Sherri për zhurmat e lokalit, 21-vjeçari vret me thikë fqinjin



vrasjeNgjarja ndodhi në zonën e Kombinat, në Tiranë, ku 54-vjeçari Luan Koprencka u vra me thikë pas një sherri banal. Viktima dhe autori u konfliktuan për zhurmat që shkaktonte lokali. I riu Alban Hyka, arrestohet pak orë pas krimit; në kërkim, bashkëpunëtori i tij.

Sherri për zhurmat që vinin nga lokali dhe pikat e ujit që binin nga banesa e katit të sipërm, kthehen në “motiv” për marrjen e jetës së një 54-vjeçari.

Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 08:30 Luan Koprencka, 54 vjeç, u godit disa herë me thikë në bark, nga dy persona, pas një konflikti për motive banale.

Autori kryesor i ngjarjes dyshohet se është Alban Hyka, 21 vjeç, si dhe kunati i tij, Vladimir Islami.

Hyka dyshohet se pasi u konfrontua fizikisht me Koprenckën, mori thikën dhe e qëlloi disa herë, ku njëra nga goditjet ishte fatale pranë zemrës.

Të afërm të viktimës tentuan që ta dërgonin në spital, por mësohet se Koprencka humbi jetën sapo u fut në sallën e operacionit.

Autori mundi që të largohej nga vendi i ngjarjes, por vetëm pak orë më vonë u arrestua nga policia në një fshat pranë Ndroqit në Tiranë.

Në momentin e arrestimit, ai nuk ka bërë rezistencë, ndërsa pranoi autorësinë e krimit.

Gjithsesi, aksioni policor vijon ende për arrestimin e bashkëpunëtorit të krimit. Sipas policisë, mes viktimës dhe autorit ka pasur edhe konflikte të mëparshme, që lidheshin kryesisht me zhurmën që vinte nga lokali.

Koprencka jetonte një kat sipër lokalit të 21-vjeçarit Hyka dhe për këtë arsye ankohej shpesh për zhurma të shumta.

Ndërsa në ditët e fundit, Hyka i kishte kërkuar llogari 54-vjeçarit, që nga tavani i lokalit rridhnin pika uji dhe për këtë bënte përgjegjës Koprenckën.

Teksa çështja kalonte me debate, ditën e djeshme kapërceu zënkat e vazhdueshme mes tyre dhe u mbyll me vdekjen e 54-vjeçarit, i cili vazhdimisht ankohej për zhurmat e padurueshme, kryesisht muzika e lartë që vinte nga lokali edhe në orët e vona të natës.

Ndërkohë, vëllai i viktimës ka nxjerrë një tjetër pretendim, pasi sipas tij policia ka qenë në dijeni të këtij konflikti në ditët e fundit.

Si autori, ashtu edhe viktima, shpesh përfundonin në polici teksa denonconin njëri-tjetrin, njëri për zhurmët dhe tjetri se nuk e lejonte që të ngrinte një tendë pranë oborrit që gjendej lokali.

Situata, jo vetëm që nuk është zgjidhur edhe me dijeninë e policisë së komisariatit nr. 5 në Kombinat, por degradoi deri në humbjen e një jete.

Ndonëse disa persona kanë tentuar të ndalojnë sherrin, nuk kanë mundur të frenojnë të riun që nisi të godiste me thikë.

Pas arrestimit, Hyka pranoi autorësinë e krimit, duke u shprehur se situata i doli jashtë kontrollit, pasi 54-vjeçari tentoi ta godiste me tullë.

Për të sqaruar më shumë rrethanat e ngjarjes, drejt komisariatit u shoqëruan edhe disa dëshmitarë për të dhënë versionin e tyre mbi krimin e rëndë.

Problemi i zhurmave që vijnë nga bare apo lokale nate, është kthyer në një fenomen më se shqetësues për qytetarët.

Shpesh, ata kanë kërkuar ndihmën e policisë, në lidhje me këto zhurma të vazhdueshme, por përsëri gjendja vijon të jetë e pazgjidhshme, sidomos në zona të populluara.

Kjo është një tjetër ngjarje me pasoja tragjike me humbjen e jetës së 54-vjeçarit, ku shkaku ka qenë banal dhe me kalimin e kohës ka agravuar deri në përdorimin e armës së ftohtë.

Pas kryerjes së ekspertizës mjekoligjore, të afërm të 54-vjeçarit pritet që t’i japin lamtumirën e fundit.

Ndërkohë, janë shprehur se çështjen do ia lënë në dorë shtetit dhe drejtësia duhet të japë dënimin e merituar për autorin e krimit të rëndë.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo Read More