Shpirt krishtlindjesh, por politika dështon të marrë mesazhin

vladimir-karajNga Vladimir Karaj

Është një rutinë e përvitshme. Politikanët në Shqipëri i përdorin festat fetare për të dhënë mesazhe të paqes, dashurisë, mirëkuptimit e të ngjashme. E gjitha kjo “e rrejshme” dhe në shumicën dërrmuese të rasteve krejt formale aq sa mund të klasifikohej nën: “Politikë si zakonisht”. Këtë vit, meqë Kisha Katolike vendosi të mos i priste, politikanë të rëndësishëm në vend u shfaqën në shumicë në krah të kryepeshkopit ortodoks dhe disa gjetën vend të thërrisnin kamerat pranë protestantëve. E me gjithë përpjekjet për t’u dukur bamirës dhe të përfshirë nga shpirti i festës, ata vetëm rikonfirmojnë se nuk i shpëtojnë dot formalizmit të qokës dhe bindjes së përgjithshme se nuk përkasin në festë.

Pas mesazhit të Papës dje nga Shën Pjetri, vendimi i katolikëve duket të jetë më global, një frymë kundër komercializimit të shpirtërores. “Jezusi lindi i refuzuar nga disa dhe i injoruar nga shumë të tjerë. Sot mund të ekzistojë e njëjta indiferencë, kur Krishtlindja bëhet një festë ku jemi ne protagonistët dhe jo Jezusi, kur dritat e tregtisë lënë në hije dritën e Zotit, kur ne jemi të shqetësuar për dhuratat, por të ftohtë ndaj atyre që janë margjinalizuar”, tha Papa Françesku, në mesazhin dërguar botës.

Ai është në të njëjtën frymë me atë të kishës në Tiranë, që vendosi të mbyllte dyert për politikanët dhe zyrtarët. Një qasje që i shërben kësaj të fundit për të bërë të qartë se është në “aleancë” me të varfrit dhe të pamundurit. Katolikët shqiptarë po ashtu i gjykuan si hipokrite pritjet e politikanëve. “Kjo filloi të kthehej më shumë në një qokë se sa në diçka të ndjerë. Të jemi të sinqertë: këtë gjë e shihnim të gjithë nga pak si një barrë, si diçka që duhej bërë, por që nuk sillte ndonjë kënaqësi të madhe”, thuhej në shpjegimin që i bëri kisha vendimit të saj.

Por politikanët në Shqipëri refuzojnë ta marrin mesazhin.

E privuar nga “qoka” në katedralen katolike, pati sërish fat në një vend me disa fe, të ishte e pranishme në prani të festimeve të ortodoksëve. Duke thënë thuajse gjithmonë të njëjtat fjali, duke shmangur, me gjasme se nuk duan t’ia prishin festës pyetjet politike dhe ripërsëritur klishe që i braktisin aty për aty.

E ndërsa katolikët kanë arsyet e tyre për t’i përjashtuar prej pritjeve dhe ortodoksët po ashtu arsyet e tyre për të mos e mbajtur të njëjtin qëndrim, ata që duhej të kishin kuptuar mesazhin, sillen sikur ai nuk ekziston.

Krishtlindja në fakt e lejon këtë. Festa është e tillë, ajo kërkon të falim, të pranojmë, të dhurojmë, të jemi bashkë. Thellë-thellë ky është mesazhi i të gjitha kremtimeve fetare dhe politikanët nuk kanë pse të jenë të përjashtuar. Por ndërsa pak vite më parë shtrimi i një iftari prej tyre apo vizita në kishë ishin krejt normale, sot ata duken më shumë si të paftuar.

Kisha Katolike në fakt vetëm sa bëri të qartë atë që mendojnë shumica e shqiptarëve për politikën në vend. Një kartolinë si kjo drejtuesit politikë si zor e kanë pritur, nga ana tjetër zgjedhja e tyre për të kryer vizita atje ku mundeshin është tregues i vështirësisë që kanë për të lexuar mesazhin. Ata janë të paftuar dhe po ashtu janë të padëshiruar. Sfida e tyre është ta ndryshojnë këtë, por në fillim të paktën do duhej të kishin lexuar drejt mesazhin e Kishës Katolike.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Nxehet gara: Trump parakalon Clinton në sondazhe

Për herë të parë në këtë fushatë të gjatë elektorale në SHBA,...
Read More