“Shkëmbimi i territoreve, Pandora edhe mund të mos e hapë kutinë e vet”

Letërkëmbimi Mapo-Danas

Nga Mustafa Nano

I dashur Zoran,

Këtej nga anët e mia e pritën keq idenë e shkëmbimit të territoreve, por jo sepse kanë bërë të tyren frymën e OJQ-ve serbe që, siç thoshit ju, “mendojnë se do të vijë një kohë kur Kosova do të jetë një parajsë multietnike”. Përkundrazi, e pritën keq, ngaqë Kosovën e quajnë të tyren, e nuk duan që ndokush t’u marrë ndonjë copë, për më tepër veriun e Kosovës, që është shumë i çmuar për t’u këmbyer me ca toka “djerrë” të Medvegjës, Preshevës e Bujanocit (nuk e di nëse ti e di që shqiptarët nuk thonë Bujanovc, por Bujanoc, pa germën “v”; dhe ky është një detaj, të cilit i japin shumë rëndësi; nëse je shqiptar dhe e quan Bujanovc, me “v”, të shohin me dyshim; mua, kur shkova atje, më këshilluan që të bëja kujdes, e ta shmangia këtë gjë, pasi mund të ma interpretonin në mënyrën e tyre).

Dhe kështu, Thaçin e vunë me shpatulla pas murit, dhe e goditën pa mëshirë. E quajtën renegat, i përmendën faktin që po shiste interesat e Kosovës me synimin për të marrë në këmbim mbrojtje e garanci prej Gjykatës Speciale, dhe nënvizuan se “ja, kjo është ajo që ndodh kur negociata kaq të rëndësishme, prej të cilave varet e ardhmja e Kosovës, i lihen në dorë një politikani të korruptuar e të shantazhueshëm”. Në këtë klimë të pafavorshme për të, ai do kishte dashur edhe ta blinte me pará pak mbështetje. Por në këtë moment të parë ka qenë e pamundur. Edhe një përfaqësues i shqiptarëve të Preshevës u dëgjua të thoshte: “Asgjë nuk do doja më shumë se bashkimin me Kosovën, por jo me këtë çmim”. Dhe kjo ndërhyrje nga Presheva, afërmendsh, vlente më shumë se të tjerat, sepse dilte nga goja e dikujt që po vinte interesin kombëtar mbi ëndrrën e madhe të jetës së vet.

Për sa i takon qeverisë së Tiranës, qëndrimi i së cilës pritej me padurim, ajo nuk u shpreh menjëherë, duke bërë të tjerët të mendonin se ishte pjesë e kësaj loje. Në këto rrethana, ministri Bushati bëri një deklaratë të vonuar, si me pahir, me anë të së cilës doli kundër idesë së korrigjimit të kufijve. Tonet e deklaratës së Bushatit ishin aq të kontrolluara, megjithatë, sa të bëhej që deklarata vetë vlente më pak për të shprehur një qëndrim e më shumë për të përgënjeshtruar legjendën urbane që thotë se marrëveshja mbi korrigjimin e kufijve nuk është një dashuriçkë dyshe, por është një ménage á trois mes Vuçiçit, Ramës e Thaçit.

Por le t’i lëmë mënjanë teoritë e konspiracionit, e le të përqendrohemi te gjërat që duken se janë ashtu si duken. Hashim Thaçi është duke bërë një betejë, që me siguri i duket më e vështirë sesa betejat që ka bërë gjatë luftës (ka bërë ai ndonjë betejë gjatë luftës?). Mënyra se si e prezantoi tezën e vet në publik dha përshtypjen se ishte duke fshehur diçka. Po përcillte idenë se “do bëhet një korrigjim kufijsh”, dhe kaq. Por u tremb aq shumë nga reagimet, sa doli dhe bëri një shpjegim absurd: “Me ndryshim kufijsh kam parasysh që Serbisë do t’i marrim edhe Medvegjën, Preshevën e Bujanocin (gjithnjë, pa atë “v”-në hileqare)”. Nuk doli asnjë budalla që ta besonte. Më pas u mor vesh se si ishte puna, sidoqoftë. Thaçi e Vuçiçi kishin rënë dakord të bënin shkëmbim territoresh. Dhe kjo prapë, siç thashë, u prit keq në Kosovë. Mua personalisht më ka kapur pak në befasi ky qëndrim i shqiptarëve të Kosovës. Dhe po shpjegohem pse.

