Shqipëria, më shumë të sëmurë, por më pak shtretër e njësi spitalore se në vitet 2000

Në vitin 2015 Shqipëria kishte 41 institucione spitalore, të cilat së bashku kishin një kapacitet prej 8752 shtretër. Të dhënat janë bërë të ditura nga Instituti i Statistikave. Ajo që bie në sy është fakti që si numri i institucioneve spitalore ashtu dhe i shtretërve në dispozicion të të sëmurëve është më i ulët se në fillim të viteve 2000.

1

Picture 1 of 4

Konkretisht, në vitin 2000, në vend kishte 51 institucione spitalore dhe 10,162 shtretër. Pra numri i shtretërve në dispozicion të të sëmurëve në 2015-n ishte 14% më i ulët sesa 15 vjet më parë.
Dhe kjo ka ndodhur në një kohë që numri i të sëmurëve është shtuar. Po sipas INSTAT, në vitin 2000 kishte rreth 257 mijë të shtruar, ndërsa në 2015-n kishte 276 mijë, pra rreth 4% më shumë.

Ulja e numrit të shtretërve në një kohë që ka pasur më shumë të sëmurë, ka bërë që të reduktohet koha e qëndrimit të një të sëmuri në spital. Në vitin 2000, mesatarja e ditëve të qëndrimi të të sëmurit në spital ishte 7.1, ndërsa në 2015-n, ra në 5.6.

E njëjta tendencë konstatohet edhe për qendrat shëndetësore, rënia e numrit të të cilave ka filluar pas vitit 2004. Në 2004-n kishte 688 qendra shëndetësore, ndërsa në 2016-n numëroheshin 418 të tilla. Teksa numri i vizitave është shtuar në 3.3 milionë në 2015-n, nga 2.4 milionë në 2004, qendrat shëndetësore kanë qenë shumë të zëna me pacientët.

Shpenzimet e ulëta për shëndetësi
Ndër 43 vende europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

Sipas agregateve fiskale të publikuara nga FMN për periudhën 2012-2015 shihet se shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja e europiane për këtë tregues ishte 6%.

Në këtë renditje Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës së saj. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1 %.

Mania e koncesioneve
Vitet e fundit, Koncesionet me Partneritet Publik-Privat janë vënë në themel të politikave shëndetësore. Koncesionet e monitorimit online të barnave, monitorimit online të recetave dhe regjistri elektronik i rekordeve shëndetësore do të nisin punë këtë vit. Në Strategjinë e Shëndetësisë 2017-2020, ku bëhet e ditur se përveç implementimit të check-up-ëve për popullatën e grupmoshës 40-65 vjeç, Partneriteti Publik-Privat do të shtrihet drejt programeve dhe shërbimeve madhore shëndetësore, si për shembull instrumenteve kirurgjikalë; dializa; paketa e trajtimit të SJT; shërbimeve laboratorike; mbetjeve spitalore, etj. Gjithashtu Partneriteti Publik-Privat do të përfshijë edhe monitorimin online të barnave dhe të dhënave shëndetësore.

Përveç koncesionit të shërbimeve laboratorike që tashmë është në finalizim, edhe katër koncesione të tjera janë planifikuar të nisin këtë vit. Koncesioni i trajtimeve të mbetjeve spitalore është në fazën e përgatitjes. Një kompani private do të licencohet për të trajtuar posaçërisht mbetjet spitalore.

Kalimi për menaxhim nga privatët i ka rritur disafish kostot për disa shërbime shëndetësore. Shpenzimet buxhetore për shërbimin laboratorik në vitin 2015 ishin 2.3 milionë euro, ndërsa koncesionari do të paguhet me rreth 10 milionë euro në vit.

Dhënia me shpejtësi e koncesioneve në sektor ka sjellë dublime ndërmjet tyre. Labopharma (menaxhimi i laboratorëve) dhe 3P Life Logistic Check Up) paguhen me 16 milionë euro në vit nga buxheti për shërbime laboratorike, kryesisht.

Ekspertët vënë në dukje se koncesionet janë bërë duke mos marrë në konsideratë analizat e kostove dhe përfitimeve.

Shkruar Nga
More from Revista User

Humb jetën roja në Durrës, e zë poshtë dera e ndërmarrjes

Një 52 vjeçar ka humbur jetën sot pasi e ka zënë sipër...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.