Shirli Valentina: Teatri i Olta Dakut dhe një grua për kuzhinën e burrave

Pas një sezoni artistik intensiv të shfaqjes së saj të fundit “Shirli Valentina”, në Korçë e Durrës, ajo rikthehet në Teatrin e Tiranës me regjinë e Driada Dervishit. Shirli Valentina është personazhi që autori britanik Willy Russell e krijoi në vitet ’80, duke e shëtitur në shumë teatro si një “One woman show”, tashmë ka siluetën e re me emrin e aktores Olta Daku

Olta Daku është nga aktoret që nuk e ka krijuar potencën as me politikë dhe as si ikonë bukurie në teatër. Nuk bën as sfilatë mode, të krehë leshrat e të ndërrojë ngjyrën e tyre, dhe as të befasojë oborrin e teatrit me make up-in e saj. Ajo është thjesht Olta, që ecën me hapin e ritmin e kohës, atë të njeriut që ka marrë një rrugë dhe kërkon vazhdimisht shtegun e tij, pa ulur zverkun, pa u servilosur, dhe pa ngritur klane miqsh ashtu si ndodh rëndom në oborrin e teatrit.

Olta është thjesht njeriu i teatrit që përpëlitet, përcillet dhe ngjitet në skenë e sigurt, me imagjinatë më vete, me trupin e lirë e lëshuar mbi personazhin, që nuk ngre kufij mes qenies së gjallë dhe qenies jo si e tillë.

Nuk ka një personazh që ta identifikojë lojën e aktores, duke krijuar një rast pothuaj të rrallë se si shkrihen personazhet në kultin e një njeriu. Prezenca e Dakut merr gjithnjë vëmendje, në një tërheqje pothuaj të heshtur nga publiku që nuk fryn duart nga trokitjet.

Megjithatë ajo mbetet prej aktoreve më të preferuara të regjisorëve. Pas një sezoni artistik intensiv të shfaqjes së saj të fundit “Shirli Valentina”, në Korçë e Durrës, ajo rikthehet në Teatrin e Tiranës me regjinë e Driada Dervishit.

Shirli Valentina është personazhi që autori britanik Willy Russell e krijoi në vitet ’80, duke e shëtitur në shumë teatro si një “One woman show”. E njëjta formë vjen edhe këtu, si një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme.

Ajo është një 42-vjeçare që ka rritur dy fëmijë dhe e ka lënë jetën e saj ta rrëmbejë rutina. Ndërsa tashmë e ka kuptuar që duhet t’i rikthehet edhe njëherë kohës kur ishte një çupëlinë e mbushur plot me ëndrra për të ardhmen. Mes humorit të zgjuar apo të hidhur kjo grua pëlqen të qëndrojë në kuzhinë e të bëjë monolog me murin.

“Kisha nevojë për një personazh të tillë. Një sfidë shumë e madhe sigurisht. por më ka plotësuar shumë bukur. Më duket sikur jemi marrë vesh shumë mirë me njëra-tjetrën. Vjen një moshë, njëfarë pjekurie, që çdo aktore ka nevojë për mundësi të mira”, thotë aktorja Olta Daku.

Ndërsa për regjisoren Driada Dervishi te Shirli, të gjitha femrat, por në fakt edhe meshkujt, të gjithë gjejnë veten. “Të gjitha femrat në një farë mënyre duhet të arrijnë në një pikë për t’u rikujtuar, që në fakt ne ishim ato vajzat e reja dikur. Pastaj krijuam një familje për të mos humbur pikërisht gëzimin e të jetuarit”. Në këto vite Teatri i Durrësit dhe ai Korçës, i rikonstruktuar janë kthyer në pika referencë, por të vetmet brenda vendit ku lëviz skena, teatri duke arritur për herë të parë që pas ’90-ës të kenë të njëjtin intensitet repertori dhe pritjeje sa edhe ai i Tiranës.

Në këtë rast, si Olta dhe Driada mendojnë se me Shirlin mund të bëhen bashkë gratë, por mbetet një ftesë për burrat. “Tingëllon si një personazh i shkruar nga një autor shqiptar, për këtë dua të nënvizoj se përveç aktores Olta Dakut asnjë nuk do të kishte këtë lidhje me publikun. Shirli është një 42-vjeçare e cila ka rritur dy fëmijë, tashmë ata janë rritur dhe secili ka drejtimin e vet. Ajo gjendet në një pikëpyetje të madhe pasi ka mbaruar detyrimet e saj”, -tha regjisorja dje në konferencë për shtyp, duke dalë nga zhargoni i përballjes me median, shndërruar në një diskutim për shfaqjen. Një grua që përballet çdo ditë me muret e kuzhinës dhe trishtimi që e ndjek sapo hap perden. Olta Daku tashmë ka publikun e saj, me ironinë dhe lirinë për të bërë teatër, atë të kohës së saj.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Donald Lu foli politikisht, as juridikisht dhe as diplomatikisht

Nga Ervis Iljazaj Siç ndodh zakonisht në situata të tensionuara politike, nga...
Read More