Shpëtojnë deputetët: 4 kryetarë bashkish rrezikojnë mandatin

KuvendiKQZ ka publikuar dje listën e të zgjedhurve në parlament dhe në pushtetin vendor, që kanë dorëzuar formularët e dekriminalizimit. Doshi, Fufi, Paloka, Klosi, Spahiu, Selami, Prenga, Ristani, Ndreu, Mediu, Cara e Zeneli, kanë qenë ndaluar ose dënuar.

Ligji “Për garantimin dhe integritetin e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit, ka sjellë jo pak të papritura.

Debatet dhe sforcot e klasës politike shqiptare për miratimin e tij, duket se ia kanë vlejtur, pasi sot opinioni publik u njoh me personat që ka votuar si në pushtetin qendror, ashtu edhe në atë vendor.

Në rrjetën e ligjit kanë rënë personazhe të njohura politikë, duke filluar që nga anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, kryetar bashkish e për të përfunduar me këshilltarët.

Procesi i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës i ka mundësuar opinionit publik që për një pjesë të mirë të vërtetojë të gjitha akuzuat e ngritura gjatë këtyre viteve nga kundërshtarët politike dhe për një pjesë tjetër të mësojë edhe të vërteta që nuk diheshin.

Në total janë 18 të zgjedhur, nga të cilët 12 deputetë dhe 6 kryetarë bashkish, që figurojnë se ose kanë pasur punë me organet e drejtësisë, ose edhe janë dënuar dhe kanë vuajtur me vendime të formës së prerë të gjykatave vendëse dhe atyre të huaja.

Por duket se i vetmi që rrezikon mandatin është deputeti Tom Doshi, i cili ka deklaruar se ka qenë dënuar me vendim të formës së prerë me 1 vit heqje lirie më 25.5.1990 për veprën penale “sjellje e padenjë në shoqëri”.

Ai nuk bën me dije se cili ka qenë faji për të cilin ai është dënuar, por nisur nga emërtimi dhe viti i dënimit, kemi të bëjmë me një vepër që parashikohet që nga ligjet e kohës së komunizmit.

Por pavarësisht kohës, mbetet për t’u interpretuar nëse ai preket nga përcaktimi që bën germa ç), pika 1 e nenit 2 të ligjit ku thuhet se ndalohet zgjedhja “për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim”.

Doshi gjithashtu ka deklaruar edhe ndalimin e një viti më parë me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm në datë 26.3.2015 deri në 28.3.2015 për çështjen e njohur tashmë për kallëzim të rrem, sa iu përket pretendimeve të tij për organizimin e një vrasjeje të mbetur në tentativë.

Lista vijon me deputetin demokrat, Mhill Fufi, i cili megjithëse nuk është dënuar, ka deklaruar se ka qenë në arrest me burg disa herë, për vepra të rënda penale, siç është ajo e shfrytëzimit të prostitucionit.

Më konkretisht, Fufi ka deklaruar se është ndaluar me urdhër të prokurorisë Kurbin, më 22.6.2000, për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni”.

Çështja, siç bënë të ditur ai, është pushuar nga Prokuroria. Gjithashtu, ai deklaron se është ndaluar me urdhër të Prokurorisë Tiranë, në datë 17.1.2001, për veprën penale të parashikuar nga neni 114/1 për shfrytëzim prostitucioni.

Edhe kjo çështje ai deklaron se është pushuar nga Prokuroria. Fufi rezulton të jetë arrestuar edhe për pjesëmarrjen në ngjarjet e 14 shtatorit 1998.

Një tjetër deputet për të cilin nuk ka pasur të dhëna më parë është ai i LSI-së, Shkëlqim Selami, i cili deklaron se është ndaluar në vitin 2007 nga policia e Brindisit në Itali për një vepër penale, pa e bërë të ditur se cila konkretisht.

Ai bën të ditur se është liruar më pas, duke u shpallur i pafajshëm.

Një emër tjetër është edhe ai i Arben Ristanit, i cili është dënuar me 5 muaj burg dhe 1 vit me kusht, me vendim të formës së prerë në datë 18.11.1994 për dhënie vendimi të padrejtë gjatë kohës që ka qenë gjykatës.

Po ashtu, deputeti tjetër demokrat, Alban Zeneli, deklaron se është dënuar me 6 muaj burgim në 20.8.1992 për shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, është dënuar me 30 mijë lekë gjobë me vendim të datës 7.7.1996 për veprën “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit dhe prishje të qetësisë publike”.

