Shënjestrat e “FBI-së” shqiptare



18 SimultanjaSPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion) që do hetojë Ramën, Berishën dhe Metën, e pavarur prej prokurorisë dhe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. A do të ketë për Tiranën një skenar si ai i Bukureshtit, Zagrebit e Shkupit, ku drejtues dhe ish-drejtues të lartë të shtetit përfundojnë në qeli?!

Nga Vladimir Karaj

Tani pak njerëz e dinë çfarë është SPAK. Ata që e dinë janë vetëm një grusht njerëzish që me gjasë do jenë edhe njerëzit në shënjestrën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe po ashtu të vetmit të shqetësuar realisht prej fatit të saj. SPAK, i programuar të ketë 10 prokurorë dhe një dorë ndihmë nga Byroja e Hetimit, një polici speciale e krijuar pranë saj, ka në shënjestër rreth 500 zyrtarë të lartë dhe vetëm kaq. Ndërkohë, diku më pak se 50 emra, të cilët mund të listoheshin lehtësisht do jenë edhe tabela kryesore e qitjes, përfshi këtu 3 kryeministra me rol aktiv në politikën e ditës dhe të tjerë të mënjanuar prej saj dhe një grusht ministrash, që bëhen objekti më i lakmuar i këtij institucioni. Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta e disa dhjetëra ministra do jenë objekti i veçantë i hetimit të SPAK edhe pse prokurorët kanë nën mbikëqyrje edhe gjykatës e zyrtarë të tjerë të lartë dhe po ashtu edhe krimin e organizuar.

Politikani Spartak Ngjela, prej kohësh e sheh krijimin e strukturës si fillimin e një “apokalipsi” politik, për njerëzit që kanë drejtuar Shqipërinë në 25 vite me radhë. Shembujt rreth e rrotull në Kroaci, Bullgari, Rumani e së fundmi edhe në Maqedoni flasin po ashtu për një “forcë brutale” të goditjes kundër zyrtarëve të lartë. Të paktën dy kryeministra janë arrestuar dhe dënuar. Mjaft zyrtarë të tjerë të këtij niveli u kanë dhënë fund karrierave politike, duke përfunduar në qeli burgu.

SPAK mund të jetë shpejt një shkurtim mjaft i famshëm. Ai po ashtu mund të jetë institucion kyç në ndryshimin për mirë ose për keq të Shqipërisë, kështu që dhjetë emrat që do marrin përsipër këtë punë do kenë jo pak barrë mbi supe. Ndërkohë, politika po përtypet. Miratimi i reformës, ashtu siç ajo propozohet me ndërhyrje prej Komisionit të Venecias dhe OBDAT e EURALIUS nuk është kaq punë e thjeshtë. Mjaft prej atyre që e kanë marrë dhe parë këtë çështje u duket në fakt e “habitshme” që palët në politikë po ftohen të miratojnë një ligj, i cili në teori duhet t’i zhveshë ata prej imunitetit të të paprekshmit.

Në fakt, ka një qartësi tashmë. Asnjë prej palëve nuk duket aq e vendosur sa në fillim përtej deklaratave publike. Lojërat e shumicës që më shumë se njëherë kanë provokuar me drafte të nxituara për Byronë e Hetimit, apo ato të opozitës që flet për pranim, por pastaj sulmon pjesë të draftit. Ky i fundit në total ka pasur vetëm dy mbështetës të pandryshueshëm. Bashkimin Europian, që shpreson përmes kësaj reforme ta bëjë Shqipërinë një kandidat të denjë, dhe SHBA-të të angazhuar në mënyrë strategjike për Shqipërinë.

Kjo duket është dhe forca që i shtyn palët drejt miratimit. “Turpi” që u përmendi ambasadori amerikan deputetëve do ishte diçka që ata do e gëlltisnin lehtë, nëse kjo nuk nënkupton që mund të “linçohen” publikisht prej ambasadorëve të BE e SHBA dhe se kjo do u jepte fund karrierave politike.

Pushteti i ambasadorëve në fakt nuk është një pushtet magjik. Ajo është një forcë që shtetarët shqiptarë e kanë lëshuar me dashje ndër vite, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tyre jo dhe aq të pajtueshme. Më shumë se kaq, akuzat dhe kundërakuzat, një pjesë të vërtetuara, që palët kanë shkëmbyer, e kanë delegjitimuar politikën vendëse. E dalë përgjithësisht prej zgjedhjesh të kontestuara e të kontestueshme, politika shqiptare nuk ka as forcë, as themele të forta për të kundërshtuar imponimin.

Në Tiranë, prej njerëzve që janë vënë ta kundërshtojnë reformën prej forcash politike të strukturuara tashmë nën hijen e saj, kjo shpesh shihet si punë ambasadorësh, por gjasat janë për një politikë strategjike të BE dhe SHBA, që pak ka të bëjë me emrat e ambasadorëve të momentit dhe vullnetet e tyre. Kjo u konfirmua prej vizitës së Xhon Kerry-t në Tiranë dhe prej mesazhit që Rama mori në Uashington, që “refuzuesit” e reformës përpiqen të mos i lexojnë drejt e drejt.

