Shkrimtari Musa Ramadani shpallet fitues i “Çmimit Kadare”

Shkrimtari nga Kosova, Musa Ramadani është fituesi i edicionit të tretë të “Çmimit Kadare” me romanin e tij “Profeti nga Praga”.

Çmimi “Kadare”, i kthyer tashmë në traditë në letërsinë shqipe, u akordua gjatë Ditëve Letrare të Razmës.

Ky çmim u shpall nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand  me motivacionin: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

“Çmimi Kadare” 2017 u akordua nga Instituti Europian Pashko me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës.

Në listën finale të jurisë ishin 6 autorë me veprat e tyre, nga 36 dorëshkrime nga autorë të ndryshëm nga të gjitha trevat shqipfolëse, që janë dorëzuar gjatë muajve të aplikimit për këtë çmim.

Juria prej pesë anëtarsh, e drejtuar nga shkrimtari dhe përkthyesi Bashkim Shehu, u mblodh për herë të fundit gjatë Konferencës Shkencore “Kujtesa dhe Letërsia”, e cila u organizua nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun të Universitetit Europian të Tiranës.

Vlera e këtij çmimi, që përfitoi shkrimtari Musa Ramadani, është 10 mijë euro si edhe botimi i librit nga Botimet Mapo.

Kush është Musa Ramadani:

Musa Ramadani (1944-) u lind në Gjilan të Kosovës. Si fëmijë, bashkë me familjen, nga pushteti i atëhershëm, u deportua në Prizren, ku ka përfunduar një pjesë të shkollimit fillore, për ta vazhduar më pas në Gjilan.

Ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës shqipe në Prizren.

Nga viti 1965 ka qenë gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”.

Shkrimet e para i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i Rinisë”.

Çmimi i parë për poezi dhe ai i dyti për prozë, në konkursin letrar zhvilluar në vitin 1968 në Kosovë, e motivuan që t’i përkushtohet letërsisë.

Ceremonia e dhënies së “Çmimit Kadare” 2017 do të zhvillohet në ditët në vazhdim në Universitetin Europian të Tiranës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Joleza Koka: Zhurma e një kryeqyteti

Prej fushatave elektorale por edhe prej studimeve në Arkitekturë e Planifikim Urban,...
Read More