Shpëtoni PS-në nga Edi Rama!

Nga Ergys Mërtiri

Saga e përpjekjeve titanike të qeverisë për të mbuluar skandalet që i kanë plasur po bëhet dëshpëruese. Sapo ajo gjen një përgjigje për të palarat që i dalin në shesh, një tjetër skandal shpërthen, duke e lënë përballë presionit për akrobaci të reja logjike, nëpërmjet të cilave ajo shpreson të mbijetojë. Kryeministri Rama ka ngecur keq në këtë puset dhe çdo përpjekje që bën për të dalë, vetëm sa e thellon gropën ku është zhytur. Një stuhi ngjarjesh, video-përgjimesh, denoncimesh, fotosh, dokumentesh po pasojnë njëra-tjetrën, dhe, përpjekja e tij për të rifabrikuar pa reshtur alibitë, në përgjigje të skandalit të radhës, e kanë çuar atë në një situatë groteske. Kryeministri duket tashmë si një prestidigjitator që i ka rënë skena duke i dalë truket në shesh. E megjithatë ai vazhdon lojën sikur nuk ka ndodhur asgjë, pavarësisht vërshëllimave dhe gajasjeve të spektatorit.

Por situata është shumë më e rëndë se vetë zinxhiri i skandaleve të njëpasnjëshme. Edi Rama ka marrë peng shtetin dhe po i përdor institucionet, përfshi këtu edhe ato që duhet të ishin të pavarura, si instrument për të mbuluar zullumet. Ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat, SHISH-in, mediat, bandat, jo më vetëm për interesa korruptivë e kriminalë, por edhe për të mbuluar skandalet. Institucionet e shtetit, jo vetëm që nuk funksionojnë për publikun, por ato tashmë as nuk janë më thjesht instrumente për t’u mbrojtur nga ligji. Ato janë shndërruar në instrumente për t’u mbrojtur nga e vërteta e dalë në dritë të diellit me gjithë kapjen e mediave. Ato janë shndërruar në industri të prodhimit të interpretimeve ku qeveria mund të kacavirret për t’ia hedhur lumit.

Asnjë fakt, asnjë provë, asnjë indicie nuk menaxhohet sot nga prokuroria për të zbardhur të vërtetën. Përkundrazi, ajo po punon vetëm si një studio projektimi, për të hartuar arkitekturën e alibive absurde që mund të gjunjëzojnë edhe sofizmin më të çmendur. E si të mos mjaftojë kjo, ajo detyrohet t’i riformulojë në mënyrë të vazhdueshme tezat e saj, në varësi të skandaleve të reja që iu shtohen ngjarjeve.

Vendi ka hyrë tashmë në një rrugë të rrezikshme e cila kërcënon të ardhmen e tij. Rrezikojmë që shteti të bjerë totalisht në duart e mafies dhe krimit të organizuar, gjë prej të cilës zor se mund të dilet në të ardhmen. Për këtë arsye duhet doemos një reagim mbarëshoqëror për të rrëzuar burimin e gjithçkaje: Qeverinë. Nuk bëhet fjalë më për një luftë politike PD-PS, por për një reagim mbarëkombëtar ndaj një qeverie që po e merr vendin me vete në humnerën ku po rrokulliset.

Rrëzimi i Ramës është nevojë urgjente, jo për opozitën, por për të gjithë vendin. Përtej dallimeve, i majtë-i djathtë, liberal-konservator, sot ka nevojë për një front të gjerë kundër qeverisë, pjesë e të cilit duhet të jetë edhe vetë Partia Socialiste, në mos, socialistët e thjeshtë dhe të pa përfshirë në zararet e qeverisë. Kjo parti ka nevojë më shumë se kushdo të shpëtojë nga kjo qeveri. Duke kriminalizuar qeverisjen, Kryeministri Rama po inkriminon forcën politike që përfaqëson. Kjo pritet të ketë pasoja afatgjata, ku integrimi individëve të lidhur me veprimtari kriminale mund të bëhet i pashqitshëm, edhe pasi PS-ja të lërë pushtetin.

Rrëzimi i Ramës, do ta çlirojë vetë Partinë Socialiste nga imazhi ku e ka zhytur lidershipi i saj, e mbi të gjitha, do të çlirojë vetë anëtarët dhe aktorët e saj, nga strukturat paralele kriminale që i parazitojnë mbi shpinë. Unë besoj se në atë parti ka ende njerëz që kanë mençurinë ta kuptojnë këtë, madje shumë socialistë e dëshirojnë heshturazi. Duhet vetëm që kjo mençuri të gjejë kurajë të veprojë e ta parandalojë të keqen, sa është në kohë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Revista Mapo publikon listën: 50 njerëzit më të fuqishëm në politikën shqiptare

Cilët janë njerëzit më me ndikim në politikën shqiptare? Revista Mapo sjell...
Read More