Kjo ide thaço-vuçiç-iane është një zgjidhje e problemit me logjikë të pastër nacionaliste, me një logjikë që ngrihet jo mbi ndonjë shpirt bashkëpunimi e mirëkuptimi, por mbi dëshirën për t’u ndarë njëherë e mirë në mënyrë që të kemi të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak, me njëri-tjetrin. Duke e ditur këtë gjë, duke e ditur gjithashtu se, në psikën e shqiptarëve të Kosovës, serbët janë armiku për jetë a vdekje, duke e ditur se ëndrra e tyre është Shqipëria e Madhe (apo më e Madhe), kisha menduar se ata, në rastin më të keq, do të viheshin në mendime prej këtij propozimi, nuk do ta quanin një zgjidhje për t’u hedhur poshtë pa një, pa dy, kisha menduar se do të gjenin arsye t’i gëzoheshin këtij pazari, do të mendonin se me një gur do të vrisnin disa zogj njëherësh, gjë e rrallë në lojën gjeopolitike të botës: edhe largonin njëherë e mirë serbët nga Kosova, edhe gjenin një zgjidhje të papritur e të lumtur për shqiptarët që sot për sot janë në Serbi, edhe Kosovën e kopsitnin njëherë e mirë si një shtet monoetnik, edhe siguronin statusin e një shteti normal, të njohur nga OKB-ja, edhe siguronin njohjen e Beogradit, e kështu mes shqiptarëve e serbëve nuk do të kishte më ndonjë casus belli, edhe i hapnin rrugën bashkimit me Shqipërinë. Për të mos folur për avantazhe të tjera që do të vinin në kuadrin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian.

Por shqiptarët janë të bindur se janë në kushtet, kur nuk u duhet të falin asgjë për të marrë diçka. Sepse ata janë me idenë se kanë me vete komunitetin ndërkombëtar, e mbi të gjitha Amerikën. Në fakt, ishin me idenë. Nuk duket se janë më. Ose le të themi që nuk janë 100% të sigurt. Kjo që po ndodh ua ka tronditur pak besimin. Në Tiranë e në Prishtinë kanë filluar të mendojnë se një gjë e çuditshme duhet të ketë ndodhur në arenën ndërkombëtare që po ia ndryshon drejtimin diskutimit mbi çështjen e Kosovës. Deri para ca kohësh, të gjithë faktorët ndërkombëtarë kanë qenë të mendimit se diskutimi i kufijve ishte një tabú, se zgjidhja e sheshimi i problemeve mes Serbisë e Kosovës nëpërmjet shkëmbimit të territoreve ishte jo realiste, prandaj e papranueshme.

Mirëpo diplomacitë e huaja, të lodhura me sherrin e pasosshëm mes serbëve e shqiptarëve në Kosovë (për Kosovën), nuk është se janë tronditur prej propozimit Thaçi-Vuçiç. Gjermanët kanë shprehur mospajtimin e tyre (pa ndonjë alarm, duhet thënë), por opinioni i tyre është baraspeshuar prej Johannes Hahn-it, Federica Mogherini-t dhe disa eurokratëve të tjerë. Në BE po piqet mendimi se shkëmbimi i territoreve është një zgjidhje që nuk ka të sharë. Nga ana tjetër, ka shenja se administrata e Trumpit, që është më moskokëçarëse se administratat e mëparshme lidhur me Kosovën, ka për t’i dhënë ok-in një zgjidhjeje të pranuar prej Europës. Dhe shqiptarët janë duke e besuar më në fund këtë kthesë të fuqive të mëdha, “ndryshe, një politikani si Thaçi që është në momentet më të dobëta të karrierës së vet nuk do t’i shkonte mendja ta hidhte një hap të tillë të guximshëm, që me gjasë do t’ia dobësonte edhe më shumë pozitat politike”. Dhe prej këtu, hidhen në përfundimin se kjo nuk është një lojë e Thaçit. As e Vuçiçit. Ky është një plan i mëdhenjve.

