Shkrimtari i braktisur, Ismail Kadare: Një prill me Fredin!

frederik-rreshpja_poeti-shkodranPostmortum: Për herë të parë krijimtaria poetike 40 vjeçare e Frederik Rreshpjes në përmbledhjen “Duke kërkuar Itakën”. Poezi 1960-2006, të shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Ismail Kadare në një raport të diktaturës me shkrimtarin e braktisur; në këtë libër përfshihet dhe vëzhgimi i parë politik i poetit “Marrëzia e Itakës”, botuar 1992, në gazetën “Ora”, Shkodër, me kryeredaktor Rreshpjen

Kadare: Të jesh i braktisur në letërsi, e ta dish këtë, dyfish fatkeqësi

Për Frederik Rreshpjen, një nga poetët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX, gjithçka ka qenë e vonuar. E tillë, e vonuar, ka qenë hyrja dhe njohja e tij në letrat shqipe, pastaj rikthimi, më saktë njohja e dytë, pas fatkeqësisë komuniste, që ka qenë në radhë të parë fatkeqësia e tij. E kështu me radhë: vlerësimi i tij, që vazhdon të jetë i munguar, e bashkë me të vetë ky botim, e pa dyshim, kjo përsiatje, që mund të merret për përshpirtje.

Të jesh i braktisur në letërsi është, pa dyshim, një fatkeqësi.

Por ta dish këtë, të jesh i ndërgjegjshëm për të, është dyfish e tillë. “Më duhet të pranoj se unë kam qenë gjithmonë i braktisur”, ka pohuar ai vetë në vitin 1998. Dhe më pas: “Kam kaluar nga një braktisje te tjetra”.

Në raste të tilla, mendimi i parë që vjen lidhet me ndjesinë e fajit. Faji i shoqërisë, i vetë kohës, i një pjese të saj. Më pas, thellimi i mendimit të çon te përfundimi i hidhur se fajin , në të vërtetë, shoqëria, koha, letrat, ia kanë bërë vetes.

Koha ka qenë e pamëshirshme me Frederik Rreshpjen. Pasi ia mbylli herën e parë portat e saj, e sprapsi për herë të dytë, atëherë kur nuk pritej. Në poezinë e tij, ai kthehet e i rikthehet disa herë kohës. Jo për ta marrë me të mirë, as për t’iu hakërryer: ç’ke që më spraps, por thjesht për t’i kujtuar një gjendje: raportin e tij me të. Ngjan e natyrshme për të që stinës së dimrit t’i drejtohet me fjalët:
O dimri i drerëve me brirët në erë.

Po orët e harmonisë nuk janë të shpeshta. Edhe kur e dëshiron atë, ka gjithmonë një pengesë midis: Dua të bëhem shtator/Të shpërndaj vjeshtën mbi pyje,/Por dëbora…

Është Debora që në këtë rast nuk e lë. Dhe në s’do të ishte dëbora, diçka tjetër do ta pengonte mirëkuptimin. Dhe poeti përpara pengesës do ta pranonte humbjen. Pa u brengosur fort se do ta quanin pesimist ose të thyer, ai do të shpallte se fati i kishte ruajtur shumë zymtësi dhe akull, thënë shkurt: në jetën e tij kishte pasur shumë dhjetor. Nuk ishte hera e parë që koha e ashpër shqiptare ua mbyllte portat e saj poetëve. Por, për të qenë të drejtë, duhej thënë se mbylljet qëllonte që ishin të përkohshme.

Merrej me mend që çastet e rikthimit do të duhej të ishin të tilla që poetët t’i përballonin sa më lehtë. Në rastin e Rreshpjes, poetit që kishte vuajtur aq shumë nga braktisja dhe klima e ftohtë, do të ishte e domosdoshme që rikthimi të bëhej sa më i kujdesshëm. Në këtë rast, ky kërkim për klimën e përshtatshme do të mund të përcaktohej si kërkim i stinës së butë, ta zëmë, i muajit prill…

Nisur nga kjo, i gjithë aksioni do të mund të quhej…Një prill për Fredin.

2.

Diku nga fundi i vitit 1972 kam pirë kafen e fundit me Frederik Rreshpjen. Ka ndodhur në “Kafe Tirana”, një lokal i njohur në atë kohë, ku mblidheshin zakonisht intelektualët e kryeqytetit. Përveç ne të dyve, në tryezë ishte Todi Lubonja, me të cilin doja ta njihja Rreshpjen, siç kisha bërë me shkrimtarë të tjerë të rinj, që ai, si drejtor liberal i TV-shqiptar, kishte mundësi t’i ndihmonte.

