Shqiptarët dhe taksat

“Të rrëgjohen taksat në të drejtën e në të arsyeshmen”- Niccoló Macchiavelli (1469–1527), shtetist italian

Nga Eugjen Merlika

Më 27 mars vajza ime, Elena, që punon në një agjenci amerikane të Sigurimit të bankave në Milano, më dërgoi linkun e portalit “Exit”, në të cilin kishte një shkrim të shkurtër me titull: “Tarifa për rrugën e Kombit, më e larta në Evropë”. Sipër linkut ishte komenti i vëllait të saj, që punon në një agjenci të Komisionit evropian në Barcelonë: “grabitje me armë në dorë”. Ndodh herë pas here që komunikimi familjar për ngjarje a shkrime që na bëjnë përshtypje në gazetat e ndryshme, kryesisht italiane, bëhet nëpërmjet postës elektronike, që asgjëson hapësirat që na ndajnë.

Po e nis këtë shkrim me një episod familjar që nuk i intereson askujt, por për të dhënë përshtypjen që ky lajm shkaktoi te bijtë e mi, të cilët janë të integruar plotësisht në jetën evropiane, kanë vite që punojnë mbas mbarimit të studimeve, por që nuk e kanë humbur interesin edhe për Vendin e tyre të lindjes. Gjykimi tepër kritik e negativ i djalit, Besandrit, që punon në sektorin financiar të agjencisë së Barcelonës, më bëri të thellohem në përsiatjen time rreth dukurisë që, në këto ditë fillimi pranvere, pushtoi gjithë jetën politike e shoqërore të Shqipërisë.

A ishte me të vërtetë “një grabitje me armë në dorë” vendimi i Qeverisë për të zbatuar në rrugën e kombit, një hapësirë që nuk arrin as njëqind kilometrat, një taksë prej 5 euro për çdo udhëtim? A e kishte peshuar mirë Qeveria vendimin e pasojat e tij të mundshme? A ishte ai vendim fryt i një shqyrtimi të imtë e me dorë në zemër i mundësive financiare të banorëve të atyre anëve të cilët, për një mijë arsye, nuk kanë asnjë mundësi tjetër veçse të kalojnë në të apo llogari burokratike e ndonjë zyre konsulence të huaj?

Protesta e organizuar nga banorët e zonës verilindore të Shqipërisë, së cilës iu bashkuan edhe mjaft qytetarë kosovarë, përfundoi me skena të shëmtuara e të panevojshme dhune e kundërdhune. Më vonë, në orët e para të ditës së nesërme, kur njerëzit flinin, organet e rendit me urdhër të prokurorisë hynë nëpër shtëpitë e demonstruesve, duke arrestuar 23 prej tyre. A nuk mund të kurseheshin ato skena llahtarie për fëmijët dhe gratë e të arrestuarve, duke iu komunikuar të nesërmen vendimin e arrestit shtëpiak e gjykimin në gjendje të lirë?. Ata njerëz që kanë kryer vandalizma duhet të përgjigjen para gjyqit, por nuk më duket se përbëjnë një rrezikshmëri të lartë shoqërore apo të zhdukin provat, për t’u arrestuar mbas disa orësh. Por përse fillimi i zbatimit të taksës së re shkaktoi gjithë atë pështjellim kombëtar? A mund të ishte shmangur një provë e tillë force ndërmjet popullit dhe përfaqësuesve të Shtetit?

Duke bërë krahasime me të njëjtën dukuri në Vendet e tjera përqark nesh, objektivisht dilet në përfundimin se tarifa e vendosur në rrugën e kombit është tepër e lartë dhe, në krahasim me mundësitë financiare të shumicës dërmuese të automobilistëve që do të kalojnë në të, krejtësisht e papërballueshme. Duke marrë një shembull nga Vendi fqinj i jugut, Greqia, e cila ka një standard jetese më të lartë se i yni, tarifa e autostradës Kapshticë – Selanik, gjithsej 231 km., është 5,7 euro. Po të respektohej ai çmim në rrugën e kombit, do të kishim vlerën 2,5 euro, pra gjysmën e vlerës. Po të hidhemi në Itali, një nga shtatë Vendet më të industrializuara të botës, shohim tarifa të ndryshme. Autostrada A1, në pjesën e saj qendër-veriore Milano – Romë prej 630 km., kërkon një pagesë prej 40 euro, që do të thotë 6,3 euro për 100 km. Është një nga tarifat më të larta, por me kushte udhëtimi shumë të mira. Por ka dhe autostrada si Salerno – Reggio Calabria, zonë e jugut më të prapambetur, rreth 500 km., në të cilën ende nuk paguhet taksë. Një tjetër autostradë Milano – Bergamo, rreth 60 km., ka një tarifë prej 3,6 euro. Pa u thelluar më në hulumtime të këtilla, mendoj se përfundimi i arritur për tarifën pesë euro është jashtë çdo lloj logjike ekonomike.

