Shënime ditari: Në Bazel me Vaçen e gjallë

vace zelaDuke u interesuar për të gjetur adresën dhe për t’i kontaktuar, një kolegu im diplomat, çuditërisht ma preu shkurt, duke më thënë nuk ka dëshirë që të ketë të bëjë me shqiptarë, aq më tepër me përfaqësues të shtetit.

Nga Ksenofon Krisafi*

Tre vjet më parë, më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës, larg atdheut të vet, mbylli sytë e madhja Vaçe Zela, magjia, ylli, legjenda, ikona, mbretëresha, uragani i këngës dhe i muzikës shqiptare, krenaria kombëtare e hapësirës shqiptare, njeriu që me zërin dhe talentin e saj kishte argëtuar, mbushur me gëzim e kënaqësi vatrat e varfra shqiptare, siç ka mbetur në kujtesën e brezave të shumtë të shqiptarëve brenda e jashtë trojeve amtare. Në respekt të dëshirës së saj të paplotësuar, si një amanet i fundit, trupi i artistes së madhe, do të mbërrinte në atdhe, nëpërmjet Kosovës. Një avion e çoi në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, ku u prit me nderime të shumta nga drejtues të lartë shtetërorë, nga artistë të shquar si dhe nga mijëra artdashës kosovarë. Trupi i Vaçes dhe korteu i shoqëruesve të panumërt, përshkoi tokën e Kosovës, vendin e origjinës së bashkëshortit të saj të dashur, Pjetrit, tokë të cilën e deshte shumë dhe që i kishte kënduar me dashuri në qindra koncerte gjatë jetës së saj. Nga Morina, pika e përbashkët e dy shteteve shqiptare, korteu do të vazhdonte udhëtimin në pjesën tjetër të tokës shqiptare, në Shqipërinë zyrtare. Vaçen e pavdekësisë dukej sikur e shoqëronin tingujt e këngës së saj të bukur “e ku ka si ti, o Shqipëria ime\ o fisnikja përmbi gur,\ rrjedh në këngë e ligjërime,\ ballëlarta me flamur!” dhe të këngës tjetër, kushtuar mallit të pashuar për tokën shqiptare, Arbërinë e bukur, për të cilën dikur kishte kënduar “sa kemi mall s’ka deti valë,\ o moj e bukur Arbëri,\ shikojmë nga larg, mendojmë për ty,\ o moj e bukur Shqipëri”.

Pasi mbërriti në Tiranë, përmes nderimeve të shumta nga mijëra e mijëra njerëz si dhe nga drejtuesit më të lartë të shtetit, trupi i saj u përcoll për t’u prehur në banesën e fundit nga një kortezh gjigant njerëzish dhe makinash, me një mal buqetash e kurorash me lule.

Ikjen e Vaçes unë dhe familja ime e ndjemë si gjithë shqiptarët, miqtë dhe admiruesit e saj dhe të këngëve që sillte përherë në shtëpitë tona. Por, ajo çka përjetuam kishte edhe diçka plus. Pa pretenduar të ishim në rrethin e miqve të afërt të Vaçes dhe të familjes së saj, kemi pasur një moment episodik të këndshëm dhe të paharrueshëm. Kemi qenë miq në shtëpinë e saj në Bazel dhe kemi qëndruar e biseduar gati një ditë të tërë. Kjo ndodhi disa kohë pasi kisha filluar detyrën e ambasadorit, përfaqësuesit të përhershëm në Misionin e Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Isha në dijeni se në Zvicër jetonte Vaçja me familjen e saj. Përveçse ishte pjesë e detyrës sime funksionale për t’u takuar me shtetasit dhe bashkatdhetarët në Zvicër e përreth, ishte gjithashtu edhe një dëshirë e flaktë individuale, prandaj u interesova për të mësuar se ku ishte. Duke u interesuar për të gjetur adresën dhe për t’i kontaktuar, një kolegu im diplomat, çuditërisht ma preu shkurt, duke më thënë nuk ka dëshirë që të ketë të bëjë me shqiptarë, aq më tepër me përfaqësues të shtetit. U pezmatova edhe pse nuk mund ta besoja. Kaluan disa muaj dhe këmbëngula sërish. I thashë Françesk (Çesk) Zirit, i cili vinte shpesh në Mision, që të më gjente koordinatat e tyre. Pak ditësh Çesku më telefonon nga Lozana, ku jetonte dhe më thotë se i kishte gjetur. Vaçja me familjen e saj, bashkëshortin, Pjetër Rodiqi dhe vajzën, Irma, ndodhej në Bazel.

