Shqipëria bardh e zi e Petrit Kumit



Shqipëria komuniste parë me syrin e një fotografi dhe jo të një fotografi  të rastësishëm, por të “fotografit të Bllokut”. Petrit Kumi, “babai” i fotografisë, kujtimet e asokohe i ka pjesë të jetës. Fotot e tij janë procesi ynë historik. “Puna krijuese në dhomën e errët, zhvillimi i negativave dhe i fotografisë nëpër baçinela do të mbetet për mua një kujtim, një përvojë e papërsëritshme, unike në llojin e vet”. Fotot e tij janë realiteti bardh e zi i një epoke gjurmët e së cilës ai ka sjellë përmes objektivit. 85-vjeçari, nis e na rrëfen të fshehtat përtej aparatit, ndjesitë, frikën, pse dhe jo dhe përfitimet e një jete brenda dhe jashtë rrethimit të Bllokut komunist.

 

Nga Aida Tuci

 

Në “kurthin” e Bllokut

Ai ishte një fotoreporter i thjeshtë që shumë shpejt u bë i preferuari i Bllokut. Ishte ndër të paktët njerëz që çante rrethimin njeriu i ri marre nga albumi i Petrit Kumit (2)brenda kryqytetit, sa herë që ndonjë nga zonjat e Bllokut kërkonte set fotografik. “Kisha frikë kur më caktonin mua të shkoja t’u bëja foto banorëve të Bllokut, se mund të ndodhte të mos u pëlqente fotoja ose mund të ndodhte të mos e realizoja dot foton. Por me sa duket atyre u pëlqente fotoja ime dhe më thërrisnin gjithmonë. Ishin zonjat që bënin kërnesëm. Për Enverin ishte gjithmonë Nexhmija. Imazhi që përcillej në popull ishte shumë i rëndësishëm. “Jo vetëm udhëheqësit, pëlqenin të fotografoheshin por edhe familjarët e tyre. Donin të fotografonin të gjitha momentet e rëndësishme të jetës së tyre. Në sa e sa gëzime e dasma të Bllokut kam qenë, nuk mbahet mend. Anëtarët e Byrosë e vlerësonin jashtëzakonisht shumë fotografinë, pavarësisht se jo autorin e saj. Fotografia vepron më shpejt dhe ka impakt më të shpejtë se një shkrim në gazetë, p.sh. Ishte një kurim që ata i bënin imazhit të tyre. Duhej medoemos të dilnin bukur në foto, por edhe nëse nuk dilnin, duhej ti ta bëje të bukur me zor…” Që do të thoshte se nëse personazhit nuk i pëlqente fotoja mbetej një punë e madhe për fotografin për t’u bërë në laborator. Një fotografi në kopertinën e Revistës ‘Ylli’ mund të të bënte edhe Ministër. Kështu i ndodhi Themie Thomait. “Pasi mbaroja punën me udhëheqjen, shkoja në kooperativa dhe në uzina ku ndërtohej. Atje njeriu i parë që duhej të takoja ishte sekretari i Partisë, i cili me jepte tematikën që duhej të trajtoja dhe njerëzit me të cilët duhej të kontaktoja. Personazhet që fotografoja nuk duhej të kishin biografi të keqe. Tregoheshim të kujdesshëm në këtë drejtim. Mundohesha që në fotot e mia njerëzit të shihnin veten e tyre për t’u ndjerë optimist për jetën. Atëherë asgjë në realitet nuk të bënte optimist, por mundohesha dhe kërkoja edhe unë të sillja në foto pak bukuri njerëzore. Në një nga këto ditë më dërguan në kooperativën e fshatit Këmishtaj në Lushnjë. Isha vënë në kërkim të një vajze që të ishte pak më e vrarë se vajzat e tjera që punonin në kooperativë. Ajo që zgjodha ishte Themie Thomai. U mundova ta fotografoja bukur. E ula në gjunjë afër një thesi me grurë. Atë ditë ajo kishte veshur një bluzë pak dekolte dhe u përpoqa që ta fotografoja nga lart. Fotoja e saj doli aq e bukur sa u vu në kopertinën e revistës. Kthehem pas disa javësh në po të njëjtën kooperative, dhe atë punëtoren e thjeshtë e gjej të graduar brigadiere, pak më vonë u bë kryetare e kooperativës dhe një ditë të bukur e pa veten Ministre të Bujqësisë. Kështu ndodhte përgjithësisht me ata që dilnin nëpër kopertina, nuk kalonte pak kohë dhe ngriheshin në detyrë. Kur e takova Themien ministrie i them si me shaka. “Themie, nuk të bëj më fotografi se më shumë se ministre këta nuk kanë çfarë të të bëjnë tjetër”.

