Shqipëria, vendi më i korruptuar në rajon

korrupsioni-n-euml-kosov-euml-i-pranish-euml-m-kudo_hd

Në dy vitet e fundit korrupsioni është rritur; 50% e të anketuarve deklarojnë se u bëhet presion të japin ryshfet dhe 40% e japin atë. Shqiptarët janë më pesimistët në rajon kur pyeten nëse mendojnë se korrupsioni mund të reduktohet…

Pas BERZH, një tjetër studim e nxjerr Shqipërinë si shtetin më të korruptuar në rajon për vitin 2016. Sipas raportit të fundit të SELDI (Southeast European Leadership for Development and Integrity), i cili që prej vitit 2014 ka ngritur një sistem rajonal të monitorimit të korrupsionit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet, por edhe të dhënies faktike të tij mes Maqedonisë, Bosnjës, Bullgarisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Kroacisë. Për Shqipërinë, raporti është hartuar nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), që ka realizuar edhe sondazhin.

50% e të anketuarve në Shqipëri kanë deklaruar se kanë pasur presion për korrupsion (u është kërkuar të japin ryshfet). Kjo përqindje është shumë më e lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit (shiko figurën 5). Shteti i dytë me nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet është Bosnja, me 33% dhe më i ulëti është Kroacia, ku vetëm 12% e të anketuarve kanë pohuar se u është bërë presion të japin ryshfet.

Në krahasim me raportin e vitit 2014 rezulton në 2016-n presioni për të dhënë ryshfet është rritur në Shqipëri me 4 pikë përqindjeje (shiko figurën 3). Në të kundërt, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia e kanë pasur këtë tregues në rënie, ndërsa rritja më e madhe e presionit për korrupsion është vërejtur në Bosnjë.

Shqiptarëve jo vetëm u bëhet presioni më i lartë në rajon nga zyrtarët për të dhënë ryshfet, por ata bien më shumë pre e këtij presioni dhe detyrohen të paguajnë para, të japin dhurata apo favore të tjera. 40% e të anketuarve në Shqipëri kanë pohuar se ata kanë dhënë të paktën një lloj ryshfeti në 2016-n, sërish përqindja më e lartë në rajon (i dyti pas nesh, Maqedonia, e ka këtë tregues 29%-shiko figurën 7 në fund). 34% e të anketuarve në Shqipëri rezultojnë se forma e ryshfetit që ata kanë dhënë ka qenë para, 19% dhuratë dhe 16% kanë bërë një favor (ose një kombinim mes të trejave).

Shqetësues është fakti që për Shqipërinë korrupsioni dhe dhënia e ryshfetit duket se është kthyer në një normalitet. Grafikët krahasues tregojnë se shqiptarët kanë tolerancën më të madhe ndaj korrupsionit, me 54% të të anketuarve që e quajnë të pranueshme që politikanët e zgjedhur dhe punonjësit civilë të pranojnë dhurata, para, favore në këmbim të zgjidhjes së problemeve personale të një individi (figura 8 në fund).

Shqiptarët janë dhe më pesimistët për efektivitetin e masave antikorrupsion. 76% e tyre kanë pohuar se ata mendojnë se korrupsioni nuk mund të reduktohet në mënyrë domethënëse (figura 12 në fund).

Dr. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), që ka qenë partner i SELDI për Shqipërinë në hartimin e këtij raporti thotë se niveli i lartë i presionit për korrupsion në Shqipëri, së pari, është një tregues i frekuencës së lartë të blerjes së posteve në administratës publike, pavarësisht investimeve që janë bërë në portale, konkurse formale pranimi, etj.

Së dyti, shton ai, presioni i lartë korruptiv reflekton përkohshmërinë në administratë dhe paqëndrushemërinë e raporteve shef- vartës, parti e madhe, parti e vogël, etj. si dhe dobësitë serioze që paraqesin instancat e apelimit për largimet e padrejta nga puna.

Së treti dhe ndoshta më e rëndësishmja, shton dr.Preçi, frekuenca e lartë e presionit korruptiv nga ana e administratës reflekton shkallën e gjerë të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe debatin shterpë lidhur me reformat që janë ndërmarrë nga qeveria. Përkundër problemeve serioze të presionit korruptiv të administratës gjatë gjithë dekadës së fundit, qeveritë shqiptare i janë shmangur thelbit të problemit që ka të bëje me integritetin e të emëruarve dhe të zgjedhurve në funksionet publike por janë marrë dhe merren me infrastrukturën teknike, teknologjinë, etj, dhe me propaganda të sofistikuara mediatike. Përndryshe, me Shqipërinë “virtuale”, duke lënë mënjanë problematikën serioze që ka Shqipëria ‘’reale’’, përfundon ai.

Sipas raportit të SELDI, për të gjithë rajonin, në periudhën 2014 – 2016, presioni i korrupsionit – treguesi kryesor cilësor për nivelin e korrupsionit në një vend – është përkeqësuar në disa vende, ndërsa përmirësimi tërësor për rajonin ka qenë i papërfillshëm.

Raporti i SELDI, nënvizon nevojën për një veprim më të gjerë politik për reformat, që duket se janë bllokuar, apo zbehur të gjithë rajonin. Presioni i brendshëm për të vepruar është zbehur nga problemet ekonomike dhe / ose ndarjet etnike dhe dobësia e institucioneve politike dhe ekonomike. Presioni i jashtëm, që ka ardhur kryesisht nga bashkimi Europian rezulton që është ulur, përballë problemeve të mëdha që kanë pasur këto vende si rrjedhojë e një sërë krizash të brendshme dhe të jashtme.

Në asnjë nga vendet e rajonit nuk ka pasur një politikë të qartë dhe të qëndrueshme të politikave në luftën kundër korrupsionit, edhe pse përpjekjet për të ofruar zgjidhje teknike dhe për të përmirësuar funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjit, kryesisht me mbështetjen e BE-së, kanë vazhduar dhe madje janë intensifikuar në disa raste.

Konkluzioni i përgjithshëm i SELDI nga të dhënat e sistemit rajonal të monitorimit të korrupsionit 2016 është që duhet të ketë një koordinim mes politikave të cilat synojnë të luftojnë sjelljen e korruptuar në nivel administrativ dhe atyre që kërkojnë të ndryshojnë besimin tek qeveritë. Zbatimi i rreptë i masave penale nuk mund të ketë një efekt të qëndrueshëm, nëse ai nuk plotësohet nga rritja e kërkesës së publikut për integritetin në qeveri dhe përmirësimit të qëndrueshëm të mirëqenies ekonomike.

SELDI (The Southeast European Leadership for Development and Integrity) është nisma më e lartë e qeverisjes së mirë dhe anti-korrupsion e OJF-ve nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Shkruar Nga
More from Revista User

Homazhet, këngëtares Anida Take i jepet lamtumira e fundit

Më qindra njerëz të njohur, personalitete, politikanë e njerëz të medias u...
Read More