Shqipëri-Greqi, fqinj i mirë, fqinj i keq

Marrëdhëniet zyrtare Shqipëri-Greqi, të kushtëzuara nga humori politik. Nga kërcënimet për veton e vendit fqinj për integrimin e Shqipërisë në BE, në ndërhyrjet në punët e brendshme. Politika që kryeministri Rama ndoqi me Greqinë në katër vite dhe hapja e çështjes çame si problemi që nervozon deri në kërcënim zyrtarët e lartë grekë. Athina zyrtare me marrëdhënie të tendosura dhe tregim force me të gjithë fqinjët. Ku po shkon Ballkani i trazuar?!

Nga Sebi Alla

Revista Mapo

Në jemi fqinj të mirë, nga aty mësuam si të bëjmë sullfaqe, prej andej erdhi xaxiqi… Aty punojnë e jetojnë afro 1 milion shqiptarë, të integruar kur politika është e qetë, të trazuar kur dikush hap një debat nacional. Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë të destinuara të mbesin me periudha të paqta e normale kur politika është në humor të mirë, po me tollovi e kërcënime, qoftë edhe për një batutë të hedhur. Kemi kaluar periudha të arta miqësie kur na dhanë të drejtën për t’u futur në NATO, e në shkëmbim u ofruam ca varreza ushtarësh, edhe aty ku nuk shkeli këmbë ushtari, u dhamë det, e prapë ua “morëm”, me pak dredhi kushtetuese. U tregojmë që jemi këtu me të drejta të barabarta si fqinj, por kërcënojnë se nuk do pranohemi kurrë në BE, qoftë edhe për shembjen për shkak zhvillimi të 14 a më pak shtëpive himarjotësh, që e quajnë veten minoritarë. Hapim dosjen tragjike të shqiptarëve të masakruar të Çamërisë, por fqinji ynë çel nga arkivat ligjin e luftës. Mbi këtë marrëdhënie sa serioze aq edhe komike ka vend edhe për të parë përtej së tashmes. Tirana dhe Athina zyrtare shpesh kapërcejnë mbi ndjesitë e qytetarëve të dy vendeve që nuk shihen si armiq të përbetuar mes tyre. Të paktën katër vitet e fundit dhe me gjasë edhe katërvjeçari që po vjen, marrëdhëniet shtetërore do mbesin gjithnjë të ftohta, jo deri në ngrirje diplomatike, por as me premisën e një vere të gjatë.

