Shqipëri e “ngrirë”, pa ujë dhe nën acar

ngrica9Situatë kaotike në të gjithë vendin si pasojë e motit të keq. Problemeve të izolimit nga dëbora dhe akulli i shtohet edhe mungesa e ujit të pijshëm në disa qytete. Mbesin pa ujë për 48 orë kryesisht banorët e pallateve që kanë depozitat në tarraca. I gjithë vendi me rrjete kaotike dhe të amortizuara të sistemit të ujësjellësit.

Kusuret e motit të keq që e kanë ndalur termometrin disa gradë nën zero, shtojnë edhe një tjetër problem serioz në vend, mungesën e ujit të pijshëm si pasojë e ngricave të mëdha.

Investimet e vetë banorëve, (që nuk janë ta pakta me depozita kryesisht mbi tarraca), nuk kanë funksionuar këto ditë, ndërsa gjendja në disa qytete të vendit është edhe më e rëndë, pasi përveç ngrirjes së tubacioneve nëpër katet e pallateve, ka pasur mungesë në furnizimin normal me ujë nga rrjeti kryesor.

Më shumë se gjysma e Tiranës në dy ditët e fundit vuan mungesën e ujit të pijshëm si pasojë e ngricave, ndërsa Durrësi është thuajse totalisht në kaos, pasi u shfaqën probleme në furnizimin kryesor të ujësjellësit që mbërrin nga Fushë-Kuqja.

Në Lezhë gjithashtu flitet për situatë të rëndë dhe qytetarët u dyndën drejt disa burimeve të hapura në periferi, duke mbajtur radhë të gjata me bidonë në duar.

Deri më tani dy viktima janë shënuar nga i ftohti, të pastrehë në Durrës dhe Sarandë, por edhe uji ka shkaktuar një humbje njerëzore.

Një 62-vjeçar nga Gjirokastra mbeti i vdekur në tarracën e pallatit ku banonte pasi në tentativë për të rregulluar depozitën, rrëshqiti dhe u përplas me betonin, çka i solli vdekjen e menjëhershme.

Informacionet që mbërrijnë kryesisht në Veri dhe Verilindje të vendit janë mjaft të rënda. Mbi 90 fshatra të thella malore janë bllokuar si pasojë e reshjeve të dëborës dhe ngricave.

Gjithashtu, probleme janë regjistruar edhe në akset nacionale në Kukës, Dibër, Librazhd dhe Malësi të Madhe.

Sikur të mos mjaftojë vetëm moti i keq, disa persona shfaqën probleme shëndetësore dhe në tri raste është dashur ndërhyrja nga ajri me helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes për t’i dërguar në spital.

Të ndodhur gati në pa përgatitje të plotë, disa kompani të kontraktuara për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe ngricat nuk kanë vënë në dispozicion mjetet e tyre dhe shpërndarjen e skorieve dhe kripës në disa akse rrugore kombëtare.

Sugjerimi i strukturave shtetërore si gjithnjë mbetet “sensibilizimi” për shmangien e udhëtimeve përgjatë këtyre ditëve.

Veç rrezikut të madh nga aksidentet, apo bllokimeve për një kohë të gjatë të rrugëve, ngricat kanë lënë pa ujë pjesën më të madhe të Shqipërisë, ku më shumë se problem nga pasojat e motit, vjen për shkak të mungesës së investimeve serioze.

Specialistë të ujësjellësit shprehen se në pallatet e vjetra depozitat e ujit të pijshëm janë vendosur kryesisht në tarracë dhe në këtë mot të ftohtë, kanë ngrirë si tubacionet përcjellëse ashtu edhe uji.

Më mirë paraqitet situata në banesat e reja, ku sistemi i depozitave është i vendosur në katin e parë ose bodrume dhe nuk ka pasur ngrirje të tyre.

Në ditë të tilla puna është shtuar për hidraulikët, që me mjete të ndryshme ndërhyjnë për ndërrimin e tubacioneve nga ato metalike në plastike, duke u vendosur edhe mbështjellëse kundër ngricave.

“Kam punuar edhe në Greqi dhe Itali si hidraulik dhe ka pasur temperatura shumë herë më të ulëta se këto ditë në vendin tonë dhe sërish nuk kishin probleme me furnizimin normal me ujë” –thotë Arben Kasa, ndërsa shton se problemi kryesor në vendin tonë janë tubacionet e vjetra metalike dhe kaosi në vendosjen e tyre.

I gjithë sistemi hidraulik në të shumtën e rasteve është e ekspozuara jashtë ambienteve dhe nuk janë të lidhura me infrastrukturë qendrore, të cilat më pas kryejnë shpërndarjen në mënyrën e duhur.

Një premtim i kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj një vit më parë, se do të urdhëronte heqjen e të gjithë depozitave të ujit, pasi përveç pjesës “estetike” ishin edhe burim i mbajtjes së mikrobeve, nuk është realizuar.

Kjo për vetë faktin se Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë (UKT), nuk siguron ujin e pijshëm 24 orë në ditë pa ndërprerje.

Mund të ngjajë gati në kufijtë e absurdit, por nëpër tarracat e pallateve, apo banesat private, vetëm në Tiranë janë hedhur mbi 130 milionë euro për blerjen dhe vendosjen e depozitave të ujit.

Që të gjitha investime individuale të banorëve, që të gjendur përballë mungesës së ujit, u detyruan që të vendosin depozita.

Tashmë edhe kjo “shpikje” tipike shqiptare, nuk po funksionon më pasi tonelata të tëra peshe që qëndrojnë mbi pallate po kthehen në rrezik për katet e sipërme, duke provokuar si shembje të pjesshme, ashtu edhe rrjedhje për shkak të amortizimit të depozitave dhe tubacioneve.

Mjaftoi vetëm pak ditë i ftohtë dhe temperaturë disa gradë minus që edhe shpikja nga halli të mos kryejë më funksion, kryesisht për shkak të ngricave.

Specialistët sugjerojnë që të paktën një herë në dy orë banorët të lënë hapur çezmat, në mënyrë që uji të qarkullojë për të mos krijuar ngrirjen e depozitave dhe tubacioneve.

Ndërsa edhe në këtë rast, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve kanë vënë në dispozicion disa numra telefoni në mënyrë që qytetarët të raportojnë për çdo problematikë që mund të kenë.

Pavarësisht se duken të “gjindshëm”, punonjësit e ujësjellësit në raste të tilla për shkak të ngricave e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë, çka ka bërë që për të paktën 48 orë i gjithë vendi përç përballjes me acarin të jetë edhe pa ujë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ja akuzat: Shpallet në kërkim ish-kryebashkiaku i Kukësit

Tre ish-zyrtarë të lartë lokalë të Bashkisë së Kukësit janë vënë në...
Read More