Shkrimtari nga Beogradi: Miroslav Çurçiç rrëfen Tiranën, si thyen klishetë nacionaliste

 

Tregimtari Miroslav Ćurčić rrëfeu përvojat e tij gjatë qëndrimit në Tiranë, përshtypja nga vizita në qytetin e Durrësit si dhe shfletoi disa fletë nga ditari në dorëshkrim, që autori ka mbajtur gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar.

Miroslavi në gjithë ditët me shi në Tiranë, mbante një çadër të zezë, të vogël në xhep. Një mbrëmje e kishte bërë qull, por ai ishte argëtuar me fatin e tij rrugëve të kryeqytetit shqiptar. Ka njohur njerëz të thjeshtë, të zakonshëm. Ka hyrë në bisedë me ta, është prezantuar si serb, dhe ka mbajtur nën vete habinë e një lirie të shfrenuar të shqiptarëve, pa komplekse, madje duke e rrahur në shpatulla në rastësi të emrit të njëjtë me një futbollist serb.

Miroslavi e tregon këtë histori si një “fake neës” dhe ndihet mirë nga “zhgënjimi” i natryshëm përkundër klimës së mbushur plot nacionalizma të dyanshme, dyshime e paragjykime, klishe stereotipe ndaj “tjetrit fqinjë”. Të enjtën në mbrëmje, ka qenë takimi i fundit me lexuesin shqiptar i Miroslav Çurçiç pas një muaji qëndrimi në rezidencën e shkrimtarëve e përkthyesve letrare, “Poeteka- Tirana in Betëeen”. Në mjediset e Friend’s Book House, prozatori nga Beogradi ka ndarë me të pranishmit pikërisht atmosferën që ekziston mes nesh, e sidomos faktin se letërsia dhe takimet e këtij lloji, me qëndrime të gjata të shkrimtarëve në rezidenca letrare, janë në gjendje të përmirësojnë klimën e besimit ndaj kulturës së njëri-tjetrit.

Të pranishmit, shkrimtarë, përkthyes, gazetarë dhe lexues, ndoqën bashkëbisedimin e autorit me shkrimtarin Arian Leka, me përkthyesin e gazetarin e kulturës, Ben Andoni dhe studiuesen e antropologjisë, Armanda Hysa, të cilët folën mbi veçantitë e prozës së këtij autori, mbi çështje të kulturës dhe përkthimit në rajonin e Ballkanit, mbi praninë e autorëve shqiptarë dhe serbë në projektet botuese dhe mbi mënyrën se si e kanë parë dhe se si e shohin “tjetrin” në kulturën shqiptare dhe serbe. Tregimet e Miroslav Ćurčić u lexuan në shqip dhe në serbisht.

Tregimitari Miroslav Ćurčić rrëfeu përvojat e tij gjatë qëndrimit në Tiranë, përshtypja nga vizita në qytetin e Durrësit si dhe shfletoi disa fletë nga ditari në dorëshkrim, që autori ka mbajtur gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar. Ndërmjet këtyre, Miroslav Ćurčić interpretoi në guitalele muzikë, si formë përshëndetjeje për të ftuarit në këtë mbrëmje.

Miroslav Ćurčić ka botuar se fundmi përmbledhjen me tregime “Vdekja në Bashaid”, vepër kjo e mirëpritur nga kritika. Tregime nga ky libër, nën përkthimin e Merima Kriezi, janë botuar edhe më herët në gjuhën shqipe në revistën “Poeteka” dhe në suplementin letrar “Milosao”, ku mes të tjerëve veçohen “Hipnoza” dhe “Si mbeta pa gishtin e madh…”. Gjatë qëndrimit të tij në rezidencën letrare, Miroslav Ćurčić u përfshi në jetën kulturore të kryeqytetit shqiptar, bëri udhëtime në qytete të Shqipërisë, krijoi lidhje me përkthyes dhe njerëz të kultures, mbajti një ditar udhëtimi dhe zhvilloi hobin e tij mbi fotografinë e qendrave dhe të periferive.

