Shkodër: Përplasje biznesmenësh, PD në kërkim të lavdisë së humbur

Në Qarkun e Shkodrës gara bëhet interesante pasi përveç tri forcave kryesore mandate kërkojnë të marrin dhe Tom Doshi dhe Sait Fishta, që kandidojnë respektivisht me PSD dhe PDIU. Edhe tri forcat kryesore kanë përfshirë në lista biznesmenë e njerëz të fortë. Në bazë të rezultatit të 2013-s PD do të merrte 6 mandate, PS 4 dhe LSI 1

Nga Fejzi Braushi

Qarku Shkodër paraqet në këto zgjedhje një garë zgjedhore ku rezultati është më i paparashikueshmi se në çdo zonë tjetër.

Kjo si për sa iu përket realiteteve të reja politike dhe atyre lokale ashtu edhe të kandidatëve me të cilat një sërë subjektesh kanë vendosur të garojnë.

Ndërsa në shumë qarqe të tjera fenomeni i përfaqësimit me biznesmenë dhe njerëz me influenca dhe burime financiare të mëdha është jo i përgjithshëm, në këtë qark të gjitha forcat politike kanë përfshirë njerëz në listat e tyre që jo vetëm kanë një mbështetje të tyren në elektorat por edhe që kanë para për të bërë një fushatë gati të pavarur nga partia.

Kështu forca të vogla si PSD apo PDIU megjithëse me një mbështetje shumë të vogël elektorale në këtë qark pretendojnë të nxjerrin nga një mandat duke kandiduar emra të njohur lokalë që vijnë nga bota e biznesit.

Përfaqësues të biznesit kanë edhe tri forcat kryesore politike, PD, PS dhe LSI.

Në bazë të rezultatit të 2013-s dhe faktit që e majta shkon në zgjedhje pa një koalicion dhe opozita konkurron nën siglën e PD, rezulton se demokratët mund të merrnin 6 mandate, PS 4 dhe LSI 1.

Ballafaqimi në vota

Votat që kanë marrë subjektet zgjedhore në Shkodër në aktualitetin e sotëm kur PS, LSI, PDIU e disa forca të tjera të majta konkurrojnë më vete dhe kur opozita konkurron nën siglën e PD-së,  do të prodhonin një ndarje mandatesh interesante.

PD ka marrë 55098 vota (janë votat e koalicionit të opozitës duke i zbritur votat e PDIU dhe duke i shtuar votat e PBDNJ-së) dhe në rast se arrin t’i marrë serish ato edhe në këto zgjedhje do të arrijë të marrë 6 mandate deputetësh nga 5 që mori në zgjedhjet e shkuara.

Demokratët në këtë qark duket se e kanë të sigurt këtë mandat pasi do ta humbnin atë vetëm nëse do kishin një rënie me afro 10 mijë vota.

Nga ana tjetër, ata nuk mund të pretendojnë të marrin më shumë në këtë qark pasi mandati i shtatë është shumë larg me vota.

Gjithsesi, duhet theksuar një fakt i rëndësishëm sa i përket PD, pasi ajo në zgjedhjet e shkuara arriti të marrë rezultatin më të dobët historik në Qarkun e Shkodrës.

Në zgjedhjet e 2009 ajo ka arritur të marrë vetëm si subjekt 56 mijë vota, pra më shumë se sa arriti të marrë si koalicion në 2013.

Ndaj ky mund të konsiderohet edhe si kufiri minimal që mund të arrijë PD në këtë qark, pavarësisht faktit se edhe në këto zgjedhje ajo ka një element të rëndësishëm në disfavorin e saj, ish-kryetaren e Kuvendit e cila nuk u përfshi në lista dhe që në këtë zonë gëzon një mbështetje shumë të madhe.

Sesa mos përfshirja e saj në lista dhe mos angazhimi në fushatë do të ndikojë në votën e demokratëve të Shkodrës kjo mbetet për tu parë.

Socialistët si subjekt më vete arrijnë të marrin sërish të njëjtin numër deputetësh, pra 4, pavarësisht se si koalicion në zgjedhjet e shkuara ata morën 6 deputetë, nga të cilët 1 e mori LSI dhe 1 PKD.

Ata e kanë të sigurt mandatin e katërt pasi do ta humbnin vetëm po të kishin një rënie me afro 7 mijë vota.

PS do të mund ta merrte mandatin e 5 në këtë qark nëse do kishte një rritje me afro 8 mijë vota. Natyrisht që veç dy partive kryesore garën në këtë qark e bëjnë dhe partitë e vogla dhe që mund të prishin balancat dhe parashikimet në çdo kohë.

Kështu, forca e tretë që e ka të sigurt një mandat deputeti, është LSI. Ajo ka marrë 12272 dhe me to mund të marrë një mandat të sigurt.

Kjo forcë duhet të ketë një rënie me afro 4 mijë vota që të rrezikojë mandatin e saj, ndërsa që të pretendojë mandatin e dytë në këtë qark do t’i duhen edhe afro 7 mijë vota të tjera më shumë se sa ka marrë në 2013.

Dy forcat e tjera që pretendojnë të marrin mandat në këtë qark, jo për shkak të votave që kanë si subjekte por për shkak të kandidatëve me të cilët konkurrojnë janë PDIU dhe PSD.

