Shqipëria: Vendi ku askush nuk pyet dhe të gjithë përgjigjen

Nga Klementin Mile

Problemi më i madh i një shoqërie është paaftësia për të ngritur pyetje. Problemet e tjera – ekonomike, juridike, politike, edukative, fetare, morale – janë dytësore në raport me të. Në fakt, këto probleme të tjera përshkallëzohen pikërisht prej kësaj paaftësie. Me këtë nuk kam parasysh ato fjalitë që mbarojnë me shenjën e pikëpyetjes, pasi ato nuk janë domosdoshmërisht pyetje.

Shkrimtari italian Italo Calvino ka shkruar për një lloj kodi që, sipas tij, do të orientonte mijëvjeçarin e ri. Ky kod është dallimi ndërmjet legerezza dhe pesantezza, pra ndërmjet lehtësisë dhe rëndësisë. Në kuptimin kohor e lehta është diçka e paqëndrueshme, e ikshme, variable; ndërkohë që e rënda është e qëndrueshme, rezistuese, konstante. Në kuptimin faktik e lehta shfaqet si e papërcaktuar, si ekuivoke; ndërkohë që e rënda si e përcaktuar dhe univoke.

Referuar pyetjeve dhe përgjigjeve mund të thuhet se pyetjet karakterizohen nga rëndësia, ndërsa përgjigjet nga lehtësia. Pyetja, që të jetë vërtet e tillë, duhet të jetë singulare, e qëndrueshme në kohë dhe e përcaktuar qartë. Nga ana tjetër, përgjigjja nuk mund të jetë veçse partikulare, e prandaj e ikshme dhe ekuivoke.

Por a nuk është paradoksale të thuash se në Shqipëri të gjithë japin përgjigje dhe askush nuk shtron pyetje? Si mund të emërtohet ‘përgjigje’ një gjë që nuk i përgjigjet pyetjes? E nëse nuk i përgjigjet pyetjes, për cilën gjë është përgjigje? Megjithatë, fakti që jemi përballë një paradoksi nuk duhet të na shqetësojë, madje tregon se kemi kapur intuitën e duhur. Siç shkruan filozofi danez Kierkegaard: “Mendimtari pa paradoks është si dashnori pa ndjenjë”.

Në Shqipëri nuk ka pyetje sepse nuk ka një shqetësim të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm për gjërat që diskutohen. Sot diskutohet për këtë çështje, nesër për një tjetër dhe pasnesër janë harruar të dyja, pasi vëmendja është zhvendosur te një çështje e tretë. Mbase nuk është e rastësishme që batutën e famshme ‘çudia më e madhe tri ditë zgjat’ e gjejmë në një film shqiptar.

Aristoteli, në librin e tij për retorikën, fokusohet te konceptet ethos, logos dhe pathos. Ethos i referohet karakterit të njeriut, qëllimeve të tij të mira, qenies etike. Logos ka të bëjë me argumentin, arsyen, me aftësinë për të menduar si duhet. Pathos i referohet emocionit, pasionit për diçka. Pyetja duhet t’i ketë të tria këto, edhe ethos, edhe logos, edhe pathos. Të jesh i aftë të pyesësh do të thotë të shqetësohesh realisht për gjënë që po pyet, do të thotë që e gjithë qenia jote po angazhohet etikisht për të kuptuar vlerën e ngjarjes apo fenomenit në fjalë. Të jesh i aftë të pyesësh do të thotë të mendosh, të konceptosh dhe çelësh premisën e një argumenti të mundshëm. Të jesh i aftë të pyesësh do të thotë të konsumohesh emocionalisht prej pyetjes, e jo të mbetesh indiferent sikundër ndodh kur “pyesim” ‘sa bëjnë 2 + 2?’.

Prandaj nuk arrijmë të pyesim, sepse kemi ngritur një shoqëri pa etikë, pa mendim dhe pa pasion. Këto janë elementet që e bëjnë pyetjen të rëndësishme, e bëjnë të rëndojë; janë elementet që na mbërthenin pas pyetjes, duke u përpjekur për t’i dhënë përgjigje sikur nga kjo të varej fati i jetës sonë. Dhe në fakt, fati i jetës sonë varet nga aftësia ose paaftësia për të ngritur pyetje.

Por ne jemi të aftë vetëm të japim përgjigje. Sigurisht, me lehtësinë tipike dhe shkathtësinë instrumentale që nuk ka asnjë lidhje me ethos, logos dhe pathos. Lehtësia e përgjigjeve tona dëshmon çorientimin shoqëror dhe individual të shqiptarëve; dëshmon ekzistencën e një shoqërie që kujton se mund të zhvillohet pa moral, pa mendim dhe pa pasion. Në fillim të viteve ‘90 shqiptarët i shprehën aspiratat e tyre me parullën ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa!’. Por siç u dëshmua kjo ishte vetëm dëshirë, jo pasion. Më shumë se çerek shekulli më pas, Shqipëria, e paaftë të pyesë dhe instrumentalisht e aftë të përgjigjet, është filozofikisht po aq larg Europës sa atëherë.

***kolumnist në MAPO

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Media shqiptare njësoj si politika, më të rëndësishëm janë ndërkombëtarët

Nga Ervis Iljazaj Këtë fundjavë është publikuar në prestigjiozen amerikane Newsweek një opinion mbi...
Read More