Në darkë i telefonoj Pjetrit, duke iu prezantuar. I shpreha dëshirën që të shiheshim në ndonjë rast në Gjenevë ose në Bazel. M’u përgjigj se më njihte dhe, pa hezitim, më tha, se edhe ata, ne dëshirojmë me shumë kënaqësi t’ju takojmë. Jeni të mirëpritur kur të dëshironi. Pastaj më kaloi Vaçen, të cilës i shpjegova se kisha hezituar për t’i kontaktuar më përpara, për shkak të thashethemnajës që përmenda më sipër. E përlotur, ma ktheu: “si mund të refuzoj unë të takohem me njerëzit e atdheut tim të dashur, me ata që më kanë ndjekur në sallat e koncerteve, më kanë duartrokitur dhe frymëzuar gjithë këto vite. Për më tepër si të refuzoj përfaqësuesin e shtetit, i cili edhe pse i varfër e me shumë halle, është vendi im, që më mungon shumë në këto kohë”. Biseda vazhdoi gjatë dhe ajo e mbylli duke më thënë, po të kaloj sërish Pjetrin për t’u marrë vesh se kur do të shihemi. Ramë dakord që do të na prisnin në fundjavë. Së bashku me time shoqe, Evgjeninë, tim bir Florentin, mbesën – Kejsin, Çeskun dhe Alekon, shoferin e Misionit, u nisëm. Kisha mësuar që Vaçja kishte një verandë të madhe plot me lule shumë të bukura, për të cilat kujdesej me dashuri të veçantë. Prandaj si dhuratë i bleva një vazo me një pemë dekorative, tepër interesante. Në Bazel, në afërsi të shtëpisë, na priti Irma dhe pas pak minutash edhe të zotët e shtëpisë, të cilat na ofruan një ngrohtësi të veçantë vëllazërore.

Kaluam me ta orë të tëra, përpara një tavoline mbushur plot me gatime shumë të shijshme, përgatitur nga dora e Vaçes dhe e Irmës, një vajzë e mrekullueshme, si dhe me biseda me tema nga më të shumëllojshmet. Miqësia e miqve tanë të çmuar ishte e veçantë. Vaçen, artisten tonë të madhe, deri në ato çaste e njihja si divën e këngës së lehtë dhe muzikës shqiptare dhe si një intelektuale jo të zakonshme. Por, ajo ishte e madhërishme, një erudite me dije dhe njohuri befasuese, të shumta e të thella nga kultura, letërsia, historia, filozofia, diplomacia, gjeografia etj. Me të mund të bisedoje lirisht për çdo temë e për çdo fushë dhe ndiheshe i ngazëllyer nga njohuritë e saj të gjithanshme, nga dijet solide në këto fusha që zakonisht konsiderohen si ekskluzivitet i historianëve, filozofëve dhe akademikëve. Vaçja ishte shumë e ditur.

Në familjen e Vaçes, në Bazel

I një niveli shumë të veçantë për nga statura qytetare dhe nga njohuritë e pafundme kulturore, historike etj., na u shpërfaq edhe Pjetri. Ishte me origjinë nga Kosova. Të parët e tij vinin nga Janjeva, ku kishin lindur Pjetër dhe Andrea Bogdani dhe më vonë Shtjefën Gjeçovi, vendi ku, sipas arkivave të Vatikanit, diku në shekullin XV ishte hapur shkolla e parë.

Ndër shqetësimet e tavolinës ishin pa dyshim zhvillimet problematike në Shqipëri dhe natyrisht ngjarjet në Kosovë. Tema e Kosovës, ankthi për të ardhmen e saj, por edhe shpresa për ditët e bardha që kishin mbërritur në qiellin e shndritshëm dhe në tokën e saj të përzhitur, ishin të pranishme atë ditë midis nesh, si te çdo shqiptar brenda e jashtë Shqipërie. Vaçja, artistja e madhe e këngës shqiptare, që dëgjohej me ëndje dhe emocione të veçanta në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trojet përreth tyre, e asaj kënge të magjishme dhe të fuqishme që i kushtohej jetës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për ditë më të mira, bukurisë, hijeshisë, mençurisë, trimërisë, guximit dhe heroizmit të tyre, ishte shndërruar në një simbol të unitetit dhe shqetësimit të madh kombëtar. Vaçja, shumë njerëzore dhe shumë e mirë, ishte te të gjithë dhe e të gjithëve, të cilëve iu përçonte jetë, dritë, diell, shpresë, gëzim. Ja sepse e madhja legjendare Nexhmije Pagarusha, këngëtare e famshme e Kosovës dhe e gjithë botës shqiptare, e ka quajtur Vaçen të shenjtë, shkëlqim të bukur që del nga shpirti i njeriut.

Artistja e Popullit, Nderi i Kombit, mbajtësja e dhjetëra nderimeve nga Shqipëria, Kosova etj., Vaçe Zela, e lindur në Lushnjë më 7 prill të vitit 1939, pas një jete, – stuhi suksesesh pa mbarim në të gjitha skenat shqiptare, brenda e jashtë vendit, por edhe në mjaft shtete të tjera, u nda nga jeta, por mbeti yll i pashuar në pavdekësi. Sot në trevjetorin e ikjes së saj, bashkë me dhimbjen për një njeri të madh, që i mungon skenës dhe jetës shqiptare, del nga zemra e gjithsecilit edhe ndjenja e krenarisë së madhe për “ikonën e shenjtë të këngës shqiptare”, “mbretëreshën e këngës shqiptare”, “yllin polar që vërtitet i vetëm në galaktikën e këngës së lehtë shqiptare”, “gjiganten e skenës shqiptare” dhe “zërin e artë të Shqipërisë”, siç e kanë cilësuar, me shumë të drejtë, kolegë e miq të saj të shumtë, zë që jehon e do të jehojë përgjithmonë në hapësirat shqiptare.

*Autori është dekan i Fakultetit Juridik në UET, titulli origjinal është “Në trevjetorin e ikjes së Vaçe Zelës” (Sipas shënimeve nga Ditari)

Shkruar Nga
More from revista mapo

Platforma e PDIU: Zgjidhja e krizës, Idrizi propozon 7 pika

Kreu i PDIU: “…Si Kryetar i PDIU-së dhe me përgjegjshmërinë që më...
Read More