Ballafaqimi i kandidatëve

Partia Socialiste ia besoj drejtimin e listës dhe të fushatës zgjedhore në Shkodër, ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Dhe kjo për shkak edhe të origjinës së Bushatit nga Shkodra.

Ai ka qenë edhe drejtues politik i Qarkut Shkodër. I dyti në listën e PS-së është renditur Paulin Sterkaj.

Ai kandidon për një mandat të katërt si deputet dhe vjen gjithashtu si përfaqësues i biznesit, pasi është sipërmarrës në fushën e karburanteve, ndërtimit dhe restoranteve.

Sterkaj ashtu si edhe në të gjitha zgjedhjet e shkuara mbulon fushatën në zonën e Malësisë së Madhe. Në vend të tretë në listë PS ka përfshirë një prurje të re të sajën, Senida Mesi.

Edhe ajo vjen nga fusha e biznesit dhe ka një eksperiencë të gjatë në fushën bankare.

I katërti në listën e PS-së për këtë qark është renditur Luan Harusha.

Një figurë e njohur e socialistëve për shkak se ka drejtuar për disa vite ish-komunën Rethina.

Ai ka qenë një nga mbështetësit e Tom Doshit dhe tashmë me largimin e tij nga PS i është lënë të mbulojë fushatën në zonën e fshatrave të Shkodrës në pjesën jugperëndimore.

Partia Socialiste duke pretenduar që të marrë mandatin e pestë në këtë zonë ka përfshirë të pestin në listën e saj një emër jo shumë të njohur për publikun, por të njohur për socialistët e Qarkut të Shkodrës dhe sidomos atij të Pukës, ku dhe ka qenë drejtues politik i PS-së.

Luli gjithashtu vjen nga fusha e biznesit dhe në CV-në e tij bën të ditur se është drejtor bordi i një kompanie të transportit publik në Gjermani, si dhe zotëron një kompani që vepron në fushën e transportit dhe të ndërtimit në Shqipëri.

I vetëdijshëm për  influencën e Topallit në Shkodër, Basha duket se është përpjekur që ta neutralizojë efektin e saj negative duke e zëvendësuar rolin e saj dhe familjes së saj me një tjetër përfaqësues të një familje po ashtu të madhe.

Basha ia besojë drejtimin e listës, Romeo Gurakuqit. Ai vjen nga bota akademike dhe për shumë vite ka qenë lektor dhe drejtues i shkollës doktorale në UET.

E dyta në listën e Shkodrës, PD ka vendosur një tjetër emër të panjohur publik, Izmira Ulqinakun.

Të vetmet të dhëna për 26-vjeçaren që do përfaqësojë me siguri Shkodrën në parlamentin e ardhshëm është se ka qenë asistent-arkitekte.

I treti në listën e PD-së është renditur Lorenc Luka. Ai ka drejtuar për 8 vite Bashkinë e Shkodrës dhe është një njohës i mirë i koniunkturave lokale dhe gëzon një influencë në rrethet e demokratëve shkodranë.

Ai ka qenë një “investim” i ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe vendosja e tij në listë mund të shihet edhe si për përpjekje për të amortizuar votën e munguar të mbështetësve të Topallit.

I katërti në listë, PD ka vendosur Bardh Spahian, një nga bashkëpunëtorët e kryedemokratit Basha. Ai është djali i Ali Spahisë, një prej themeluesve të PD-së dhe me një influencë në PD-në e Shkodrës.

Në vend të pestë në listën e PD-së është përfshirë kreu i PDK-së, Nard Ndoka.

Ai kandidon në një zonë të sigurt, ndërsa PDK në zgjedhjet e shkuara mori 1200 vota.

Mbështetjen më të madhe ai e gëzon në zonën e Vaut të Dejës. I gjashti në listën e PD-së është renditur Gjok Uldedaj, ish-deputet i Partisë Demokratike. Ai vjen si përfaqësues i biznesit dhe zotëron aktivitet në fushën e karburanteve.

Uldedajt i është besuar në këto zgjedhje fushata në zonë e Vaut të Dejës dhe njësitë e tjera administrative që përfshin kjo bashki.

Lëvizja Socialiste për Integrim konkurron sërish me një listë që kryesohet nga deputeti aktual Agron Çela.

Një emër i njohur për Shkodrën pasi më parë ka qenë president i klubit të futbollit “Vllaznia” si dhe president nderi i Federatës së Mundjes.

Gara në Shkodër bëhet interesante pasi edhe subjektet e tjera të vogla kanë zgjedhur që në këtë qark të përfaqësohen me biznesmen të fuqishëm.

Kështu, PDIU as në këtë qark nuk ka bërë përjashtim, pasi ka gjetur një nga biznesmenët e fuqishëm të Shkodrës për të kryesuar listën e saj.

Ajo kandidon në krye të listës, Sait Fishtën, një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit dhe të resorteve turistike që ushtron aktivitet që nga viti 1991.

Ai ka qenë kryetar i Komunës së Velipojës dhe në zgjedhjet e fundit kandidoi për deputet i Partisë Socialiste.

Një tjetër faktor i rëndësishëm dhe që pretendon të dalë sërish deputet në këtë qark është deputeti ish-socialist, Tom Doshi.

Ai është një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend në fushën e tregtimit të barnave dhe kandidon nën siglën e Partisë Social Demokrate.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rama kërkon 71 mandate, ku qëndron problem këtu?!

Nga Ervis Iljazaj Edi Rama fushatën e tij zgjedhore më shumë e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.