Më jep, të jap…

Kriza ekonomike që vijon të jetë ende e shtrirë në vendin fqinj ka bërë që Athina më shumë se të mendojë për të qenë “lider” me vendet më pak të zhvilluara të Ballkanit, ka kthyer sytë nga vetja për të mbyllur hesapet me borxhin që duhet të shlyejë në arkën e madhe të BE-së. Të paktën kryeministri grek Alexis Tsipras është më i distancuar nga konfliktet, e fare rrallë mund të dalë si “lider rajonal”, por anëtarët e qeverisë së tij, nuk pengohen për t’u krekosur. Herë pas here ministri i Mbrojtjes i Greqisë Panos Kammenos dhe presidenti grek Prokopis Pavlopuolos, shtojnë “piper” në gjellën ballkanike që gjithnjë zien nën sytë e Europës. Tone fort të buta të termave nacionaliste i mban Tsipras, duke injoruar deri në përbuzje konfliktet që të shpien drejt kurrkundit. Kryeministri Edi Rama me fqinjët tanë grekë në katër vite u mundua të ndjekë udhën e reciprocitetit, duke tentuar me forcë të fshijë njëherë e mirë ndjesinë e nënshtrimit, por në disa raste kreu rolin e “gërricjes” me statuse “fejsbuksash”. Fillimisht i konsideroi strategjike marrëdhëniet dypalëshe, por pak muaj më pas lindën edhe konfliktet e para. Takimet gati në përmallim dhe shumë të shpeshta mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, (armikut të “mikut” grek), tingëlloi keq deri në nervozizëm te fqinji ynë jugor. Çoroditjet nuk njohën limit kur ministri i Mbrojtjes së Greqisë shkoi në kufirin greko-shqiptar i veshur me uniformë ushtarake dhe i dha gojës duke hapur “luftë” në dy fronte, Turqisë dhe Shqipërisë. “Dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë traktatet ndërkombëtare me deklarata provokuese. Nga njëra anë kemi Turqinë, e cila me deklaratat e saj të përsëritura po përpiqet të minojnë klimën politike. Përgjigja jonë është sipas të drejtës ndërkombëtare, duke mbrojtur sovranitetin kombëtar të vendit. Ndërsa deklaratat e fundit nga Rama na sjellin përsëri në kujtesën tonë se ata për të cilët ai flet ishin bashkëpunëtorë të nazistëve. Ne nuk do të pranojë sfida të tilla, ne nuk do të pranojë raporte të tilla, të cilat infektojnë dhe historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Kammenos nëntë muaj më parë. Për të nervozuar një zyrtar të lartë grek nuk kërkon shumë mund, mjafton t’i përmendësh çështjen çame dhe histerizimi është i garantuar. Gjatë një interviste në një televizion grek, kryeministri Rama foli për çështjen Çame, duke deklaruar se çamët kanë të drejtë të kërkojnë pronat e tyre. Pas këtij qëndrimi reaguan deputetët ekstremistë në Athinë, të cilët haptas kërcënuan me veton e tyre për të penguar Shqipërinë për integrimin në strukturat e BE-së. “Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat dhe duket sikur BE po bën të njëjtat gabime me Shqipërinë ashtu si ka bërë me Turqinë. Greqia do të vendosë veton për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nëse nuk ka përmirësime”, -tha eurodeputeti grek i Agimit të Artë, Georgios Epitideios. Çështja çame dhe veçanërisht problemi i pronave të tyre, nuk ishte vetëm një “trill” me regji në Tiranë, pasi zyrtari i lartë i BE-së Komisioneri Johannes Hahn deklaroi se Shqipëria dhe Greqia duhet të hapin një dialog institucional edhe për këtë problem dhe të tjera që mbesin pezull. Deklaratat e Hahn ishin më të rëndat për Greqinë, e cila nëpërmjet eurodeputetëve të saj kërkuan me ngulm që Komisioneri të shpjegohej. Në asnjë rast zyrtarët grekë nuk e kanë njohur gjenocidin ndaj popullsisë çame, e cila në vitet 1941-1945 u përfshi nga vrasjet, dhunimet, plaçkitjet dhe shpërnguljet masive. Në aparencë marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë për një fqinjësi të mirë, por problemi është po aty, në një dosje të madhe që sa herë shfletohet kundërshtitë pashmangshmërisht të çojnë në qëndrime të kundërta.