SPAK është një prokurori e pavarur nga prokuroria. Kjo është garancia e parë. Dy institucionet do të kenë paralelisht nën mbikëqyrje politikën, gjyqësorin dhe një sërë institucionesh të larta. Megjithatë, analisti Artan Hoxha mendon se numrat e menduar për SPAK nuk janë të mjaftueshëm për sa kohë atij i takon të hetojë edhe krimin e organizuar. “Thënë ndryshe, fusha e veprimtarisë së SPAK zgjerohet ndjeshëm ndaj, mendoj se 10 prokurorë, qoftë ky edhe si numër minimal, të parashikuar nga projekti i ndryshimeve kushtetuese për një fushë të zgjeruar janë shumë pak. Ky numër minimal duhet se paku trefishuar”, tha ai për MAPO, duke vënë në dukje se një mendim përfundimtar mbi suksesin ose jo të institucionit do mund të jepej vetëm në momentin kur procesi i draftimit të ishte mbyllur dhe kur ky proces të kishte krijuar të njëjtën pavarësi prej qeverisë edhe për Byronë e Hetimit.

Hoxha beson se kjo e fundit mbetet ende në një fushë jo të sigurt dhe që mund të cenohet prej ndërhyrjes së qeverisë aktuale. “Shpresoj që kjo të qartësohet e saktësohet e shpresoj që nuk kemi të bëjmë me një formulim aq ‘elastik’, saqë të lejojë që pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese, me një ligj të veçantë njësia hetimore-policore të kthehet në variantin e parë të Byrosë së famshme të Rilindësve dhe jo nën SPAK”, thotë Hoxha, duke ironizuar edhe me përpjekjen e mëhershme të qeverisë për ta vendosur institucionin nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme, që u kundërshtua prej opozitës. Ligji ndërkohë parashikon qartësisht varësinë e re.

“Njësia e posaçme hetimore raporton vetëm te Prokuroria e Posaçme”, thuhet në draftin për të cilin ambasadorët do të shkojnë të kërkojnë votëbesim në grupet parlamentare gjatë javës që vjen.

Kjo u pa si lëvizja e fundit para se parlamenti të jetë “i detyruar” të shqyrtojë dhe miratojë apo rrëzojë Reformën në Drejtësi. Kjo e fundit parashikon tashmë qartësisht përmbysje të sistemit të drejtësisë në vend dhe supozohet se mund të kthejë besimin te ky sistem edhe pse implementimi i gjithë asaj që parashikohet do marrë kohë dhe rezultatet nuk do jenë të dukshme menjëherë. Reforma ndër të tjera pritet të trajtojë me ashpërsi fillimisht anëtarët e gjyqësorit dhe prokurorisë. Këta përveç testeve profesionale do të kalojnë nën lupë dhe do duhet të dëshmojnë se nuk kanë abuzuar me pushtetin që kanë pasur deri tani. Nëse ndonjë prej tyre nuk arrin të dëshmojë se pasurinë e ka legjitime, ai shkarkohet automatikisht dhe automatikisht është i detyruar të sjellë vetë prova për këtë pasuri. Reforma pritet kështu t’u japë fund justifikimeve “para të fituara në emigrim” apo “dhurimeve”.

Ky mund të jetë shansi për fundin e një sistemi, në të cilin pak njerëz besojnë, ndërsa prova e tij do të jetë fillimi i hetimeve mbi pushtetin. Nëse njësia e posaçme do të dëshmojë veten të aftë kjo do të varet shumë prej kohës. Sigurisht në objektin e hetimit prej njësisë janë një numër jo i vogël zyrtarësh qendrorë e lokalë, po ashtu i gjithë sistemi gjyqësor dhe madje edhe krimi i organizuar, por njësia dukshëm do jetë e fokusuar te krerët e piramidës. Të paktën 4 kryeministra duke përfshirë aktualin dhe atë që u largua nga detyra në 2013 dhe ministrat e tyre do jenë objekti i lakmuar i SPAK.

Për shumë njerëz të pozicionuar apo jo politikisht, SPAK duket se po krijohet enkas për të vënë para drejtësisë këta emra që ja kanë dalë deri tani përtej akuzave, t’i shpëtojnë drejtësisë dhe hetimeve të plota. Palët flasin vazhdimisht tashmë për “frikë” edhe pse e vendosin atë në anën e kundërshtarit, kjo me gjasë është e vërtetë për të gjithë, edhe pse asnjë prej palëve nuk është e sigurt se cili do jetë fati i SPAK dhe kush e si do ta drejtojë atë.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Alexander Sokurov në Tiranë: Pas diktatorëve, kërkon rusët e tij në komunizmin shqiptar

Një nga regjisorët më të mirë rusë të gjallë, Alexander Sokurov, kinemaja...
Read More