Me këtë autor, programi i Rezidencës së shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë hyri në vitin e gjashtë, si bashkëpunim i rrjetit TRADUKI dhe Shoqatës POETEKA. Gjatë kësaj periudhe Tirana është vizituar nga 33 shkrimtarë e përkthyes nga Ballkani dhe Europa.

Prozë

URIA

Miroslav Ćurčić

Secili ushqen pasionin e vet, shkruan me spray të kuq mbi një fasadë të vjetër. Shkronjat janë të mëdha dhe të lakuara. Grafiti është bërë gjatë natës. Gjithmonë merr të njëjtën rrugë dhe është e sigurt se dje nuk ishte aty. Pyet vetveten pse njerëzit lënë mesazhe në këtë mënyrë? Mendon për kuptimin e kësaj fjalie. Në punë arriti një orë para hapjes së qendrës tregtare. Shkallët e lëvizshme e sollën te kati i fundit, ku janë restorantet ekspres. Te hyrja, në një sallë të madhe, ndjen aromën e dyshemesë së porsapastruar. Karriget janë të radhitura rreth tryezave bosh dhe të pastra. Punonjësit janë pas banakëve. Është e vetëdijshme që trupi i saj tërheq shikimet e meshkujve. Kujton se kjo do të mund të jetë një nga pasionet e saj; dëshira e fortë për kontrollin mbi çdo situatë. Ndjen gurgullimat e lehta të zorrëve.

Ecën vendosmërisht te djali i buzëqeshur, që i ofron një tabak plastike. Mish pule nga Kentucky (KFC), vakti Grader Texas, përfaqëson një mënyrë të përsosur për ta filluar ditën. E hap pa shumë durim letrën laramane. Aromat që çlirohen sakaq e rrëmbejnë kurdohere me vete. E vërtit sanduiçin e rrumbullakët midis gishtërinjve, duke zgjedhur se ku duhet ta kafshojë; rrathët e qepës ngjyrëvjollcë dhe copat e fërguara të mishit dalin nga pak prej simites. Gjysma e sanduiçit zhduket me kafshatën e parë. Kafshimi prej grabitqari nuk i përshtatet fytyrës së saj të butë. Gojën e ka të mbushur dhe mezi merr frymë me hundë. Fajtori për të gjitha është shmangia e murit ndarës të hundës. Po ta kishte vështruar dikush nga profili, do të mendonte se po mbytet. Së shpejti e gjitha përfundon. Mbi tabaka mbeten vetëm mbështjellësja prej letre dhe peceta e rrudhosur.

Sheh orën. Kupton se ka kohë për edhe një espresso të gjatë dhe për një ëmbëlsirë. Pastiçeria e saj më e preferuar quhet Vuajtjet e ëmbla. Qëndron para vitrinës së ftohtë. Është në mëdyshje, mes ëmbëlsirave Sacher dhe Sheherezada; bën porosinë. Një zë i pazakonshëm ia tërheq vëmendjen. Kthehet dhe vëren një harabel në ajër. Zogu i burgosur përpiqet ta gjejë, por pa sukses, vrimën me të cilën ka arritur këtu. Ka hyrë në një botë ku nuk i takon dhe prej së cilës dëshiron të ikë gjithë panik. I sjellin kafenë dhe dy copa në formë trekëndëshi mbi pjatë. Paguan llogarinë dhe shkon te tryeza me tabakanë e re në duar. Nuk mendon më për zogun.

Thyen me pirunin plastik koren e sipërme dhe analizon kalimthi tabelat me reklama të varura mbi konstruktin prej metali të çatisë. Vëren me kënaqësi se gati të gjitha dyqanet e qendrës tregtare gjigante i drejtojnë klientët e tyre te dega bankare ku punon ajo. Kreditë e shpejta cash konsumatore janë shumë të popullarizuara te njerëzit pak të qëndrueshëm në blerje.