Kërcënimi me veton

“Ne jemi përpjekur të mos biem në nivelin e deklaratave të rënda. Ne duam me Greqinë miqësinë, respekt reciprok dhe strategjik. Ne nuk mbyllim sytë e veshët dhe bëjmë sikur nuk kuptojmë për disa çështje që janë në tavolinë që janë të një rëndësie të veçantë për interesin tonë kombëtar dhe dinjitetin tonë kombëtar”, -tha Rama pak javë më parë, teksa u pyet për marrëdhëniet me fqinjët tanë jugorë. Kryeministri sqaroi se në tavolinë është ligji i luftës dhe lëvizjes së lirë për të gjithë njësoj. “Është edhe çështja e varrezave. Në raport me varrezat do të kemi thjesht dhe vetëm raportin e dinjitetit human. Varreza më e madhe e pushtuesve në një vend tjetër, është ajo e nazistëve në mes të Rusisë. Kjo do të thotë dinjitet. Janë gjëra që janë në tavolinë”, komentoi Rama. Nëse deklaratat mbesin për një dialog të hapur, konkretisht askush nuk ka guxuar të nxjerrë në dritë çështjet me rëndësi, pasi divergjencat lindin shpejt ende pa u marrë në shqyrtim. “Kjo po ndodh edhe me Shqipërinë fqinje. Edhe ajo duhet të gjejë vendin e saj në BE, por me respekt të plotë te të drejtat europiane. Dhe një prej shtyllave të të drejtave europiane janë të drejtat e njeriut. Kur shikojmë shkelje të tilla të të drejtave themelore, siç është për shembull e drejta e pronësisë, si është e mundur që Greqia të favorizojë një perspektivë të tillë europiane, të një shteti që shkel të drejtat europiane?!”, u shpreh presidenti grek, që në pyetjen e tij kishte edhe përgjigjen e qartë që në rast se Shqipëria do “shkelë” të drejtat e pronësisë të minoritetit grek, atëherë Athina zyrtarisht do vendosë veton për mospranimin e Shqipërisë në BE. Mes çështjeve për diskutim është kërkesa e Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes çame, sidomos çështja e pronave, lëvizja e tyre e lirë dhe krijimi i një komisioni të përbashkët dypalësh për ndarjen e detit. Ndërsa Greqia nga ana e saj kërkon me ngulm ngritjen e varrezave të reja për ushtarët grek të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të drejtat e minoritetit dhe zgjidhjen sa më shpejt të vendosjes së kufirit detar mes dy vendeve. “Do të bëjmë çmos me shembuj konkret të kujdesit, të vëmendjes, të mirëkuptimit me minoritetin grek në Shqipëri, që për mua dhe për ne është një pasuri e madhe. Ata janë qytetarë të barabartë të këtij vendi dhe janë pa diskutim një prani më shumë se sa e dëshiruar në këtë vend. Për fat të keq në këtë marrëdhënie ka shumë interferenca, ka agjenda politike jo dashamirëse, që në një mënyrë ose në një tjetër, dezinformojnë, manipulojnë, instrumentalizojnë edhe nivelet më të larta në Athinë”, -tha Rama në një nga intervistat e fundit. Sipas tij, Shqipëria nuk e ka luksin të bëjë sikur marrëdhëniet janë normale, kur marrëdhëniet kanë probleme. “Ne jemi në një proces bashkëbisedimi me fqinjët tanë për t’i sheshuar gjërat që i kanë penguar këto marrëdhënie të jenë të lira dhe të funksionojnë shumë më mirë si marrëdhënia prej të cilave varet një pjesë e rëndësishme e qetësisë dhe e mirëqenies të njerëzve në të dy anët e kufirit jugor”, shtoi kryeministri Rama. Shpeshherë marrëdhëniet kalojnë edhe në kufijtë e qesharakes. Një grup qytetarësh nga Himara protestuan se po u prishen banesat në mënyrë të selektuar se ishin deklaruar si “minoritarë”. Ndërsa rendnin në bashki edhe aty e gjetën derën e mbyllur, shpejt u ankuan në Athinë, që kjo e fundit t’u dilte në mbrojtje. Nuk vonoi gjatë dhe një zgjidhje u erdhi, mbase edhe e imponuar. Një darkë në një restorant grek mes ministrit Ditmir Bushati dhe homologut Nikos Kotzias u mbyll me shtrëngim duarsh dhe “fatura gastronomike” ishte që familjet që prekeshin nga prishja e objekteve për shkak të zhvillimit në Himarë duhet të dëmshpërbleheshin me vlerën e tregut. Për ta bërë më të besueshëm këtë “problem madhor”, duhej edhe pak shfaqje para kamerave, kur dy ministrat Damian Gjiknuri dhe Mirela Kumbaro “përzemërsisht” u takuan me përfaqësinë e banorëve të Himarës dhe iu komunikuan lajmin e mirë se gjithçka do të zgjidhej.