Petrit Kumi qesh kur e kujton këtë episod, por mbi të tilla absurditete u ngrit dhe mbijetoi për 45 vjet regjimi komunist në Shqipëri. Duke qenë se dukja ishte shumë e rëndësishme, e zeza duhej të paraqitej gjithherë si e bardhë, shumë prej fotografive që bënte Petri Kumi duhej të kalonin medoemos në montazh. Montazhi, ishte dy llojesh; të “zbukuroje” atë çka ishte e shëmtuar, por dhe të fshije nga fotoja personat e padëshirueshëm. “Kjo ishte bërë diçka shumë normale, ishte pjesë e procesit të punës së një fotografi në atë kohë. Drejtori të thërriste dhe thoshte që do të heqim këta njerëz nga filan foto. Dhe ne merrnim penelin e prishnim, dhe bënin prapë film që nxirrnim fotot e spastruara nga elementë të padëshirueshëm. Por më shumë montazhe kam bërë kur në krye ka qenë Ramiz Alia, sesa në kohën kur drejtonte Enver Hoxha.”

Petrit Kumi ka edhe personazhin “e preferuar” mes të dyve. Sipas tij Ramiz Alia nuk kishte asnjë lloj predispozite për të dalë bukur në foto, përkundrazi kontraktohej shumë dhe dilte shumë keq. “Ai pëlqente më shumë Televizionin. Vetë drejtori Marash Hajati rrinte aty sa herë që Ramizi duhej të dilte në televizor. Herë pas here dukej se dhe Hajati tallej me fiksimin e Alisë për të qenë fotozhenik, kur ndërpriste në ndonjë moment xhirimin dhe ngrihej dhe i krihte flokët.” Ndaj Ramizi ishte dhe modeli më i vështirë për tu fotografuar. Ndodhte që zihej keq me fotografët. “Ishte ironik, cinik. Ndodhte që kur hyje për ta fotografuar të drejtohej me nerva: po ti, pse ke ardhur? Kur e dinte fare mirë se pa lejen e tij nuk mund të hyje në shtëpinë e tij”. Kurse Enver Hoxha ishte ndryshe. Ai ishte ndryshe dhe dilte mirë. Nga pikëpamja fotografike, Kumi thotë se premtonte figurë cilësore. “Ai dinte të pozonte si aktor. Edhe në momentet më të këqija të jetës së tij, kur ishte i sëmurë, fotot e tij dilnin shumë mirë. E vetmja herë që më ka lodhur, ishte fotografia e tij e fundit, një javë para se të vdiste, në shtëpinë e tij. Kam shkuar 15 ditë rresht në shtëpinë e tij në Bllok për t’i bërë një portret. Më kishin urdhëruar, sigurisht me kërkesë nga Nexhmije Hoxha, që duhet të shkoja në shtëpinë e tij për t’i bërë një foto. Ai ishte shumë sëmurë dhe një nga dhomat e kthyem në studio fotografike me projektorë ndriçimi dhe të gjitha mjetet e nevojshme. Për 15 ditë me radhë kam shkuar atje që në orën 8 të mëngjesit deri në orën 15.00, pa arritur ta realizoja foton. Kur ma ulën për herë të parë në karrige, nuk e besoja se ishte ai. Sëmundja e kishte shpërfytyruar tërësisht. Pas 15 ditësh kujtova një këshillë të fotografit të Mao Ce Dunit, të cilin e kisha takuar në Kinë gjatë një kursi që unë bëra atje, që më thoshte: Kur Mao është i kontraktuar dhe nuk arrij t’i bëj asnjë foto, e fus në biseda personale dhe kështu ai çlirohet. Kështu bëra atë ditë.”

Por tmerri më i madh për një fotograf është kur shprepjet kanë shkuar huq. Petrit Kumi e ka ndjerë vetën keq në dy raste të vetme, dhe këto përballë Enver Hoxhës. “Mos harro që asokohe punonim me aparate mekanike dhe me filma. Tmerri më i madh ishte kur të ndodhte me anëtarët e Byrosë politike. Më ka ndodhur dy herë me Enver Hoxhën: një herë në një takim në Akademinë e Arteve me artistët dhe një herë në një Kongres. Nga hutimi kisha futur kasetat, por kisha harruar të hiqja siguresën. Me pak fjalë shkrepjet më kishin shkuar huq dhe nuk kisha asnjë fotografi.” Në një rast të tillë ndihma e kolegëve të shpëton nga telashet.