Listës së të zgjedhurve i shtohet deputeti socialist, Armando Prenga, i cili ka deklaruar vetëm arrestimin e ndodhur vjet për ngjarjet e ndodhura në Lagunën e Patokut dhe në Laç.

Ai akuzohet për veprën penale “plagosje me dashje dhe armëmbajtje pa leje” dhe është ende në gjykim. Për këto vepra, nëse ai gjendet fajtor, humbet mandatin.

Gjithashtu, problem me drejtësinë deklaron të ketë pasur edhe Pjerrin Ndreu, i cili është ndalur për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike.

Por më pas, arrestimi është shpallur i paligjshëm, duke marrë edhe pafajësi nga gjykata.

Një emër tjetër që rezulton me problem me drejtësinë është ai i kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediut, i cili është hetuar nga Prokuroria dhe gjykuar nga Gjykata e Lartë e Italisë në vitin 1998, për pengim të forcave të policisë në kryerjen e detyrës.

Rasti i Mediu është gjithashtu çështje interpretimi nëse preket ose jo nga ligji. Një tjetër deputet i LSI-së që ka deklaruar se është proceduar penalisht është ai i Përparim Spahiut, i cili është arrestuar më 17.10.2009, me urdhër të Prokurorisë Tiranë, për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”.

Për të është caktuar masë sigurimi personal dhe më pas detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.

Lista mbyllet me dy emra të rëndësishëm të mazhorancës dhe opozitës, Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentar demokrat dhe Blendi Klosi, ministër i MSR-së.

Në fakt, dënimet e Palokës janë më shumë të karakterit politik, pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë për organizim të manifestimeve të paligjshme në datën 12.1.2001, për të cilën ka vuajtur masën e arrestit me burg me afat 10 ditor.

Gjithashtu, ai rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë, për shpifje në datë 5.6.2015, në një proces të iniciuar nga kryeministri, Edi Rama.

Ajo që mund të konsiderohet si surprizë e kësaj liste është padyshim, ministri Klosi, i cili ka deklaruar se është arrestuar me urdhër të Gjykatës Tiranë, më 11.10.1994, për veprën penale të parashikuar nga Neni 129 i Kodit të vjetër Penal, i shfuqizuar me ligjin 7895 datë 27.1.1995.

Megjithëse nuk bën të ditur se cila ka qenë vepra për të cilën është ndaluar, Klosi deklaron se çështja është pushuar pasi nuk ka pasur vepër penale.

Deputetët e arrestuar ose dënuar

Alban Zeneli

Dënuar me 6 muaj burgim në 20.8.1992 – shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.

Dënuar me 30 mijë lekë gjobë me vendim të datës 7.7.1996 për veprën “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit dhe prishje të qetësisë publike”.

Arben Ristani

Dënuar me 5 muaj burg dhe konvertuar me 1 vit me kusht me vendim të formës së prerë, në datë 18.11.1994, për dhënie vendimi të padrejtë. Amnistuar pas vendimit të shkallës së parë.

Armando Prenga

Arrestuar për plagosje me dashje dhe armëmbajtje pa leje në vitin 2015. Çështja është në gjykim.

Blendi Klosi

Arrestuar me urdhër të Gjykatës Tiranë, më 11.10.1994. Vendim i formës së prerë. Çështja është pushuar pasi nuk ka pasur vepër penale. Neni 129 i Kodit të vjetër Penal, i shfuqizuar me ligjin 7895 datë 27.1.1995.

Edi Paloka

Dënuar me vendim të formës së prerë për organizim të manifestimeve të paligjshme në datën 12.1.2001. Arrestuar në 29.11.2000 në flagrancë. Masë arresti me burg me afat 10 ditor.

Dënuar me vendim të formës së prerë për shpifje në datë 5.6.2015.

Fatmir Mediu

Ndryshim mbiemri nga Mehdihoxha në Mediu.

Hetuar nga Prokuroria dhe gjykuar nga Gjykata e Lartë e Italisë në vitin 1998, për pengim të forcave të policisë në kryerjen e detyrës.

Përparim Spahiu

Arrestuar në 17.10.2009 me urdhër të prokurorisë Tiranë, për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”. Caktuar masë sigurimi personal detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Në datë 14.1.2010 është vendosur pushimi i procedimit penal.

