Shqipëri e Kosovë: Këngët më të vjetra që i këndohen Flamurit

flQëndresa dhe flijimi për flamurin tonë kombëtar, si paraqiten në këngët tona historike momentet, ngjarjet nga rezistenca dhe lufta e atdhetarëve

Nga Dr. Hysni Hoxha

Flamuri ynë kombëtar është identiteti i historisë sonë dramatike, është simbol i aspiratave dhe idealeve në luftë të përgjakshme për çlirimin tonë kombëtar nga pushtuesit barbarë dhe simbol i bashkimit kombëtar.

Ndjenja më tragjike dhe më tronditëse e imazhit të flamurit tonë të përgjakur evokohet në këngën popullore “Prej Prokupje deri në Nish”, të cilën e këndon rapsodi dhe atdhetari ynë,

Dervish Shaqa:

Ço’ Zeqir Bajrakun!

S’mund po e luj prej gjakut…

Ky është ai flamuri ynë kombëtar i shenjtëruar dhe i rënduar prej gjakut të trimave tanë, që u flijuan në mbrojtje të trevave tona etnike. Në këngët tona historike paraqiten momente, ngjarje nga rezistenca dhe lufta e atdhetarëve tanë. E tillë është kënga “Më të rrallë duke luftuar” në të cilën, tregohet zbritja e ushtrisë nga mali në Pogradec, duke luftuar. Djaloshi trim, Gani Butka bërtet:

-Kam flamurin për të marrë!

Nuk bëhet ashtu kjo punë,

këtyre s’ua lë flamurë.

Flaka e ndjenjës atdhetare në zemrën e guximshme e nxiti trimin, djaloshin njëzet e trevjeçar të vërsulej për t’ua rrëmbyer tradhtarëve simbolin e shenjtë. Pas një gjendjeje të tensionuar evokohet metaforikisht aksioni i djaloshit:

Nëpër mizëri u lëshua,

trimi burrë si farkua.

Në konfliktin me forcat esadiste në Pogradec më 7 korrik 1914, vritet Gani Butka. Krijohet një pamje tragjike, vizuale dhe rrëqethëse: Prapsuni, o djem, mënjanë, Do ta puth Ganinë në ballë! Këto janë fjalët tronditëse të Sali Butkës, atdhetarit, burrit të gjakut të tij, i cili e solli në kalë, djaloshin trim, Ganinë e vrarë “mbuluar me plagë”, i cili u flijua për flamurin tonë kombëtar. Në këngën “jam shqiptar e nuk ul flamur” krijuesi ynë popullor është frymëzuar nga qëndresa dhe heroizmi i rrallë i Kamer Loshit nga Kosova, i cili ka qenë luftëtar i vjetër i Çetës së Azem Galicës. Kamer Loshi nuk u përkul para naçelnikut serb, i cili e urdhëroi ta hiqte flamurin kuqezi nga shtëpia ku zhvillohej ceremonia e dasmës. Vargu asociativ: “Mos ma shkil barin mbi vorre” shpreh revoltën kundër pushtuesit. Me vlerë asociative janë edhe vargjet:

Kam themelin, o te ky gur,

Jam shqiptar e nuk ul flamur!

Kamer Loshi, i rrethuar në shtëpinë e tij nga ushtria e krajlit të Serbisë në fshatin Padalisht të Burimit, deri në frymën e fundi të jetës së tij luftoi heroikisht kundër armikut, që ia vuri zjarrin shtëpisë. Me shtatë plagë digjet ky trim në flakën që e mbuloi shtëpinë e tij dhe nuk lejoi të rrëmbehet flamuri kombëtar në ceremoninë e dasmës; nuk lejoi as të shkelet pragu i shtëpisë nga këmba e pushtuesve serbë. Nga pushka e Kamer trimit mbetën të vrarë dhjetëra ushtarë të Serbisë mbretërore.