Frederiku ishte në atë kohë poet i njohur jo pak, një yll në ngjitje, siç thuhej, por pikërisht si i tillë, ngaqë shquhej për shkujdesje, e sidomos për talent të veçantë, ngjante veçanërisht i rrezikuar. Për “Kafe Tiranën”, ndër thëniet që qarkullonin, përmendej ajo e një të çmenduri, i cili ngulte këmbë se gjysma e klientëve të saj kishin qenë në burg, kurse gjysma tjetër do të përfundonin atje.

Më pas, kur për një befasim të keq, Todi Lubonja, mentori i mundshëm i poetit, ra në burg, e pas tij vetë poeti, kjo thënie do të kujtohej shpesh. Ishin të dy të burgosur politikë, me të vetmin ndryshim se, ndërsa burgimi i të parit do të ishte i pandërprerë, siç ishin zakonisht dënimet për “cenimin e vijës së partisë”, Frederiku do të kryente dy-tri burgime radhas.

Si shumëçka tjetër, dënimi i poetëve do të ishte i një stili që të kujtonte teatrin absurd. Ngaqë tiranisë shqiptare nuk i pëlqente t’i dilte nami se fuste në burg poetët për arsye të poezisë, ajo përpiqej të gjente të tjera vjega. Loja e bixhozit, shthurja morale, homoseksualiteti, e gjer te akuza për djegie mullarësh të kooperativës, ishin disa nga shkaqet e parapëlqyera.

Dihej se sa e shpejtë dhe e pandalshme ishte në Shqipëri teposhta e një ylli në rënie. Vjershat dhe poemat e tij të bukura u zhdukën nga libraritë dhe nga bibliotekat. Ai vetë, natyrë e vetmuar dhe e pikëllueshme, u bë shumëfish i tillë. Përpara se njerëzit t’i largoheshin, ishte ai vetë që iu shmangej, për të mos iu shkaktuar ndërlikime, siç e ka pohuar vetë në shënimet e tij. Por kjo nuk e pengonte që të vuante më pak. Dhe këtë më mirë se gjithçka e tregonin vargjet e tij. Gjithçka shkretohej në jetën e tij, venitej, vyshkej, vetëm poezitë i bëheshin më të bukura. Kjo dëshmonte se një harmoni e re po skajohej në këtë gjendje të re.

I vrarë nga një pranverë e kotë

Braktisur nga bota e tërë.

Vërtitej kështu në stinët që ishin të huaja për të, për herë e më i vetmuar dhe, pa e ditur as vetë, më kërcënues.

Shumë njerëz do të donin të mos e ndeshnin në rrugë. Hetuesit e tij në radhë të parë, gardianët e burgut, dëshmitarët e rremë, pa dyshim, por më tepër se këta, letrarët që kishin brohoritur arrestimin e tij. Në çdo socializëm do të kishte të tillë, por në Shqipëri ata ishin më të shpeshtë se kudo. Ai ishte mësuar me këtë, ashtu siç e dinte se gjithë ky fat i mbrapshtë i vinte nga letërsia. Dhe siç ndodhte shpesh me njerëzit, që, nga dashuria e tepërt kalonin në mohimin e saj, i pëlqente të ngacmohej pikërisht për letërsinë. Në shënimet e fazës së fundit të jetës gjendeshin fraza të tilla si “unë hyj ndër ata shqiptarë që nuk kanë lexuar asnjë rresht të botuar nga F. Rreshpja”.

E dinte që jo vetëm nuk ishte ashtu, por ishte e kundërta. Letërsia kishte qenë në të vërtetë fati i tij, por me të dy anët e veta: i mirë dhe i keq. Dhe kjo ia bënte të natyrshme perifrazimin e thënies së Jezuit, se secilës ditë i mjaftonte pikëllimi i vet. “Çdo ditë ka dhjetorin e vet dhe kjo i mjafton”, do të shkruante pak përpara fikjes së tij.

3.

Dihej se mrekullitë, qofshin në jetë, qofshin në art ndodhnin tepër rrallë. Veçse ato ishin të ndryshme në të dyja rastet. Mrekullia e rënies së komunizmit e gjeti Frederik Rreshpjen në një moshë jo të re. Megjithatë, në pak kohë, ai arriti të ndryshonte aq rrënjësisht, sa nuk njihej më. Një bashkëkohës i tij, E. Kushi, e jep kështu portretin e tij: “Viti 1993. I veshur bukur, me kostum të shtrenjtë, kapelë republikë, këpucë të modës së fundit, Frederik Rreshpja del nga zyra e tij e punës, qëndron pak çaste në hyrje apo në sallon dhe me ton autoritar u jep porosi punonjësve të vet. Pastaj një djalë i ri, roja i shoqërisë “Europa”, vrapon për të hapur portën e madhe të shtëpisë kryeqytetase. Një tjetër nxiton me çantën e madhe të parave (është truproja e Fredit) dhe pret para makinë shefin e tij, ndërsa shoferi rri me qëndrim gatitu dhe pret që shef Fredi të thotë fjalën ‘shkojmë’ ”.