Greqia dhe fqinjët

Nga katër fqinj që Greqia ndan kufirin, me tre prej tyre ka marrëdhënie të vështira. Problemet e Greqisë me Turqinë gjithnjë mbeten të acaruara, duke treguar herë pas here jo vetëm forcën diplomatike, por kërcënime edhe me “armë” bosh. Incidentet janë të shumta dhe nuk janë të pakta rastet kur avionë ushtarakë bëjnë paradë në “ajrin neutral” për të treguar se kush vlen më shumë. Edhe në këto raste të dyja palët pendohen kur vjen ndonjë thirrje nga shtetet europiane. Pavarësisht se si Greqia ashtu edhe Turqia bashkohen në NATO, konfliktet mes palëve vështirë të shuhen lehtë dhe rivaliteti prej dekadash qëndron mes tyre. E shkuara historike kthehet herë pas herë dhe të dyja vendet raportet i kanë të tendosura duke u dhënë shpesh edhe karakterin e një “lufte të ftohtë”, që nuk arrin të që nuk tremb shumë, por mbetet vetëm një krekosje politike për më të fortin. Nëse marrëdhëniet Greqi-Turqi mbeten edhe peng i së shkuarës, e njëjta gjë po ndodh edhe me Maqedoninë. Nëse Maqedonia ende e sheh veten larg NATO-s ajo ka vetëm një emër, fqinji grek. Athina zyrtare kërkoi që Maqedonia të ndryshonte emrin për t’u quajtur Fyrom dhe jo Maqedoni, pasi ky emërtim i përkiste një krahine të Greqisë së lashtë. Që nga viti 2008 dhe në vazhdim marrëdhëniet Maqedoni-Greqi kanë brenda nervozizëm dhe frymë “Ballkanike” ku asnjë nuk tërhiqet nga e vetja. Gjithashtu edhe më Shqipërinë, Greqia kurrë nuk ka pasur një periudhë të paqtë të gjatë. Pjesës së historisë nuk mund t’i hiqen ato fletë me fakte e dëshmi të shumta për masakrën e kryer nga ushtria greke në territorin shqiptar në vitet 1910-1914. Pas një periudhe disi të qetë klithjet e urrejtjes u kthyen sërish ndaj popullsisë shqiptare dhe ata që përjetuan gjenocidin ishin shqiptarët e Çamërisë. Mijëra të vrarë, dhunuar, shpërngulur dhe konfiskim të pasurisë. Këtë metodë çnjerëzore e justifikuan me luftën duke “argumentuar” se çamët bashkëpunuan me nazizmin, por faktet gjithnjë munguan. Pati një kohë të qetë nga viti 1949-1991 ku si Shqipëria ashtu edhe Greqia shpesh tregonin forcën ushtarake, por pa shtënë një plumb të vetëm. Atëherë kur u përmbys sistemi komunist, nënkuptohej se marrëdhëniet do njihnin një tjetër formë të paqtë në dy vendet demokratike, por incidentet nuk munguan, që nga vrasjet e emigrantëve e deri në dyshimet se një grup komandosh grek kaluan kufirin dhe vranë dy ushtarakë në një repart në Peshkpi të Gjirokastrës. Duke përfituar edhe nga një tulatje e Shqipërisë si pasojë e problemeve ekonomike, ekstremistët e djathtë në Greqi çdo vit krekoseshin në Himarë dhe zonat e tjera të pretenduara si të populluara me minoritarë, duke shfaqur flamujt e nacionalizmit të “Vorio Epirit”. Me të gjithë fqinjët Greqia ka probleme, herë shfaqen e herë qëndrojnë në heshtje, për t’u dikur diku, në moton: “fqinj i mirë, fqinj i keq, sipas humorit politik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tahiri: Berisha, Shkëlzeni, Meta, Monika e Basha të përballen me mua

Deputeti Saimir Tahiri u rrethua menjëherë nga përkrahësit e tij pasi doli...
Read More