhe përgjatë së ardhmes.

Banesa popullore gjakovare ashtu si dhe gjini të tjera ndërtimore në këtë qendër të rëndësishme qytetare shqiptare, nuk paraqet ndonjë risi në bashkësinë e tipologjisë së banesave shqiptare. Gjakova ruan tipe të ndryshme dhe të njohura gjerësisht me mbarë qendrat e banuara shqiptare, si tipat e banesave përdhese, ato me çardak, me qoshk, kullat si dhe gjerësisht banesat me kompozime të cilësuara: “raste të veçanta”. Gjakova ashtu si mbarë trashëgimia historiko-kulturore shqiptare e Kosovës ka qenë gjithmonë deri në ditët lartësisht të shënuara të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, objekt shpërfillje dhe veprimesh shkatërruese të shkallëve dhe llojeve të ndryshme. Okupatorët e përlindur të tillë ardhur si turmë prej pyjeve të Rusisë, njihnin vlerat e rëndësishme të shkallës me të lartë të vërtetësisë së trashëgimisë së historiko-kulturore të llojeve dhe kohëve të ndryshme, prandaj ata edhe ndërtimet e Gjakovës i bënë shpesh objekt shkatërrimesh sistematike. Dashuria e bashkëlindur e mbaretnosit shqiptar në hapësirë dhe kohë për të kaluarën e tij historiko kulturore kanë qenë shkaqet kryesore të mosrrënimit të plotë të kësaj trashëgimie. Domethëniet historike të saj kryesisht në saj të vlerësimit dhe për pasojë ndërhyrjeve sistematike mbarëkohore mirëmbajtëse restauruese, do ti ruajnë këto vlera mbarëbrezore të vitalitetit sa të thellë aq dhe plotësisht njerëzor shqiptare, që është shfaqur dhe do të shfaqet vijueshëm.

*Titulli është redaksional, origjinali: Arkitektura popullore e Gjakovës

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Berat: Furgoni që transportonte nxënës del nga rruga, 10 të plagosur

Një furgon që transportonte nxënës është aksidentuar mëngjesin e së hënës në...
Read More