 

Hoxha në tribunën e fundit

Është bërë me rastin e festave të nëntorit, në vitin 1984. Më këtë rast do të zhvillohej Spartakiada në stadiumin “Qemal Stafa”, ku thuhej se do të vinte edhe Udhëheqësi. Në fakt, ishte periudha kur mediat e huaja aludonin se ai ishte në shtratin e vdekjes. Kështu, kishte zëra se ai mund të mos vinte në këtë përvjetor, por nga ana tjetër vetëm për të ishte montuar një ashensor që do ta ndihmonte atë të ngjitej në podiumin e stadiumit. “Kryeredaktori i revistës ‘Ylli’, ku unë punoja, më thotë se duhej të isha patjetër atje, sepse revistës i shtoheshin shumë pikë nëse do të kishte kopertina të bukura politike. Duke dëgjuar thashethemet që Udhëheqësi mund të mos vinte, unë kisha vendosur të mos shkoj, por kryeredaktori më thotë se ai do të jetë dhe se duhej të shkoja patjetër. Gjithsesi, nuk e di pse ndërrova mendje (ndoshta nga frika) dhe shkova dhe u ngjita në parapetin e stadiumit. Kur hipa atje lart, shoh që ishin instaluar të gjitha kamerat: Televizioni shtetëror, kamerat e Kinostudios. Kameramanët bërtisnin se u kisha zënë pamjen e tunelit nga thuhej se do të vinte Udhëheqësi. Kur hedh sytë nga tuneli shoh Enver Hoxhën që e mbante përkrahu Sulo Gradeci. Enveri e kishte njërën dorë të paralizuar dhe Sulo ia mbante lart. Në momentin që hyri në ashensor dhe do të dilte në publik ai i jep një të shtyrë dorës që të qëndronte në pozicionin lart, sikur përshëndeste për pak sekonda. Në këtë moment unë i bëj disa shkrepje dhe nisem me vrap në punë për të zhvilluar filmin. Rezultoi se fotoja ishte perfekte, dhe shpejt e shpejt fotografia ime u çua në ATSH, ku u shumëfishua dhe iu dërgua të gjitha mediave që ishin asokohe. Të gjitha e kishin në faqe të parë portretin e tij, që përshëndeste me duar lart. Të nesërmen më thërret kryeredaktori i revistës ‘Ylli’ dhe më thotë se duhet të shkoja te postblloku i Udhëheqjes dhe se ushtarët do më shoqëronin për te shtëpia e Enverit. Në fillim pata një lloj druajtje, se mos nuk u ka pëlqyer fotoja. Në shtëpi më pret Nexhmija, e cila më bën dhe një kafe e ma vë përpara. “Të falënderoj shumë – më tha – se i ke bërë një shërbim të mirë Partisë, sepse shtypi botëror ka shkruar se shoku Enver është në prag të vdekjes. Me këtë foto u kemi dhënë një goditje të fortë.”

 

Çfarë ndodhte jashtë rrethimit?

Përgjithësisht fotot politike (që përbëjnë dhe shumicën e arkivit të Petrit Kumit), bëheshin sipas sloganit të momentit. Nëse Partia thoshte “Njeriu i ri”, Peterit Kumi do të vraponte kantier më kantier për të gjetur modelin e duhur me kazëm dhe pushkë ë dore. Nëse parrulla ishte “Fshati socialist”, do të shkohej në çdo kooperative nga Veriu në Jug për të sjellë modelin e fshatarit socialist. Për Petrit Kumin fotografimi ishte një proces krijues artistik sidomos pranë artistëve dhe shkrimtarëve.

