Shqipëria, votë anti-Trump, jo Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit

Asambleja e Përgjithshme e OKB votoi me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime rezolutën që kundërshton njohjen nga SHBA të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Shqipëria, votë pro rezolutës.

Shqipëria votoi pro rezolutës që refuzon njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vota shqiptare u bashkua me shumicën që çoi në miratimin e rezolutës. E publikuar edhe në media, tabela e rezultateve  konfirmon se vendi ynë është rreshtuar përkrah BE-së dhe kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara për njohjen e Jeruzalemit kryeqytet. Teksti i rezolutës thotë se çdo vendim për statusin e Jeruzalemit “është nul dhe i pavlefshëm” dhe duhet të tërhiqet. Vota e Shqipërisë në OKB ishte pak a shumë e paralajmëruar. Vendi ynë kishte votuar kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit edhe në një deklaratë të përbashkët të bërë në përfundim të një takimi të Konferencës së Vendeve Islamike, të thirrur me urgjencë nga Presidenti turk Erdogan.

Reagimet

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar përmes një deklarate të shkurtër, ku sqaron pozicionin e Shqipërisë dhe konfirmon zyrtarisht votën pro rezolutës. Ja çfarë thotë deklarata: “Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”. Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha pas votimit të Shqipërisë kundër SHBA-ve reagoi duke thënë se ky është një “akt i rëndë antikombëtar”. “Sot klika e neo-bllokmenëve hoxhistë, me në krye bastardin e xhelatëve të shqiptarëve Koleka, Rama votoi në OKB, në traditën atërore, kundër SHBA, vendit i cili nga vitet ‘20 të shekullit të kaluar deri sot ka luajtur rol përcaktues në lirinë e kombit shqiptar. Duke dënuar me ashpërsi këtë qëndrim shtoj se me këtë akt politika e jashtme e Shqipërisë shndërrohet në një politikë të mirëfilltë antikombëtare”, shkruajti ish-kryeministri Sali Berisha në rrjetet sociale. Një reagim për votimin ka bërë edhe

deputeti i PD, Tritan Shehu, i cili po ashtu u shpreh se votimi i Shqipërisë kundër pozicionit amerikan është votë kundër interesave të kombit tonë. Edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh se votimi duhet konsideruar si provë që qeveria e konsideron Shqipërinë si pronë të saj. “Kur është fjala për një propozim që bën Amerika aleati më i çmuar dhe i pazëvendësueshëm i Shqipërisë kurrë vendimi s’mund të jetë pronë vetëm e qeverive shqiptare cilado qofshin, pasi ky vendim është pronë e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ata ndodhen dhe duhej konsultuar gjerësisht me ta dhe me SHBA-në vetë”, shprehet Vasili.

Paralajmërimi amerikan   

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, përsëriti vendosmërinë e SHBA për të zhvendosur ambasadën e vendit të saj në Jeruzalem. Ajo i bëri komentet në seancën urgjente të Asamblesë së Përgjithshme, e cila shqyrtoi rezolutën në fjalë. Në fjalimin që mbajti në seancën e sotme, Ambasadorja Haley tha se Shtetet e Bashkuara janë kontribuuesja më e madhe e Kombeve të Bashkuara, shumë më e madhe se vendet e tjera dhe se kjo duhet të respektohet nga të tjerët. “Ne do t’jua themi ndershmërisht: kur ne japim kontribute zemërgjera për Kombet e Bashkuara, ne kemi gjithashtu shpresën legjitime se dëshira jonë e mirë do të njihet dhe do të respektohet”, -tha ajo. Zonja Haley ritheksoi se Amerika do ta vendosë ambasadën e saj në Jeruzalem. “Kjo është ajo që na kërkon populli amerikan dhe është veprimi i drejtë që duhet bërë”, -tha zonja Haley. Ajo paralajmëroi më parë përfaqësuesit e vendeve të tjera në Kombet e Bashkuara se do të mbajë shënim emrat, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për rezolutën që refuzon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Zonja Haley tha se Presidenti Trump i ka kërkuar që ajo t’i dorëzojë një raport mbi vendet të cilat votojnë kundër Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, ministri i Jashtëm palestinez u kërkoi shteteve anëtare që të refuzojnë shantazhin. Nga ana tjetër, para se të hidhej për votim, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu paralajmëroi refuzimin e këtij rezultati dhe e cilësoi OKB-në si “shtëpinë e gënjeshtrave”. Nga ana tjetër, para se të hidhej për votim, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, paralajmëroi refuzimin e këtij rezultati dhe e cilësoi OKB-në si “shtëpinë e gënjeshtrave”, ndërsa përfaqësuesi izraelit në OKB ishte akoma më i ashpër.

“Ky votim do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë”, -tha ai.

Rezultati

Në përfundim të votimit, rezoluta “anti-Trump” që kërkonte refuzimin e njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, u miratua me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime. Ndër vendet e pakta që kanë votuar kundër rezolutës, që do të thotë pro njohjes së Jerusalemit si kryeqytet, përveç SHBA dhe Izraelit kanë votuar edhe Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Palau dhe Togo. Ndërkohë që votat për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet kanë qenë të pakta, abstenimet kanë një pamje edhe më interesante dhe kanë qenë më të shumta. Bie në sy që ndër vendet që kanë abstenuar, janë shumë nga vendet e rajonit dhe të Europës Lindore. Kështu në këtë listë janë Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Republika Çeke, Rumania, Hungaria, Polonia, Letonia. Përjashtuar vendet e BE, të njëjtin qëndrim, pra duke abstenuar, kanë mbajtur edhe një sërë vendesh të tjera të mëdha, si: Australia, Argjentina, Kanadaja dhe Meksika.      

Vendimi i Trump

Presidenti Trump njoftoi më parë këtë muaj se Uashingtoni do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do të fillojë përgatitjet për të ndërtuar atje një ambasadë të re. Vendimi shënon një ndryshim në politikën e Uashingtonit për Izraelin. Njoftimi i zotit Trump u ndesh të hënën me një nismë brenda Këshillit të Sigurimit për miratimin e një rezolute, ku theksohet “keqardhja e thellë për vendimet e fundit lidhur me statusin e Jerusalemit”. Shtetet e Bashkuara përdorën fuqinë e vetos për ta bllokuar miratimin e rezolutës. Izraeli e shikon tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytet të një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Armiqësia e Lubonjës? Babanë e tij s’e quajta armik, ai e akuzoi”

Shkrimtari i njohur sqaron letrën për Enver Hoxhën, akuzat e medias dhe...
Read More