‘Shpërthen’ Kryemadhi: Të ndalim të çmendurin që do të na bëjë argatë…

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi sot se vendi po drejtohet nga një njeri që ka probleme me jetën e tij, për shkak të lidhjeve me botën e krimit. “I krijoi krimit të organizuar parajsën kriminale dhe e ktheu Shqipërinë në një qendër të destabilizimit, krimit të organizuar, drogës jo vetëm në Rajon, por edhe më tej”,- tha Kryemadhi.

Ajo ka ftuar mbështetësit dhe anëtarët e LSI në protestën që do të mbahet para Parlamentit në orën 09:30, duke shtuar se lolos që kemi Kryeministër duhet ti tregojmë se koha e tij ka përfunduar.

Në vijim ajo shtoi se nuk duhet të lejojmë një njeri të çmendur që e ka kthyer Shqipërinë në një bazë të terrorit, drogës dhe korrupsionit.

“Është një gjendje alarmante, është një gjendje në kufijtë e intolerancës, që s’mund të lejohet më. Do të vijojmë me hapat e tjerë, duke nisur nga nesër në Grupin Parlamentar, që nuk do të lejojmë shkeljen e Kushtetutës. Kjo mazhorancë ka dalë nga votat e krimit, drogës dhe korrupsionit dhe ne nuk do të lejojmë që shqiptarët të jenë të nënshtruar të një personi të çmendur. Ky është një kryeministër që ka probleme mendore, por edhe me veten e tij, sepse është i inkriminuar”,- tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së tha se nuk ka investitor që do të pastrojë paratë e drogës, që do të fshehë 863 mijë euro, paratë e drogës, të Sajmir Tahirit, apo të dosjeve të tjera.

“Unë misionin tim nuk do ta le vetëm në një fjalim politik, misionin për ta ndaluar këtë monstër, nuk do ta ndaloj, sepse nuk dua që fëmijët e mi të urrejnë vendin e tyre. Shqipëria është me keq se Kolumbia, pasi shteti këtu është kthyer në një Escobar”,- tha Kryemadhi.

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të LSI-së, Kryemadhi tha se Ylli Manjani u shkarkua nga Edi Rama nga posti i ministrit të Drejtësisë, vetëm se kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë në luftën ndaj kanabisit.

“Kërkojmë ndjesë që nuk e rrëzuam Edi Ramën që në atë kohë”,- tha Kryemadhi.

Duke u ndalur në reformën në drejtësi, ajo vlerësoi rolin e LSI-së në miratimin e saj.

“Edi Rama me muaj të tërë e bllokoi këtë reform dhe sot jemi në një gjendje në kufijtë e anormalitetit, kur Kryeministri kërkon të kapë çdo institucion të drejtësisë, pasi ai është koka e klanit të drogës që organizohej nga Sajmir Tahiri dhe drejtorët e tij të policisë, që tashmë janë arratisur”,- tha Kryemadhi.

Sipas saj, Rama po tenton të zgjedhë një kryeprokuror në kundërshtim të plotë me Kushtetutën.

“Shqiptarët e kanë të qartë për dosjet që flenë në zyrat e Prokurorisë, qoftë për ministrant aktualë ashtu edhe për ish-ministrat, dosjet e të cilëve janë mbyllur. Për LSI çështja e Kryeprokurorit nuk është çështje emrash, por proçedurash.

Ne nuk kemi mbështetur një reformë drejtësie që i shërben një klani mafioz dhe një kryeministri të kapur. Ky njeri nuk pyet sot as për ligje dhe as për Kushtetutë, ky njeri nuk pyet më për korrupsionin, për varfërinë e njerëzve, ky njeri nuk pyet më se droga është sheshit, nuk pyet më që 70 mijë të rinj dhe të reja janë përdorues të kokainës, ky njeri nuk pyet më që mësuesit janë kthyer në shpërndarës droge në shkolla.

Ky njeri kërkon të shpërbëjë këtë vend dhe këtë shtet. Përballë një situate të tillë, na mbeten dy rrugë: ose të reagojmë me të gjitha mënyrat që na lejon ligji, demokracia dhe morali njerëzor, ose të kthehemi në argatë”,- tha Kryemadhi.

Shkruar Nga
More from Revista User

Tentoi të grabiste argjendarinë në 2012, arrestohet 31 vjeçari

Policia e Durrësit ka arrestuar një 29-vjeçar të shpallur në kërkim, pasi...
Read More