Dëshmi të tjera japin pak a shumë të njëjtën pamje, ndonëse me imtësi të tjera, si për shembull, një çantë me dosje kontratash, nisje për aeroport, ose truprojat, të cilët përveç që janë dy, këtë herë janë kinezë! Kushdo që ta shihte nuk do ta përmbante dot klithmën e habisë: ç’ka ndodhur me ty, Fred Rreshpja?

Dhe përgjigjja e parë, prej cilitdo qoftë, do të ishte poeti, dikur i braktisur, ishte shndërruar tashmë në biznesmen, ose më thjesht, në një njeri të kohës.

Nënte vjet më pas, dhe pikërisht më 13 shkurt 2006, katër ditë përpara vdekjes, miku dhe botuesi i tij, M. Gjana, do ta takonte për herë të fundit në shkallët e hyrjes së Lidhjes së Shkrimtarëve, në Rrugën e Kavajës. Në vend të bosit krenar të kohës së re, kishte përpara një njeri të rrëgjuar plotësisht, pamja e mjerë e të cilit e kalonte çdo përfytyrim.

“Nuk shoh…jam verbuar fare, më tha, prandaj më merr për krahu, së rrëzohem…” Nga sytë i rridhnin lot…Në dorë mbante një ampulë që e përdorte rëndom kundër shtrëngimeve në zemër, për të shmangur ndonjë infarkt miokardi…”Kam ndenjur në hotel, por tani s’ kam më para ta paguaj…Si do t’i bëhet hallit tim? Askush nuk më do tanimë. Nëna më ka vdekur, ka kohë…S’kam ku të fle. Nuk më japin as pension, të paktën sa për të shtyrë ca ditë që më kanë mbetur. Më vjen turp të vdes në rrugë të madhe…Jam më keq se në burg…A do vish me mua në Shkodër? Më ço me makinën tënde dhe do të të jap një libër me poezi në dorëshkrim, që kam shkruar kohët e fundit. Merre, bëj ç’të duash me të…Nuk më pranon askush në shtëpi. As hoteli nuk më pranon. Kam tri ditë pa ngrënë…”

Katër ditë më pas, më 17 shkurt 2006, u nda nga jeta, në spitalin e Shkodrës, ai që kishte shkruar vargjet:

U plak kali i bardhë i lodhur qëmoti

Tërë vdekje u rrëzua në fushën me shi

Pyetja: Ç’i kishte ndodhur Fred Rreshpjes, do të përsëritej bashkë me të tjerat: përse ishte rrëzuar nga fati, pikërisht atëherë kur dukej se fati po i buzëqeshte? Si dhe ku ishte vendosur ky rrëzim? Dhe kryesorja: në kohën e madhe të botës, si nuk ishte gjetur një kohë për të, krijuesin e kaq brilanteve e, midis tyre, ndoshta më befasuesit varg të poezisë pesëqindvjeçare shqipe:

Tërë vdekje u rrëzua në fushën me shi

Me sa dukej brenga, e vetmja shoqe besnike e tij, kishte qëlluar ashtu siç ishin shpesh kostumet e poezisë, e një lloji të epërm, e tillë që nuk lehtësohej dot, as nga moti i mirë politik e as nga ndërrimi i kushtetutave e i gjithë dokeve të botës. I kushtëzuar nga të tjera ligje, ato të artit, Frederik Rreshpja e kishte përshkruar rrugëtimin e tij në këtë jetë, si të ishte një përjashtim e njëherësh përzierje e pamundur e Jeronim de Radës së arbëreshëve dhe e Toulouse Lautrec-ut të Francës…