Dhe kjo ide, që po bëhet fikse, e ka shfajësuar Thaçin shpejt e shpejt. Kundërshtarët e tij në Kosovë kanë rënë disi në qetësi në këtë moment. Nuk po e quajnë më tradhtar. Ndërsa mbështetësit e tezës së tij janë bërë të gjallë në publik. Një koleg i yni, Baton Haxhiu, e shihte korrigjimin e kufijve si një formulë që bën të mundur pajtimin e palëve, që afron fundin e armiqësisë (“fundin e historisë”, e ironizonte dikush në stilin e Francis Fukuyama-s). “Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi historike për Kosovën për hir të gjeneratave të ardhme të shqiptarëve, për hir të gjeneratave të ardhme të serbëve”, shkruante ai, duke manifestuar një frymë jo fort të zakontë për një autor të Prishtinës.

Një tjetër, mendimi i të cilit në opinionin publik shqiptar peshon më tepër, ishte edhe më i qartë. Është fjala për Rexhep Qosjen, akademik, që në Prishtinë, për arsye që unë nuk i kam të qarta, e çmojnë më pak sesa në Tiranë. Edhe ky, të kuptohemi, i ngre arsyetimet e veta mbi premisën se serbë e shqiptarë nuk mund të bashkëjetojnë, se, të paktën në këtë moment të historisë, është e kotë të shpresosh për një pajtim e mirëkuptim mes tyre. Dhe me këtë logjikë, ai është vënë hapur në mbështetje të planit të Thaçit. Një shkrim të tijin të publikuar në pikun e debatit të provokuar nga plani “Thaçi”, ai e mbyllte me këto fjalë: “Ata që janë kundër shkëmbimit të territoreve, me apo pa dashje po ia dhurojnë Serbisë edhe njërën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës nëpërmjet autonomisë substanciale”.

E di, Zoran? Unë kam bërë andej nga fillimi i vitit 2017 një shkrim, në të cilin mbroja si zgjidhje shkëmbimin e territoreve. I ftoja shqiptarët e Kosovës ta pranonin si një zgjidhje nga halli, nëse do të vinte puna që dikush ta hidhte si propozim. E konsideroja këtë një ide të vlefshme në rrethanat që serbët e shqiptarët nuk duan të jetojnë bashkë, dhe uroja që të bëhej realitet me kushtin që fuqitë e mëdha të merrnin përsipër të mos lejonin të hapej kutia e Pandorës (sa shumë është përdorur kjo shprehje këto ditë; duket sikur grekët e lashtë, kur e kanë shpikur, kanë përfytyruar brenda kutisë jo sëmundje, vdekje, vese, shpirtra të këqij, ligësira të llojllojshme, por punët e ngatërruara të Ballkanit tre mijë vjet më pas).

Përgjithësisht, unë nuk e kam talentin për të anticipuar kohët. Nuk ia them për parashikime. Dhe më është mbushur mendja aq shumë që është kështu, sa më duket shpesh herë se ngjarjet që unë parashikoj apo uroj të ndodhin, janë të vetmet që nuk ndodhin. Shpresoj që këtë radhë të mos jetë kështu. Shpresoj që, të paktën një herë të vetme, koha të më japë të drejtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Roli i Presidentit në çështjen e detit është për t’u përshëndetur, nëse nuk kthehet në pengesë

Nga Ervis Iljazaj Çështja e marrëveshjes midis Greqisë dhe Shqipërisë për sa...
Read More