“Fotot politike ishte përgjithësisht statura, ndërsa foto artistike mund të quaj ato me personalitete të ndryshme të artit dhe kulturës. Në takimet me ta isha miku në rradhë të parë, pastaj fotografi”. Janë shumë personalitete që Petri Kumi i ka sjellë në albumin e tij fotografik titulluar “Jeta përmes objektivit…”. Piktorin Abdurrahim Buza e takoi në një kafene teksa gjerbte kafenë e tij të zakonshme shoqëruar gjithmonë me cigare. Akademikët e shquar Aleksa Budën, Eqrem Çabejn dhe Mahir Domin i gjeti në një moment pune në Akademinë e Shkencave. “Shkrimtarët i doja shumë. Vargun dhe prozën e tyre mundohesha ta sillja përmes imazheve. Ka fiksuar në objektivin e tij shkrimtarin Petro Marko. Është një foto e vitit 1969, dhe fotoja është shkrepur në zyrat e ‘Zëri të Popullit’ para një makine shkrimi. Vetëm pak kohë më pas shkrimtari do të transferohej nga Tirana në Korçë se kishte shkelur ‘vijën e Partisë’.

Shkrimtarin Dritëror Agolli e vizitoi një ditë në stuidon e tij. Në krah si gjithmonë i qëndron bashkëshortja, Sadija. Një kujtim nga ai moment është tashmë pjesë e arkivit të tij. Ndalej shpesh dhe në studion e skulptorëve dhe piktorëve. Llazar Nikollën, Odhise Paskalin teksa gdhendin heronjtë, Kristaq Ramën në një moment privat me të birin, Edi Rama. Aktorët Naim Frashëri, Ndrek Luca, Violeta Manushin, Drita Pelinkut, Kadri Roshi etj, në sheshxhirime, Lukë Kaçajt, Nina dhe Avni Mulës, Ramiz Kovaçit dhe Gjuze Kosturit në skenën e Operas. Ismail Kadarenë dhe Helena Kadarenë në shtëpinë e tyre të vogël në rrugën “Luigj Gurakuqi”, por dhe në Paris, para lokalit të preferuar të çiftit Kadare, në La Tarrase.  “Me Ismail Kadarenë kisha njëfarë miqësie, sidomos me Helenën. Të dy punonim në shtyp dhe jemi njohur shumë herët. Kam qenë disa herë i ftuar në shtëpinë e tyre për të bërë foto. Sesi e kam njohur Kadarenë e kam shkruar në albumin tim me fotografi”. Ishte verë e vitit 1936, një ditë çuditërisht me shi dhe fotografi me shkrimtarin u takuan për herë të parë rastësisht nën strehën e një ndërtese. “E kisha fotografuar disa herë, por nuk kishte ndodhur ndonjëherë të kishim qenë aq pranë”- kujton Kumi. Biseda mes tyre vëritej rreth fotografisë. “Edhe unë e preferoj shumë fotografinë, më pëlqen shumë të fotografoj. Kur studioja në Moskë e kam praktikuar fotografinë. Në Moskë kam blerë shumë gjëra për fotografinë. Kur u ktheva nga studimet, në vitin 1960, i solla të gjitha në Shqipëri; aparatin fotografik “Zorki”, baçokun për larje filmash, baçinelat për larjen e fotografive, aparatin e xhirimit 16mm, një aparat projektimi, një laborator të tërë. Kënaqem kur i kujtoj…Ç’profesion i bukur fotografia ”- i kish thënë shkrimtari në atë takim që zgjati disa minuta. Nga ai takim pasuan dhe shumë të tjera mes fotografit dhe shkrimtarit dhe për çdo takim Petri Kumi ruan si kujtim fotografitë. Kjo ishte Shqipëria tjetër, ajo jashtë rrethimit të Bllokut, “fytyra” e bukur e Shqipërisë, siç thotë Kumi.

 

Imazhet “erotike” të komunizmit

Fotoja ime “erotike” në atë kohë ishte një çift pas një peme, pas së cilës dukeshin këmba e femrës dhe e mashkullit. Ose një tjetër në fshat, një çift pranë mullarit me lopata në dorë, që të jepte përshtypjen e një momenti intim mes tyre. Në atë kohë njerëzit e pëlqenin fotografinë, sepse, në njëfarë mënyre ishte një lloj kënaqësie njerëzore dhe dëshirë e tyre që të kishin një kujtim. Sigurisht, që vihej re ndryshimi nga Blloku e përtej tij. E tregoja këtë në shtëpi, por edhe miqve të mi më të ngushtë, se më tutje nuk guxoje.

 

 

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Kryebashkiaku i Dibrës, pas emërimit në punë, i kërkon seks 20-vjeçares

Shfaqet në televizionin Ora News video-skandali me Kryetarin e Bashkisë së Dibrës,...
Read More