*Fragment nga parathënia

frederik_rreshpja_poeti_qe_nukMarrëzia e Itakës së Rreshpjes

Nga Violeta Murati

Ideja për të pasur një botim antologjik, përmbledhje të të gjitha poezive të jetës, krijimtarisë së Frederik Rreshpjes, botuesi i “Princ”, Myftar Gjana thotë se ka rrjedhur nga një bisedë me vetë poetin, sa qe gjallë. Një krijimtari për gati 40 vjeçare e shpërndarë, në pak libra të botuar, nëpër alamanakë, gazeta revista shqiptare e të huaja, poezi që ende ishin në dorëshkrim të pabotuara..etj. Botuesi në shënimin e tij, në krye të librit, ndjen të qartësojë lexuesit se, së bashku me poetin Sokol Zekaj, u është dashur të bëjnë një punë të gjatë, të imët, për të kuptuar se si janë mbartur poezitë, si janë transmetuar nga botimi në botim, a kanë ndryshuar…”. Gjatë renditjes është bërë përpjekje që kalimi nga njëra poezi te tjetra të jetë i natyrshëm dhe harmonik, që do të thotë, poezitë e afërta të kenë një ose më shumë pika lidhjeje mes tyre, si edhe realitet artistik të krahasueshëm..”, pohon Gjana, që si duket na jep nga rastet e rralla, në një përpjekje për t’ju bashkangjitur vullnetit të autorit, në kushte e kritere ndershmërie jo siç ka ndodhur deri më sot, me autorë qoftë të para ’45, ku deformimin më të rëndë e kanë pasur përgjatë diktaturës. Titulli i kësaj përmbledhje “Duke kërkuar Itakën”, botuesi shpjegon se është nxjerrë nga një prej krijimeve të Rreshpjes, Marrëzia e Itakës, një tekst letrar sipas tij, domethënës dhe ndoshta befasues i botuar këtu me pak shkurtime. “Ndonëse shumë pak i njohur, asnjëherë i përfshirë në libra, ky tekst është një çelës për të kuptuar shumë gjëra  në planin estetik, biografik dhe intelektual të poetit”. Libri është një format i vogël, më kopertinë të “sigurt” dhe shumë cilësor, një nxitës estetik që do ta detyrojë lexuesin ta marrë me vete kudo. Në fund libri është I pajisur me shënime dhe komente të ndara në periudha të krijimtarisë nga 1960-1990 dhe poezi 1991-2006 si dhe facsimile origjinale nga dorëshkrime të poezive, dhe shënimeve që ka lënë Rreshpja. Për periudhën e parë, bëhet e ditur, se nga libri “Rapsodi shqiptare”, botohen poezitë më të mira, duke shmangur ato që janë shkruar për të përmbushur kërkesat e pushtetit totalitar, si kusht për botimin e librit, e ardhur e gjitha në dialektin gegë, kohë kur ende s’ishte vendosur njësimi i shqipes së shkruar. Për periudhën e pas ’90-ës, sillen të gjitha poezitë në këtë përmbledhje, ku vijnë poezitë post komuniste disa prej të cilave botuar së pari në gazetën “Ora” në Shkodër më 1992, pranë së cilës vetë poeti ka qenë kryeredaktor. Në shënimet mbi Lirika të zgjedhura, sqarohet se poezitë e kësaj periudhe priren më shumë kah natyra e baladave. Rreshpja vlerësohet si mjeshtër në dhënien e këtyre situatave ku një numër poezish botohen në variante të ndryshme. Informacionet që jep vetë poeti mbi metodën e tij të punës, nuk sqarojnë shumë, por është shprehur se punon rregullisht dhe i ripunon poezitë. Në ciklin Poezi të tjera, janë poezi që nuk janë përfshirë në vëllimet poetike të autorit, por janë botuar në revista ose në suplemente letrare të shtypit. Ndërsa, në këtë botim jepet sqarim me vete për esenë “Marrëzia e Itakës”, një pjesë e së cilës ribotohet me shkurtime. Për herë të parë doli në vitin 1992 në gazetën “Ora”, dhe prej asaj kohe nuk është botuar më. Kjo ese, emërtim i vetë poetit, përmban vëzhgime politike. Në libër jepet shënimi se nga eseja janë hequr disa pjesë, pra ato politike, duke iu përmbajtur tekstit letrar duke e konsideruar si një plotësim i shkëlqyer i veprës së poetit. Në fund të botimit shënohet data: prill 1992. Sqarohet se nga nënshtresat kuptimore të leximit, mund të supozohet se ka filluar të shkruhet më së paku, disa muaj më parë në trajtë fragmentesh dhe më pas është ndërtuar duke krijuar një tërësi koherente estetike. “Më pas Rreshpja do ta humbë aftësinë, a ndoshta interesin dhe joshjen, për të ndërtuar poema të mëdha dhe komplekse”, thuhet në shënimet e paslibrit. Po ashtu, thuhet se në botimin e vitit 1992 te gazeta Ora, nuk janë pjesë të esesë poezitë Vinjetë dhe Diku, kudo, por poeti shkruan për to, informon dhe thotë se do t’i botojë së shpejti. Përgatitësi i këtyre shënimeve, Sokol Zekaj thotë se këto u botuan në vijim, në një numër tjetër të gazetës, duke kuptuar se ato organikisht bëjnë pjesë këtu, me natyrshmërinë për t’i përfshirë brenda kësaj vepre letrare.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Historia e njenës nga ato

Nga Mirela Milori* Dhuna është kthyer në një bashkudhëtare të jetës së...
Read More