Shiu përgjak rrugët, 3 viktima dhe 14 të plagosur

Për shkak të motit të keq, nëpër rrugët e vendit pati probleme me qarkullimin. 5 aksidente në Rrogozhinë, Elbasan, Librazhd, Përrenjas e Qafë-Thanë patën një bilanc të rëndë në njerëz

Ka mjaftuar vetëm një orë shi që rrugët e vendit të përgjaken nga një numër i lartë aksidentesh rrugore. Në 5 aksidente të shënuara në akset rrugore në Rrogozhinë, Elbasan, Librazhd, Përrenjas e Qafë-Thanë humbën jetën 3 persona dhe mbetën të lënduar mbi 14 të tjerë, mes të cilëve dhe një vajzë 12 vjeçe e cila është në gjendje kritike për jetën. Shkaku kryesor i aksidenteve dyshohet të jenë rrëshqitjet për shkak të lagështirës në rrugë dhe humbja e kontrollit të drejtuesve të automjetit.

Rrogozhinë e Qafë-Thanë, 2 viktima

Në mesditë nga një aksident i rëndë në rrethrrotullimin e Rrogozhinës humbi jetën një 25-vjeçar. Viktima M.Zh, 25 vjeç, u përplas nga një tjetër mjet teksa po drejtonte një ‘Fiat’ ndërsa ka ndërruar jetë në vend, pasi aksidenti ka qenë fatal. Ndërsa në Qafë-Thanë një makinë ka dalë nga rruga dhe për pasojë drejtuesi i saj nga Maqedonia ka humbur jetën. Makina me targa OH 0688 AB ku po udhëtonin 5 persona po ngjiste Qafë-Thanën, ndërsa ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Urakë duke rënë disa metra në humnerë. Fillimisht të plagosurit janë dërguar në spital, por drejtuesi i mjetit nuk ka arritur që të mbijetojë duke humbur jetën, ndërsa katër pasagjerët janë nën kujdesin e mjekëve.

Librazhd e Xibrakë, 10 të plagosur

Tre persona u plagosën nga një aksident i tretë që u regjistrua po dje rreth orës 16:30 në aksin Librazhd-Përrenjas në fshatin Qukës. Nga përplasja e dy fugonëve u plagosën tre pasagjerë, të cilët u dërguan në spital dhe nga të dhënat e fundit mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën, pasi kanë marrë disa plagë të lehta. Aksidenti i regjistruar në aksin Librazhd-Elbasan në vendin e quajtur Xibrakë, ku u përshinë 2 mjete dhe të plagosur mbetën 7 persona. Mjeti tip “Benz” që drejtohej nga D.D, 37 vjeç, banues në Xhafzotaj në Durrës është përplasur me mjetin tip ‘Toyota’ që drejtohej nga B.B, 50 vjeç, banues në Tiranë.

Në gjendje të rëndë nga aksidenti është një 12-vjeçare, që ndodhej në mjetin tip “Toyota”, që drejtohej nga babai i saj, ndërsa 6 të plagosurit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Përveç dy drejtuesve të mjeteve, të plagosur janë S.B, 23 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ishte pasagjere në mjetin tip Benz; J.D, 5 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës (djali i drejtuesit të mjetit tip Toyota); K.D, 12 vjeçe, banuese në Xhafzotaj Durrës (vajza e drejtuesit të mjetit Toyota), e cila ndodhet në gjendje të rëndë për jetën; U.A, 23 vjeç, banues në Durrës, pasagjere në mjetin Toyota. Z.V, 35 vjeçe, banuese në Durrës, pasagjere në mjetin tip Toyota.

Shkodër e Lushnjë, 1 viktimë e 2 të plagosur

Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti rrugor në “Beltojë” në Shkodër. Në aksident janë përfshirë një automjet tip “Volkswagen” me targa të Kosovës “01605 DI” dhe një “Mercedez- Benz” me targë “AA 161 MV”. Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkodrës, për fat të mirë në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në Lushnje, një 76-vjeçar ka humbur jetën në një tjetër aksident të ndodhur atje. Motoçikleta me të cilën ai po udhëtonte u përplas nga rimorkio e një zetori, duke i shkaktuar vdekjen.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Xhafaj takon Hahn: Shqipëria do dalë nga lista e zezë e drogës

Gjatë vizitës në Bruksel, ministri i Brendshëm shqiptar, Fatmir Xhafaj zhvilloi një...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.