Shkolla Pranverore e Lidershipit, liderët e rinj në fshatin global

shkolla1Instituti Europian Pashko, në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, organizoi “Shkollën Pranverore të Lidershipit”. 50 të rinj, studentë të ekselencës nga universitetet shtetërore dhe private por edhe maturantë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, për tri ditë ndoqën leksione nga pedagogë, figura politike dhe publike

Instituti Europian Pashko, si pjesë e grupit të Iniciativës Europiane për Edukim, ka qëllim dhe mision të ndikojë në përmirësimin e politikave publike në funksion të ndërtimit të një ekonomie dhe shoqërie më të shëndetshme. Në funksion të këtij impakti social, IEP organizoi këtë fundjavë 5-7 Maj, Shkollën Pranverore të Lidershipit.

Liderët e mirë bëhen dhe nuk lindin të tillë. Duhet dëshirë, vullnet për t’u bërë udhëheqës ose Lider efektiv. Liderët e mirë zhvillohen përmes një procesi që nuk mbaron asnjëherë përmes vetëstudimit, arsimit, trajnimit dhe përvojës.  Për këtë arsye 50 të rinj, studentë të ekselencës nga universitetet shtetërore dhe private por edhe maturantë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, për tri ditë ndoqën leksione nga pedagogë, figura politike dhe publike.

Prof. dr. Adrian Civici, President i Universitetit Europian të Tiranës, gjatë bashkëbisedimit të tij me studentët theksoi rolin që duhet të kenë liderët e rinj në një botë të globalizuar, e cila kanoset nga fenomene si populizmi. “E gjithë bota sot po bëhet si një fshat global, sepse janë hequr të gjithë kufijtë fizikë të krijimit të marrëdhënieve, pra sot kemi një botë të homogjenizuar. Në vetvete secili prej jush e lidh formimin e vet me këto profesione, të cilat janë të konsoliduara. Gati 60-70% e të rinjve studentë e krijojnë vet vendin e punës dhe kjo nuk është një zhvillim futurist por është përgjigja e botës globale. Ata që marrin përsipër të bëhen liderë duhet të kenë vizion dhe lider mund të bëheni sot nëse shihni më larg nga vizioni i zakonshëm, më larg nga e përditshmja që iu rrethon”, iu tha studentëve të rinj.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin leksione mbi një tjetër aspekt jetik të lidershipit: komunikimi. Dr. Belina Budini, shefe e departamentit të Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës foli për mënyrën se si mediat e reja përdoren dhe influencojnë liderët e rinj, marrëdhënieve midis politikës dhe mediave, në kontekstin e shkencave sociale shqiptare dhe sidomos të atyre të komunikimit dhe të informimit.

“Lidershipi është aksion, jo pozicion. Momentet e lidershipit spikaten që në fëmijëri, sikurse dëshmon prania e shumë anëtarëve të qeverive studentore sot këtu, por gjithsesi këto aftësi duhet të kultivohen me kalimin e viteve”, u tha studentëve Henri Çili, themelues i Institutit Europian Pashko. Gjatë bashkëbisedimit me studentët z. Çili dhe Enio Civici, drejtori i Informacionit i televizionit SCAN, njohën studentët me atë që është raporti midis gazetarëve dhe liderët politikë. Për lidershipin politik foli Spartak Ngjela, avokat dhe politikan shqiptar. Duke cituar presidentin Amerikan Nixon, Ngjela tha: “Në politikë ka dy lloj njerëzish, burri dhe fëmija. Dallimi midis burrit dhe fëmijës në politikë është se i pari hyn për të marrë diçka ndërsa i dyti për të bërë diçka”. Sipas Ngjelës liderët e rinj duhet të kenë një raport të drejtë midis pushtetit dhe qëllimeve. “Sot vendimtare në procesin e lidershipit janë idetë, dikur ka qenë forca, por sot janë idetë”, -tha Ngjela. Sipas analizës së politikanit të mirënjohur, në Shqipëri, ky raport midis forcës dhe ideve ka qenë në favor të së parës: “Se çfarë do të bëjë brezi juaj varet nga sa të aftë do të jeni për të zgjidhur idetë ndaj pushtetit”. Gjatë debatit me studentët, Ngjela i njohu të rinjtë me figurën e Gramoz Pashkos, ekonomisti dhe politikani shqiptar që frymëzon vlerat mbi të cilat bazohet IEP.

Ishin të ftuar gjithashtu pesë pedagogë, secili me një background të ndryshëm që kanë  pasqyruar mbi këta studentë gjatë gjithë kohës,  njohuri e dije nga bota akademike. Dr. Elvin Gjevori, drejtor për kërkimin shkencor pranë Universitetit Europian të Tiranës, zgjodhi t’iu dhuronte një frymë motivuese, zgjodhi t’u tregonte me terma pranë realitetit të tyre të përditshëm, se si të jenë zotër të vetes dhe liderë të suksesshëm se si “të jenë shigjeta dhe jo shënjestra”.

“Çfarë është lidershipi? Lidershipi  nuk mbështetet as në tradita, as te dhënia e arsyeve apo e argumenteve për të justifikuar veprimin apo vendimin. Lidershipi është ajo influencë e cila përgjithësohet përmes imitimit. Nëse lideri nuk imitohet, qoftë edhe në detajet e vogla nuk është lider”, shtoi dr. Klementin Mile, pedagog i UET. Listës së lektorëve iu shtuan dy profesorë që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në universitetin francez Lille 1, prof. dr. Enika Abazi dhe prof. dr. Albert Doja.

Temat e mbajtura nga pedagogët nxitën diskutim. Studentët dhanë argumentet e tyre, ndanë idetë, eksperiencat, kërkuan dhe dhanë këshilla duke e transformuar këtë aktivitet në një nismë shumë frytdhënëse për të gjithë të pranishmit në sallë, sidomos për nxitjen, edukimin dhe zhvillimin e talenteve që Instituti Europian Pashko ka në fokusin e tij. Të rinjtë kanë ambicie dhe dëshirë për të qenë liderë në komunitetin ku bëjnë pjesë!

Shkruar Nga
More from revista mapo

Reformë euro-amerikane, amnisti për kryeministrat dhe zgjedhje të reja brenda 45 ditësh

Nga Henri Çili “Rerum cognoscere causas”  (të njohim shkakun e gjërave). Shprehja...
Read More