Pjerrin Ndreu

Ndaluar në shtator të vitit 2004 për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike. Arrestim I paligjshëm dhe pafajësi nga gjykata.

Shkëlqim Selami

Ndryshim mbiemri nga Selamemini në Selami.

Hetuar dhe ndaluar në vitin 2007 nga policia e Brindisit në Itali për një vepër penale. I shpallur më pas i pafajshëm.

Tom Doshi

Dënuar me vendim të formës së prerë me 1 vit heqje lirie në 25.5.1990 për veprën penale “sjellje e padenjë në shoqëri”.

Urdhër-ndalimi i Prokurorit të Përgjithshëm nga 26.3.2015 deri në 28.3.2015. Gjykata e Lartë vendosi arrest shtëpie. Aktualisht detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore.

Mhill Fufi

Ndaluar me urdhër të prokurorisë Kurbin në 22.06.2000 për nenin 114/1 të Kodit Penal, për shfrytëzim prostitucioni. Pushim procedimi nga Prokuroria.

Ndaluar me urdhër të Prokurorisë Tiranë, në datë 17.1.2001 për veprën penale të parashikuar nga neni 114/1 për shfrytëzim prostitucioni. Pushim procedimi nga Prokuroria.

Ndaluar me urdhër të prokurorisë Tiranë, për ngjarjet e 14 shtatorit 1998.

Parid Cara

Dënuar me vendim të formës së prerë në Itali, me çështje administrative të shkeljes së Kodit Rrugor me 800 euro.

Deklarimet, ja 4 kryetarët e bashkive që rrezikojnë mandatin

Adriatik Zotkaj i Poliçanit, Agron Kapllanaj i Mallakastrës, Artur Bushi i Krujës dhe Elvis Roshi i Kavajës, rrezikojnë mandatin pasi kanë kryer vepra penale apo janë ndaluar jashtë shtetit, për vepra që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit

Ndërsa lista e deputetëve ka pasur edhe surpriza, ajo e të zgjedhurve vendorë nuk ka prodhuar ndonjë të papritur.

Formularët e publikuar dje nga KQZ për gjithë të zgjedhurit vendorë kanë konfirmuar në përgjithësi gjithçka ishte deklaruar më parë edhe në debatin politik dhe nga opinioni publik.

Kështu, emra të njohur për opinionin publik të zgjedhur si kryetarë bashkie janë konfirmuar edhe nga vet ata se kanë pasur probleme me ligjin për vepra penale nga më të ndryshmet, një pjesë e mirë e të cilëve duket se rrezikojnë edhe mandatin.

Kështu, i pari që rrezikon mandatin është kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili preket nga germa ç) e nenit 2 të ligjit të dekriminalizimit, e cila përcakton se humbet mandatin “për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim”.

Vetë Zotkaj ka deklaruar se është dënuar në vitin 2001 nga Gjykata e Skraparit me 10 muaj burgim, për veprën penale “kundërshtim të punonjësit të Policisë” dhe në vitin 2002 është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burgim.

Për të dyja këto dënime, ai rrezikon që të lërë mandatin, pasi bëhet fjalë për vepra të kryera me dashje dhe të dënuara më shumë se 6 muaj.

Ai është dënuar gjithashtu edhe me 3 vjet heqje lirie nga gjykata e Korçës, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por ajo nuk përfshihet në rastin e mësipërm pasi bëhet fjalë për një aksident.

Një tjetër i zgjedhur që rrezikon të preket është edhe kryetari i Bashkisë së Ballshit, Agron Kapllanaj, i cili është dënuar në vitin 2003 me dy vite burg dhe 200 euro nga gjykata italiane, për një ngjarje të ndodhur në vitin 1995.

Pavarësisht se është pushuar dënimi, ai preket nga germa “a” e pikës 2 të nenit 2 të ligjit, i cili përcakton personat “që janë dënuar me një vendim jo përfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale, të parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni.

Për personat që plotësojnë kushtet e këtij paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji”.

Nga kjo pikë e këtij neni, rrezikon të preket edhe kreu i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, pasi ai është arrestuar në 12.6 2010 deri në 30.3.2011, si i dyshuar për trafik narkotikësh nga prokuroria italiane.

Pavarësisht se për të është pushuar hetimi dhe është liruar nga të gjitha akuzat, ai preket nga përcaktimi se ka qenë ndaluar.