Shefat e dyqaneve gjithashtu janë konsumatorët e shërbimeve për kredi, por me kushte të ndryshme, më të volitshme. Kontratat e tyre ajo i mban në një dosje të posaçme. Është e çuditshme që klientëve as nuk i shkon nëpër mend se çfarë lloj përfundimesh mund të dalin nga shifrat në ato letra. Kur fjala vjen te puna e saj, çdo gjë është lidhur me shifrat. Pi një gllënjkë kafe dhe e ujit kafshatën krem nga pjata e bardhë. I kontrollon mesazhet në celular, ngrihet dhe ngadalë niset në zyrë. Dega bankare në të cilën ajo punon si referente kryesore gjendet një kat më poshtë. Vala e parë e blerësve pritet për dhjetë minuta. Atëherë fillon orari i punës së saj.

Nëpunësi i sigurisë së bankës i hap derën. Ajo i buzëqesh. Me shikim dhe me shenjën pohuese të kokës komunikon me nëpunësit e tjerë. Të gjithë janë në vendin e punës. Hyn në tualet dhe e var çantën mbi dorezën prej nikeli të shkëlqyer të derës. E rrotullon çelësin dy herë. Pasqyra, që merr tërë murin, krijon përshtypjen e rreme se ambienti është më i madh sesa është në të vërtetë. Kontrollon edhe një herë nëse e mbylli derën me kyç dhe nxjerr nga çanta një peshqir të vogël mëndafshi. Vendos mbi pllaka anën me ngjyrë më të mbyllët të peshqirit.

Gjunjët i zhyten në material të butë fijezor. Është e qetë, e përqendruar dhe duket si samuraji, që është i gatshëm të bëje harakiri. Shikon drejt në kapakun e tualetit të ngritur. Merr frymë thellë, i bën masazh stomakut duke e shtrënguar. Mendon ende për grafitin. Njeri i ngopur nuk ka motiv; ja, këtë do të shkruante ajo, po ta pyeste dikush. E ka përvetësuar teknikën e vjelljes ku, saje kokës së hedhur pak prapa, gjithë sa gjendet në stomak kalon nëpër grykë e jo nëpër hundë. Efektet e padëshirueshme, që bën acidi i stomakut, janë më të buta. Ka hapur gojën. Tkurrjet e stomakut janë më të forta, por shtrëngimet e gishtërinjve të saj më të fuqishme. Mish pule i patretur nga Kentucky kërcen turpshëm nga të brendshmet e saj drejt ujit të kthjellët të ujësjellësit të qytetit.

Rënkon, teksa po vjell. Mjekrën e ka të ngritur lart. Kjo nuk mësohet në fakultet, mendoi. Copëzat e fundit të mishit të pulës i kalojnë mbi dhëmbë. Fije pështyme janë shtrirë deri te tualeti prej qeramike. E copeton dhe e shkund me gishtin tregues. Dëgjohet gurgullima e shqetësuar e zorrëve. Ajo lëshon ujin që merr me vete të gjitha provat e mëngjesit të sotëm. Lahet me pecetë letre, fshin fytyrën dhe shpëlan gojën. Sytë i ka të përlotur dhe të skuqur për shkak të mundimit. Zgërdhihet duke shtyrë nofullën përpara. Shtrëngon me gishtin tregues lëkurën rreth syve, duke fshirë përkohësisht rrudhat e para që iu paraqitën. Nxjerr nga çanta çamçakëzë me aromë mente, rregullon flokët shpejt e shpejt dhe i jep shkurtimisht një buzëqeshje pamjes së saj në pasqyrë. Merr frymë thellë dhe del jashtë. Me stomakun e zbrazët dhe me ndjenjat e mprehura kalon pranë klientit të parë, që pret me durim të fillojë dita e saj e punës.

Përktheu nga serbishtja: Merima Krijezi

Shkruar Nga
More from Redaksia

Cilësitë e një femre që e bëjnë të parezistueshme në sytë e çdo mashkulli…

  Cilësitë tek një femër që e bëjnë të duket tërheqëse në...
Read More