Shqipëria drejt zgjedhjeve pa opozitën

Ka qenë një mision i pamundur ai i dy përfaqësuesve europianë McAllister- Fleckenstein për të zgjidhur krizën politike. Mazhoranca ka pranuar propozimet e prezantuara nga dy negociatorët, përfshi edhe shtyrjen e zgjedhjeve. Rama ka refuzuar kërkesën e opozitës për qeveri teknike, por ka pranuar që të bëjë ndryshime në qeveri. Basha ka këmbëngulur se pa qeveri teknike nuk mund të ketë zgjidhje 

Nga Fejzi Braushi

Misioni McAllister- Fleckenstein nuk ka sjellë asnjë rezultat për t’i dhënë zgjidhje krizës politike që prej disa javësh ka përfshirë vendin. Zëvendës/presidenti i Partisë Popullore Europiane (PPE) David McAllister dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, kanë dështuar të bindin krerët e politikës shqiptare që të lëvizin nga pozicionet e tyre dhe të pranojnë një zgjidhje kompromisi që do i jepte fund ngërçit. Shkak është bërë pikërisht kërkesa e opozitës për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një qeveri teknike pa Ramën kryeministër. Kërkesë kjo që është refuzuar nga kryeministri Rama, i cili gjithsesi mësohet se ka pranuar që për t’i dhënë mundësi kompromisit të bëjë ndryshime në qeveri, duke përfshirë në të sa më shumë persona teknikë. Ndërkohë që paralelisht me të mësohet se Rama ka pranuar që të shtyjë zgjedhjet deri në 16 Korrik, si një datë që do i japë mundësi procesit zgjedhor për të rivendosur afatet e reja të regjistrimit të partive dhe koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Negociatat në zyrë

Ka qenë një ditë e gjatë negociatash ajo e djeshme. Sapo kanë mbërritur në Tiranë dy përfaqësuesit e PE nisën një takim me përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës. Takimi ka zgjatur afërsisht 1 orë dhe në të mësohet se dy negociatorët kanë njohur përfaqësuesit e së majtës me një draft propozimesh që mësohet se ishte përgatitur nga përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së në Tiranë. Megjithëse drafti nuk u bë publik, mësohet se ai përmbante disa pika që synonin të rrisnin garancitë zgjedhore për opozitën, duke përfshirë ndryshime të kontrolluara nga opozita në kupolën e Policisë së Shtetit, ndryshim të kreut të KQZ-së, i cili mund t’i jepet opozitës, apo edhe kriminalizimi i fenomenit të shitblerjes së votës. Propozime këto që janë pranuar nga kreu i qeverisë për sa kohë në to nuk përfshihej fare kërkesa e opozitës për qeveri teknike. Me një po paraprake të Ramës në “xhep” dy ndërmjetësit i janë drejtuar selisë blu, ku janë pritur në një takim që ka zgjatur afro 90 minuta nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Megjithëse në përfundim të takimit kryetari i opozitës është shfaqur i qeshur për mediat, diskutimet me McAllister dhe Flackenstein nuk kishin ecur ashtu siç duhet. Por gjithsesi negociatorët janë njohur edhe një herë me qëndrimet e opozitës, çka iu ka shërbyer atyre për të nisur edhe një raund të dytë takimesh me secilën palë.

Negociatat në Pallatin e Kongreseve

Jo pa qëllim negociatat u zhvendosën kësaj here në ambientet e pallatit të Kongreseve, ku në dy ambiente të ndryshme McAllister dhe Fleckenstein do të zhvillonin takime të veçanta me të dyja palët. Kështu, McAllister si numri dy i të djathtëve europianë mori përsipër që të negociojë me përfaqësuesit e PD-së, ndërkohë që Fleckenstein diskutonte me Ramën dhe Metën. Ata iu kanë bërë të ditur palëve në mënyrë konkrete qëndrimet e shprehura në takimet e mëparshme dhe kërkesat e secilës prej tyre, ndërsa kanë përcjellë edhe përgjigjet respektive. Por ashtu siç edhe pritej, gjetja e një konsensusi ka qenë një mision i pamundur për dy negociatorët europianë. 30 minuta pasi kishte ngjitur shkallët e Pallatit të Kongreseve, kreu i opozitës Lulëzim Basha do të largohej sërish, ndërsa insistimit të medias do t’i përgjigjej shkurt “mbaruam punë këtu”. Ndërkohë që pas tij janë larguar kryeministri Rama e më pas kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Të fundit janë larguar dy negociatorët McAllister dhe Fleckenstein, të cilët do të uronin shkurt “natën e mirë”, duke konfirmuar në këtë mënyrë dështimin e kësaj përpjekjeje dhe se konferenca për shtyp që kishin paralajmëruar për në mesnatë nuk kishte më arsye të bëhej.