Rrezikon të lërë mandatin edhe kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, pasi ai preket nga germa “b” e pikës 2 të nenit 2, e cila përcakton personat “që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës”.

Ai deklaron se është dëbuar në vitin 2002 nga Gjermania por duke mos e bërë të ditur arsyen.

Ajo që mund ta shpëtojë Roshin është pikërisht vepra apo çështja për të cilën është dëbuar.

Kryetarët e bashkive që janë arrestuar ose dënuar

Adriatik Zotkaj

Dënuar me 3 vjet heqje lirie nga gjykata e Korçës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Vepra është konsideruar krim.

Në vitin 2001 është dënuar nga Gjykata e Skraparit me 10 muaj burgim për veprën penale “kundërshtim të punonjësit të Policisë”.

Në vitin 2002 është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burgim.

Agron Kapllanaj (Mallakastër)

Dënuar në vitin 2003 me dy vite burg dhe 200 euro nga gjykata italiane për një ngjarje të ndodhur në vitin 1995. Pushuar gjykimi.

Artur Bushi

Arrestuar nga prokuroria italiane për verifikim në vitin 1996. Liruar nga gjykata.

Arrestuar në 12.6 2010 deri në 30.3.2011 si i dyshuar për trafik narkotikësh nga prokuroria italiane. Pushim hetimi dhe liruar nga të gjitha akuzat.

Elvis Roshi

Ndryshim emri në vitin 2002 nga Ervin në Elvis.

Dënuar në vitin 2000 me vendim të formës së prerë me gjobë për krim dhe kundërvajtje penale.

Hetuar dhe gjykuar në Gjermani në vitin 2002, arsyet nuk jepen.

I arrestuar në 2013 me urdhër të prokurorisë Kavajë për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”.

Xhelal Mziu

Dënuar me vendim të formës jo përfundimtare për shpërdorim detyre. Ka qenë në arrest me burg.

Edi Rama e pranon, deri në 2002 e ka pasur emrin Edvin, kryebashkiaku i Kurbinit me 4 emra

Procesi i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës ka nxjerrë në dritë dhe një fenomen të përhapur jo pak te të zgjedhurit tanë në pushtetin qendror dhe atë vendor. Bëhet fjalë për personat që për një arsye apo për një tjetër kanë ndryshuar emrat ose mbiemrat. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga problemet që mund të kenë me shqiptimin apo përdorimin, mospëlqimi por edhe për të fshehur identitetin e vërtetë dhe njëkohësisht për t’ju fshehur drejtësisë. Kështu, listën e atyre që kanë ndryshuar emrin e kryeson kryeministri Edi Rama. Ai ka deklaruar se e ka pasur emrin Edvin, ashtu si edhe e ka përmendur shpesh kundërshtari politik dhe në vitin 2002 e ka ndryshuar atë në Edi. Një tjetër rast i rrallë sa i përket këtij fenomeni është ai i kryetarit të Bashkisë Kurbin, Artur Bardhit. Ai ka deklaruar se e ka ndërruar jo pak, por edhe tri herë të tjera emrin dhe mbiemrin. Ai më parë ka mbajtur edhe Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gentian Bushi. Emrin e ka ndryshuar edhe deputeti Armando Prenga, i cili ka mbajtur edhe emrin Mondi Prenga.

Deputetët dhe kryetarët e bashkive që kanë ndryshuar emrat ose mbiemrat

Armando Prenga

Ndryshim emri nga Mondi Prenga në Armando Prenga.

Robert Bitri

Ndryshim emri nga Albert Bitri në Robert Bitri.

Edi Rama

Ndryshim emri. Emri i mëparshëm Edvin, mbajtur deri në datën 27.11.2002.

Fatmir Mediu

Ndryshim mbiemri nga Mehdihoxha në Mediu.

Vladimir Kosta

Ndryshim emri nga Dhandil në Vladimir.

Musa Ulqini

Ndryshim mbiemri nga Dobrodova në Ulqini.

Nard Ndoka

Ndryshim emri dhe mbiemri nga Mark Ndokaj në Nard Ndoka.

Artur Bardhi (Kurbin)

Ndryshim emri nga Gentian Lila në Altin Tanushi, Gentian Bushi në Artur Bushi.

Niko Shupuli (Përmet)

Ndryshim emri nga Dritan në Niko.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Përgjithmonë Eglantina

Ka mësuar si të bëhet një politikane me vlera, përfaqësuese edhe mbrojtëse...
Read More