Shqetësimet pa bazë për kryeprokurorin e përkohshëm

Nga Ervis Iljazaj

Të gjitha gjasat janë që Kryeprokurori i përkohshëm, të zgjidhet në seancën e ardhshme parlamentare vetëm me votat e mazhorancës. Për këtë arsye opozita shqiptare dhe një pjesë e opinionit publik, ka ngritur alarmin, se një gjë e tillë do të çojë në kapjen e organit të akuzës nga mazhoranca, dhe si pasojë do të ndikojë në të gjitha proceset që janë të hapura kundër saj, fut këtu edhe procesin e famshëm Tahiri.

Sigurisht që, nëse Kryeprokurori, qoftë edhe i përkohshëm, do të zgjidhej me konsensus nga palët politike, do të ishte një vendim politik i drejtë dhe më i pranueshëm. Megjithatë edhe në këtë mënyrë, shqetësimet që janë ngritur për këtë proces janë të tepruara dhe të pabaza për disa arsye.

Së pari, duhet të pranojmë që Reforma në Drejtësi është një investim plotësisht amerikan, dhe personal i Ambasadorit Donald Lu. Aq e vërtetë është kjo, sa që për shkak të protagonizmit publik të tij për këtë qëllim, shpeshherë është anatemuar, apo sulmuar. Qëllimi kryesor i kësaj reforme, shprehur publikisht dhe nga ndërkombëtarët, është ndarja e plotë e organeve të drejtësisë, veçanërisht atyre të akuzës nga politika. Në letër kjo Reformë e siguron plotësisht këtë qëllim, mirëpo deri tani politika ka përdorur çdo mjet për ta penguar.

Duke parë këtë kontekst, a mund të mendojë kush se pas gjithë këtij investimi amerikan, mazhoranca aktuale do të zgjedhë një kryeprokuror, qoftë edhe i përkohshëm, që të jetë në varësi të saj dhe të mbyllë proceset që janë kundër saj?!

Duket një pamundësi absolute, pasi e gjithë sforcoja politike dhe financiare amerikane, sigurisht nuk mund të përkthehet në një lehtësi të paimagjinueshme për Edi Ramën dhe mazhorancën për të zgjedhur një kryeprokuror vartës të tij. Nëse ndjekim logjikën e opozitës, atëherë vetë ambasadori amerikan është duke i dhënë kësaj mazhorance kontrollin mbi kryeprokurorin?!

Së dyti, opozita shqiptare ka ngritur shqetësimin se nëse mazhoranca zgjedh një kryeprokuror vetëm me votat e saj, e bën këtë për të mbyllur çështjen Tahiri. Edhe kjo mundësi duket e pabesueshme, sepse cikloni mediatik që është ngritur mbi këtë çështje, sytë e vetë opozitës dhe të gjithë ndërkombëtarëve nuk e lejojnë një gjë të tillë. Kryeprokurori i përkohshëm që do të zgjidhet, për këto arsye, as do guxonte ta bënte një gjë të tillë.

Së treti, me ligjin e ri të prokurorisë, që tashmë është në fuqi, kryeprokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetenca të ndikojë në një çështje penale të caktuar, apo të ndikojë në karrierën e prokurorëve.

Së katërti, le të marrim të mirëqena të gjitha pretendimet e opozitës, duke menduar se vërtet mazhoranca i duhet kryeprokurorit të përkohshëm për të mbyllur çështje të nxehta. Edhe nëse një gjë e tillë është e vërtet, atëherë opozita shqiptare duhet të rrisë presionin për të formuar KLP që do të mundësonte zgjedhjen e Kryeprokurorit të pavarur, i cili ka të gjithë të drejtën dhe mundësitë për të rihapur çdo çështje që mund të jetë mbyllur dhe, në këtë mënyrë, kryeprokurorin e përkohshëm, do ta bënte shumë të përkohshëm, aq sa nuk do të kishte asnjë ndikim të asnjë çështjeje të rëndësishme.

Për të gjitha këto arsye, shqetësimet për kryeprokurorin e përkohshëm duken pa bazë, dhe përdoren vetëm si një mjet për lojën politike. E vërteta është se, tanimë letrat janë hapur dhe asnjë politikan, i mazhorancës apo i opozitës qoftë, nuk ndihen të sigurt me Reformën në Drejtësi, e cila po shkon drejt përfundimit. Për këtë arsye, politika shqiptare është tensionuar, gjë e cila vihet re në çdo veprim të saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

UET Gjimnaz Tour: Këshillim karriere për maturantët në bankat e shkollës

Pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës kanë udhëtuar në të gjitha gjimnazet...
Read More