Shembja e Urës së Ali Pashës: Banorët e përjetojnë si mort

 
 


Shkatërrimi i urës 200-vjeçare të Ali Pashës po përjetohet nga banorët e fshatit Hoshtevë si të ishte një mort. Kjo sipas tyre është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Zagorie. 

Top Channel kishte paralajmëruar përmes një reportazhi në 5 janar se ura monument po shkonte drejt shkatërrimit, por një ditë më vonë grupi i ekspertëve të Ministrisë dhe Monumenteve të Kulturës garantoi se rrezikshmëria nuk ishte e nivelit të lartë dhe se ura ishte e qëndrueshme e do të resturohej së shpejti në një periudhë pa reshje.

Një tjetër grup ekspertësh këtë të hënë, pas shembjes së urës e justifikuan këtë ngjarje me rrëshqitjen e një masivi dheu. Raporti përmbyllet me këtë konkluzion: Pavarësisht problematikave të dukshme në bazamente, shkaqet që kanë sjellë humbjen e qëndrueshmërisë, prishjen e skemës statike dhe shkatërrimin e urës janë shkëputjet masive të dherave në pjesën e sipërme në pjesën veriore”.

“Çarje toke nuk ka fare, ka ardhur vetëm nga rënia e themelisë, që i ka ikur bazamenti”, thotë Koço Puleshi, ndërtues.

Adninistratori i Zagories tregon se për vite me rradhë banoret jepnin alarmin, por fondi për ndërhyrjejen në urë nuk u miratua asnjëherë.

“Por mua më thanë Monumentet e Kulturës atëherë se ka dalë fondi, po meqë norma e fitimit është e ulët, pritet të dalë dhe një fond për kishën e Hoshtevës, dhe e njëjta firmë t’i bëjë bashkë që të ketë një fitim logjik brenda normave të caktuara”, thotë administratori Arqile Puleshi.

Ura e Hoshtevës ishte ndër monumentet e rralla të periudhës së ndërtimeve të Ali Pashës. Monumenti me një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore ishte dëshmi e shkëmbimeve tregëtare, të Mesjetës së vonë në këtë krahinë.

Për këtë ngjarje reagoi edhe PD.

Deputetja e PD, Valentina Duka tha se ministrja e Kulturës mban përgjegjësinë.

“Jam këtu për të shprehur indinjatën e thellë, nga zhdukja në hartën e monumenteve të kulturës të dy urave shumë të rëndësishme, siç është Ura e Hoshtevës në zonën  e Libohovës një urë e periudhës Osmane, e përdorshme edhe sot nga banorët e Zagorisë. Dhe ura tjetër e krahinës së Orgockës, edhe kjo një urë e periudhës osmane që i takon Qarkut të Korçës, që si deputete e Partisë Demokratike ta përfaqësoj në Parlamentin e Shqipërisë.

Këto dy ura janë të trashëguara nga 300 vjet më parë, të ruajtura me shumë fanatizëm nga banorë të zonës, por edhe nga specialistë shqiptarë që e kanë dashur kulturën dhe brenda dy ditësh, si rezultat i vërshimit të lumenjve, ato zhduken jo vetëm nga harta e monumenteve të kulturës, por edhe nga harta e gjeografisë së Shqipërisë për të mos i parë më kurrë. Sado premtime të ketë se ato do të rindërtohen, ato nuk mund të bëhen ashtu sikundër kanë qenë.

Janë ura unikale dhe që banorët e këtyre zonave, specialistë të trashëgimisë kulturore, kanë kohë që trokasin në derën e Ministres së Kulturës për të ndërhyrë urgjentisht në riparimin e tyre, por derë e saj ka qenë e mbyllur. Përegjigja e Ministres së Kulturës ka qenë arrogante, qeveria Rama nuk ka reaguar në kohën e duhur për restaurimin e këtyre veprave kaq të rëndësishme të pasurisë sonë kombëtare.

Kam pasur fatin të vizitoj shumë ura të tilla në vendet e Ballkanit, ku qeveritë e Ballkanit shpenzojnë pothuajse dyfishin e parave të qeverisë Rama për t’i ruajtur ato. I ruajnë ato dhe nuk i shkatërrojnë ashtu sikundër ndodhi në Shqipëri. Prandaj jam këtu, që në emër të Partisë Demokratike, të dënoj papërgjegjshmërinë e qeverisë Rama. Në mbrojtje të institucioneve të kulturës sonë kombëtare, si elementë, si pasuri e madhe e kulturës sonë kombëtare për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve,” tha Duka.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Babeli i administratës/ Shteti i 1001 vulave dhe drejtorëve të Ramës

Të dielën kryeministri shpall ‘qeverinë e vogël’, ndërsa të hënën gjen në...
Read More