Deklarata e BE

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë nëpërmjet një njoftimi për mediat ka zbardhur negociatat e zhvilluara nga dy të dërguarit e Brukselit, David McAllister dhe Knut Fleckenstein me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, duke i quajtur diskutimet të mira. “Kryetari i komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister dhe raporti i PE për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, u takuan me mazhorancën dhe opozitën, ku patën një diskutim të mirë. Të dy deputetët paraqitën propozime për gjetjen e zgjidhjeve, e cila përfshinte dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve,  masat teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masat e ndërtimit të besimit politik”, – thuhet në këtë deklaratë. Më tej BE konfirmon se gjatë diskutimeve ishte diskutuar për shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe mundësive për të bërë ndryshime në strukturën qeverisëse.  “Ata gjithashtu propozuan ide për shtyrjen e zgjedhjeve dhe ndryshimet e mundshme parazgjedhore në strukturat qeveritare për të ndërtuar besimin afatgjatë në sistem. Nga ana e shumicës, kishte marrëveshje mbi pikat e propozuara në mënyrë që opozita të shkojë dhe të votojë Vettingun në Kuvend”, -thotë BE në deklaratën e vet. Në fund të këtij njoftimi zyra e BE-së bën të ditur edhe qëndrimin e PD-së për qeveri teknike. “Partia Demokratike mbajti qëndrimin e saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe për miratimin e një sistemi votimi elektronik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Ndërkohë që Fleckenstein dje në mbrëmje pas një darke që ka pasur me McAllister dhe ambasadoren Vlahutin bëri të ditur se nuk do ketë më negociata.

Basha: Javën e ardhshme, përshkallëzim i mosbindjes civile

Dështimin e negociatave e ka pranuar dje në mbrëmje edhe  Basha, i cili pasi zhvilloi edhe një takim me ish-kryeministrin Sali Berisha, shkoi në çadrën e protestës në Bulevard, ku tha se përpjekja e dy përfaqësuesve europianë nuk pati sukses. “Rama refuzon qeverinë teknike si zgjidhjen e vetme dhe si zgjidhjen e ndershme për të krijuar kushte dhe premisa të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke zbatuar dekriminalizimin, duke luftuar drogën dhe duke garantuar reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR, përfshirë votimin edhe numërimin elektronik. Ky refuzim ka përballë frikën e Ramës për të lëshuar karrigen kryeministrore”, – u shpreh Basha. Ndaj ai ka bërë të ditur se në këto kushte PD do të përshkallëzojë reagimin e saj deri në mosbindje civile deri në plotësimin e kërkesave të opozitës për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Jemi të vendosur të vazhdojmë pa kthim betejën popullore për zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike për një Vetting të vërtetë. Javën e ardhshme do të nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anembanë Shqipërisë. Koha kur në Shqipëri bëhen votime e jo zgjedhje ka marrë fund. Nuk do të ketë kurrë më pushtet pa opozitë”, -tha Basha. Ndërkohë që pas deklaratës së Bashës ka reaguar edhe kryeministri Rama, ku nëpërmjet një statusi në Facebook do të deklaronte se kusht për zgjidhjen nuk ishte qeveria teknike por vettingu. “Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por pa Vettingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”, – u shpreh Rama.

Propozimet e Parlamentit Europian

  1. Pika mbi dekriminalizimin
  1. Lufta kundër lëndëve narkotike
  1. Masa teknike për përmirësimin e kryerjes së zgjedhjeve
  1. Masa për ndërtimin e besimit politik
  1. Ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve, 16 korrik
  1. Ndryshime të mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë
Shkruar Nga
More from revista mapo

Përgjithmonë Eglantina

Ka mësuar si të bëhet një politikane me vlera, përfaqësuese edhe mbrojtëse...
Read More