Shqipëri-BE, etapat e marrëveshjeve, sa pranë ishim, sa larg shkuam

Raporti i Shqipërisë me Bashkimin Europian nga kontaktet e para në vitin 1991, deri në ditët e sotme. Si u sfumua shansi i madh në vitin 1996 dhe problemet që gjithnjë erdhën nga klasa politike. Rrugëtimi i mundimshëm drejt Europës dhe konfliktet që na lanë pas.

Nga Sebi Alla

Në vitin 1991 Shqipëria “braktisi” bllokun lindor dhe pa me ëndje nga perëndimi, edhe me parulla: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Një dëshirë e pjesës më të madhe të shqiptarëve, që pas 45 vjet izolimi në komunizëm, ktheu sytë përgjithnjë nga vendet e zhvilluara dhe Europa hapi dyert, duke e bërë të qartë se ishin pro integrimit. Kërkesës masive të qytetarëve nuk iu përgjigj politika në vend, që në situata të veçanta, vendin më shumë se drejt Europës, e çoi në buzë të greminës. Historiku i marrëdhënieve Shqipëri-BE është mjaft interesant, ku shansin më të madh për t’u integruar me të drejta të plota në familjen europiane i patëm në vitin 1996, por u rrënua gjithçka në pak muaj, për t’u kthyer në pikën zero. Marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian (BE) u vendosën në vitin 1991, por ngjarja më e rëndësishme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së u shënua një vit më vonë, në 11 maj 1992, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit, e cila hyri në fuqi më 1 dhjetor 1992 . Po në këtë periudhë, Shqipëria përfshihet në Sistemin e Përgjithshëm të Preferencave (GSP), i cili përfaqësonte një regjim të përgjithshëm preferencash tregtare që BE-ja u ofronte një numri të gjerë vendesh me të cilat ajo kishte marrëdhënie kontraktuale.

Mundësi e hedhur

Në ato kohë postkomuniste, vendi ynë përfitoi shumë fonde në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe po tentohej t’i jepej prioritet demokratizimit të vendit. Në vitin 1996, Shqipëria ishte pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje të re kontraktuale me BE-në, e cila do të hapte rrugën për një marrëveshje klasike asocimi. Ishte momenti që vendi ynë u fut në paradhomën e sallës së madhe të BE-së, por situata politike në vend dha shkelmin e fortë, duke na çuar shumë vite pas, për ta parë Europën gjithnjë e më larg. Zgjedhjet e kontestuara parlamentare të majit të vitit 1996, së bashku me krizën e thellë financiare dhe sociale që pasoi në fillim të vitit 1997, nga rënia e skemave piramidale, bënë që të dështojë çdo iniciativë në këtë drejtim. Shqipëria ishte në luftë ekzistenciale, jo më të mendonte për t’u afruar në Europë. Gjithçka ndodhi si nga politika në vend, ashtu edhe koniunkturat penguese ndërkombëtare. Tentativa për ndryshimet kushtetuese të vitit 1994, zgjuan “ëndrrën” e liderit Berisha për të pasur më shumë pushtet dhe me Kushtetutë, vendi ynë gati ligjëronte një lloj autoritarizmi politik. Ndonëse referendumi kushtetues dështoi, zgjedhjet e vitit 1996 u karakterizuan nga shkelje të rënda dhe dhunë të hapur ndaj opozitës. Sikur të mos mjaftonin vetëm këto probleme serioze që godisnin një nga shtyllat kryesore të demokracisë, vendi shpejt kaloi në kaos total pas rënies së skemave piramidale, që nxitën revoltën popullore dhe shpërthimin e depove të armëve. Përfundimisht Shqipëria humbi çdo shans për të qenë një nga vendet që shpejt do tërhiqej drejt BE-së, e cila në atë kohë ishte me vetëm 12 anëtarë dhe kërkonte zgjerim. Për nga kushtet, deri në fillim të vitit 1996 ishim gati në një linjë me Kroacinë, Rumaninë dhe më vonë edhe Slloveninë. Shqipëria mbeti pas, ku një rol “ndihmues” në prapambetje për të shembur atë pak kala të ngritur, luajtën vendet ballkanike Greqia dhe Serbia, por me një shkelje “syri” nga Franca europiane, aleate e përhershme e tyre. U shfrytëzua momenti më i errët politik e historik i viteve 1996-1997 që Greqia të gjente terren për të lobuar fuqishëm që Shqipëria të mos i bashkohej Europës. Madje në distancë, Athina zyrtare kishte probleme me Italinë, e cila tentoi në çdo mënyrë që në vitet ‘90 të ndihmonte në shumë drejtime Shqipërinë dhe të ishte ajo dora e përhershme e zgjatur drejt integrimit në BE.

Rikthimi i ëndrrës

Dy vitet pas 1997-ës ishin më shumë për të ngritur edhe një herë në këmbë ngrehinat e shtetit dhe vendosur rendin, por sërish Europa nuk u “lodh” me problemet e brendshme të vendit tonë. Në nëntor të vitit 1999, Komisioni Europian paraqiti një raport mbi studimin e fizibilitetit për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Samiti i Zagrebit i vitit 2000 lançoi Procesin e Stabilizim- Asocimit për 5 vende të Europës Juglindore, që u finalizua me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit në 2006, që nënkuptonte një qasje graduale politike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë në BE. Por nëse vendet e tjera si Kroacia, Rumania dhe Bullgaria shkuan edhe më shpejt drejt BE-së, ne ishim ende në “inkubator” për shkak të sëmundjes së vjetër, kryesisht të konflikteve të brendshme politike. Një lloj stabiliteti në fushën e rendit u arrit, por u “diagnostikuam” me një sëmundje që vështirë të shërohet; fenomeni i korrupsionit në nivele të larta; probleme të theksuara me shtetin e së drejtës; mungesa e drejtësisë; përhapja e krimit të organizuar dhe zgjedhje politike të kontestuara. Në vitin 2010, u futëm në një proces të rëndësishëm, që në një lloj mënyre ishte “integrim gjysmak”, pasi hyri në fuqi liberalizimi i vizave drejt hapësirës “Schengen”. Ndërkohë, edhe pse me hapa të ngadaltë, vendi po tentonte të krijonte një profil më stabël politiko-ekonomik dhe më 24 qershor 2014, Bashkimi Europian vendosi t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Tentativat e tjera pati në çdo kohë me progrese, raporte e shtysa, por lajmi i rëndësishëm është se sot zyrtarisht KE ka paraqitur raportin ku iu propozon vendeve anëtare të BE-së që Shqipëria të jetë vend kandidat për në BE. Shumë herë ka qenë mundësia, asnjëherë nuk është shfrytëzuar dhe tashmë kriteret kanë ndryshuar nga stabilitet politiko-ekonomik në luftë ndaj krimit të organizuar, reformë të thellë në drejtësi dhe ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta. Fjalët janë premtuese nga politika, por veprat duken ende larg, duke i dhënë të drejtë jo euroskeptikëve, por “shqiptaroskeptikëve”, që problemin e mosintegrimit e kemi brenda vetes. 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Beteja e fundit për KLP-në

Nga Ervis Iljazaj Sa më shumë afrohet momenti për të formuar organet...
Read More