Shpëtimi i Ramës, shpëtimi i Gjikës

Gentian GabaNga Gentian Gaba*

“Po na trajtoni si ushtarë”, kështu shprehej Shpëtim Gjika gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së të janarit 2012, duke shënuar fillimin e fundit të marrëdhënieve të mira me Edi Ramën. Gjika, me fuqinë e tij politike dhe me legjitimitetin që rridhte nga tri fitore radhazi në zgjedhjet lokale, përbënte një rrezik potencial për arritjen e objektivave të Kryeministrit dhe Kokëdhimës në rrethin e Vlorës. Dymbëdhjetë vite në krye të Bashkisë të qytetit bregdetar iu faturuan nga partia e tij me dy gjyqe, një arrestim dhe një parainfarkt. Ish-kryetari i Bashkisë u bë kurban në funksion të çimentimit të aleancës Rama–Kokëdhima. Kjo është natyra e pushtetit, që e zhveshur nga idealizmi, në thelb mbetet një dinamikë mik–armik, dhe në këtë fushë vlen më shumë se kurrë adaxhio “armiku i armikut tim është miku im”. Këtë janar, 5 vite më pas, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Gjika njofton për kthimin e tij me një status të ri në Partinë Socialiste të drejtuar po nga Edi Rama. Boshllëku nuk ekziston në natyrë dhe as në politikë, nxjerrja e Koço Kokëdhimës nga dritarja e Partisë Socialiste bëri që të hynte përsëri Shpëtim Gjika nga dera kryesore, një rokadë që ndoqi sensin e kundërt katër vite më parë. Kthimi i Gjikës përfaqëson një shpëtim për Partinë Socialiste. Nëse ish-kryebashkiaku do të kishte veshur kostumin jeshil të Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës, beteja e qershorit do të ishte akoma më e vështirë për socialistët, duke pasur parasysh edhe oponencën që do të bëjë për ish-sanxhakun e tij Koço Kokëdhima. Shpëtimi i Gjikës nga drejtësia, nga harresa dhe nga armiku që sot bëhet përsëri mik, shënon shpëtimin e Ramës në qytetin ku ai kryesonte listën në 2013 dhe do ta kryesojë edhe në zgjedhjet e këtij qershori. Që Gjika mund të ishte një rival i vështirë Rama e vërtetoi dy vitet e fundit, gjatë së cilave PS-ja e Vlorës nuk po gjente paqe. Gojët e liga thonë se kandidati i pavarur në zgjedhjet e 2015-s ishte një produkt i Gjikës. Ky i fundit ka qenë gjithashtu një kritik i ashpër i kryetarit aktual të Bashkisë së Vlorës, ndaj të cilit ka përdorur edhe epitete fyese. Të ashpra kanë qenë edhe sulmet në adresë të ish-deputetit Kokëdhima, të cilin e akuzonte për shkatërrimin e Partisë Socialiste në Vlorë. Ndaj tij Gjika u tregua i duruar, si një lundrues i sprovuar ndjeu ndryshimin e erës, me fjalët e filozofit kinez Konfuci, “shkoi te bregu i lumit dhe priti ditën që kufoma (politike) e armikut t’i kalonte përpara”.

Telenovela Rama-Gjika-Kokëdhima thotë diçka jo vetëm për luftën për pushtet, por edhe për qeverisjen e partive dhe hipokrizinë e aktorëve të politikës. Leximi i parë është mjaft i thjeshtë: kryetari të bën, kryetari të zhbën. Leximi i dytë është akoma më i thjeshtë: kur ngritja në hierarkinë e partisë është në favorin e tyre, askush nuk shprehet për demokracinë brenda partive. Kur goditen nga vullneti arbitrar i personave që i kanë promovuar dhe marrin tatëpjetën, ngrenë dyshime mbi legjitimitetin, kërkojnë mbledhjen e asambleve dhe kritikojnë autoritetin e liderit, duke harrur mënyrën se si u ngjitën. Për të mbetur në linjë me filozofinë orientale, duhet të marrim këtu konceptin e karmës dhe zinxhirit të fateve, sepse nuk ekzistojnë dënimet ose çmimet, por vetëm pasojat e veprimeve të kryera. Ambicia dhe makutllëku për pushtet janë pjesë e lojës, shpejt apo vonë godet të gjithë ata që nuk e zotojnë. Nuk ka shpengim apo mirënjohje në këtë fushë, ekziston vetëm shpresa që kryetari të të falë ose të të rikthejë në oborr për qëllimet e tij. Këtë e di Gjika, e di Kokëdhima, e dimë edhe ne. Gjithsesi, në thelb, rikthimi i Gjikës dikton edhe epitafin politik të Kokëdhimës, për të cilin le të kujtojmë një shprehje të politikanit italian Pietro Nenni “nëse bëjmë garë se kush është më i pastër, do të gjejmë gjithmonë një më të pastër…që do të na spastrojë”.

*Master në shkenca komunikimi

Shkruar Nga
More from revista mapo

Sokol Balla: Koalicioni bie në Dibër

Nga Sokol Balla Nuk është hera e parë që e majta testohet...
Read More