Heroizmi, ideali i lartë kombëtar dhe flijimi për atdhe, mbeten të pavdekshme në kujtesën e kombit tonë. Flijimi më i madh për flamurin është bërë më 6 prill të vitit 1911 në Deçiq. Shtatë malësorë trima, që nuk i frikësoheshin vdekjes, u nisën drejt Bratilës në Deçiq për të hequr flamurin gjysmëhëne dhe në vend të tij të vendosnin flamurin tonë kombëtar. Gjatë aksionit luftarak kundër tre taborëve të osmanlinjve, që ruanin flamurin e Perandorisë Osmane, shtatë malësorë trima të guximshëm, flijoheshin për flamurin. Flamuri nuk binte, por kalonte prej dore në dorë të trimave tanë. Pas rënies së trimit Marash Ucit, prej tyre vetëm Prelë Gjeka arriti në Bratilë, i cili hoqi flamurin e armikut dhe vendosi flamurin kuqezi me shqiponjën dykrerëshe dhe nga plumbat e armikut u flijua për këtë simbol të shenjtëruar nga gjaku i atdhetarëve tanë. Malësorët trima u vërsulën të heqin flamurin e Perandorisë Osmane. Gjaku derdhej trimat binin, por flaka atdhetare rritej për çlirimin e atdheut.

Një qëndrim i tillë u dëshmua në luftën heroike të kryengritjes së Malësisë kryesuar nga trimi i madh i Malësisë, Dedë Gjo Luli. Pas luftës së përgjakshme kundër forcave të armatosura të Perandorisë Osmane, Dedë Gjo’ Luli, me çetën e tij të Lekëve, çliroi Deçiqin, dhe në fshatin Bratilë të Deçiqit, më 6 prill 1911, ngriti flamurin kuqezi.

Është rast i rrallë në historinë e njerëzimit që një komandant i një ushtrie tjetër të mbrojë popullin apo shtetin kundër të cilit lufton. I tillë ka qenë Hasan Riza Pasha, komandant i ushtrisë së Perandorisë Osmane.

Pas bisedës me autoritetet e Shkollës Françeskane, Hasan Riza Pasha urdhëroi që të ngrihej flamuri ynë kombëtar në Kalanë Rozafati të Shkodrës. Mirëpo ndodhi më e keqja: pas lajmit që ia dërgoi Gjergj Fishtës: “Nesër ka m’u ngreh flamuri i Shqypnísë”, ai atë natë, më 21 kallnor, vritet mizorisht nga kriminelët malazias, nëpërmjet tradhtarit të kombit, Esat Pasha. Me rastin i rivarrosjes së eshtrave të Hasan Riza Pashës, këtij miku të madh të shqiptarëve, këtij komandanti, demokrati, fisniku, trimi, Gjergj Fishta tha: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u bë fli prej atyneve që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baraz me heronjtë e kombit tonë”.

Gjergj Fishta në kryeveprën “Lahuta e Malcís” dhe në vepra të tjera, ka qenë kundër pushtuesve të trojeve tona. Ai edhe në veprimtarinë e tij publike ka luftuar me vetëmohim për interesin kombëtar. Si hynë Fuqitë e Mëdha në Shkodër, Gjergj Fishta ngriti flamurin shqiptar mu në majë të kambanores së Kishës së Fretërve. Një akt i tillë i Fishtës ka qenë kundër ndarjes së Shkodrës nga atdheu ynë, Shqipëria. Me një akt të tillë Fishta u ka treguar Fuqive të Mëdha, po ashtu edhe fqinjëve grabitqarë se Shkodra ka qenë dhe do të mbetet qytet i Shqipërisë. Kjo ide më në fund u realizua.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Po qeverisemi me lajmokraci! 18 shkurti, fillimi i një vendimi të madh”

Sekretarja e marrëdhënieve me Publikun në PD gjykon se opozita dhe qytetarët...
Read More