Qeveria Rama sot pohon se Qeveria Berisha kishte vendosur një tarifë prej 6,7 eurosh për rrugën e kombit. Nuk e di sa është e vërtetë kjo shifër, mbasi tani Basha kërkon heqjen e plotë të saj, por të bëhet levë mbi atë shifër, për ta quajtur sukses atë 5 euro, është me të vërtetë e dhimbshme. Akoma më i dhimbshëm është konstatimi i papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së atyre që drejtojnë të përdorin arsyen. E kuptoj se ministri i Ekonomisë, që ka studiuar për gjuhë të huaja, nuk mund të ketë njohuri të thella në fushën që drejton, por ministrat e kryeministri kanë këshilltarët që janë të profilit teknik e duhet të dinë t’u shtjellojnë atyre problematikat e ndryshme.

Sot nuk jemi në kohën, kur ish-kryeministri shqiptar shpallte me krenari: “Ne vëmë një hu, i themi të na e bëjë punën dhe ai na e bën”. Ka kaluar gjysmë shekulli nga ajo kohë e Shqipëria, fatmirësisht, ka plot njerëz të rinj me diploma universitetesh të njohura të botës që mund t’i shërbejnë. Apo ndoshta qeveritarët tanë nuk kanë nevojë për këshilla sepse janë të gjithëdijshëm?

Arsyet mbeten të panjohura, por fakti është se me atë taksë e me ato në përgjithësi, është krijuar një katrahurë që nuk dihet se çfarë përfundimi mund të ketë, aq më tepër që ekziston një Opozitë, që i shfrytëzon të gjitha këto të meta e dobësi, për të fituar kapitalin e saj politik, siç është edhe e natyrshme. Kryeministri bëri mirë që kërkoi zyrtarisht falje banorëve të zonave verilindore dhe e pezulloi pagesën përkohësisht. Por ministri Ahmetaj ritheksoi se taksa e rrugës nuk ndryshon, por do të shihet problemi i banorëve të zonës së Kukësit. Mendja e do që në këtë rishikim të bëjnë pjesë edhe banorët e zonave të tjera të Veriut, të cilëve u duhet të udhëtojnë në atë rrugë. Besoj se skenat e tre marsit janë të mjaftueshme për të parë me sy objektiv e jo burokratik zgjidhjen e dëshiruar të problemit nga të gjithë. Por vetëm kjo nuk mjafton, duhet një shqyrtim me thikë kirurgu e kësaj gjendjeje, e politikës ekonomike në veçanti, e përqendruar më shumë në sistemin e taksimit.

Ky i fundit është një nga problemet më të lashta të shoqërisë njerëzore, sepse çdo bashkësi e organizuar njerëzish ka nevojë për fonde të përbashkëta, që plotësohen nëpërmjet taksave, të cilat janë ndihmesat vetjake të secilit për çështjen e përbashkët. Ai nuk mund të kopjohet tërësisht nga shtete të tjera, qofshin këto edhe të suksesshme në botën e sotme. Vetë Evropa, që synon të shkojë drejt një bashkimi, edhe mbas dhjetëvjeçarësh bashkëpunimi e bashkërendimi të politikave ekonomike, nuk ka arritur të ketë një unjisim taksash. Ne, shqiptarët, si pasojë e mungesës së shtetit të përqendruar në historinë tonë, kemi patur gjithnjë kundërshti edhe ndaj të huajve që na administronin, si romakët, bizantinët apo turqit. Mjafton të kujtojmë kryengritjet e kohës së Tanzimatit, që bëheshin për të kundërshtuar reformën fiskale të perandorisë otomane.

Pa u thelluar më shumë në vështrimin historik të lashtë, në gjysmëshekullin komunist ne fituam në dy breza njerëzorë edukatën e mos njohjes së taksave. Në vitet e para të regjimit, mbasi shqiptarëve të pasur e të mesëm i u grabit çdo pasuri nga Shteti, mbasi puna vetjake erdhi duke u pakësuar deri në zhdukjen e plotë, ne mbetëm me vështrimin nga ai, i cili ishte zoti i plotfuqishëm në të mirë e në të keqe. Deri sa vazhdoi kjo periudhë e parë e regjimit taksat e trashëguara nga periudha e Mbretërisë, vazhduan të paguheshin, duke patur një karakter të spikatur klasor. Më pas ato u hoqën e kjo vlente për opinionin e jashtëm ku lëvdoheshim për një “shoqëri pa taksa”, ndërsa brenda i shërbente thjeshtimit të aparatit burokratik të panevojshëm, mbasi tashmë Shteti vendosi një sistem që bazohej mbi kontrollin e të ardhurave nëpërmjet mëditjeve që përcaktoheshin nga vetë ai simbas kategorive të punëve. Duke kontrolluar pagat nuk kishte më nevojë të kërkoheshin taksat. Kjo mendësi, që vazhdoi me dhjetëvjeçarë, nguliti në psikologjinë tonë idenë se fjala “taksë” duhej zhdukur nga fjalori. Me këtë bagazh psikologjik e mendor ne hymë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të shkuar, kur gjithçka ndryshoi e ajo fjalë filloi të kërkojë të drejtën e qytetarisë edhe në shoqërinë shqiptare.

Sot ajo është bërë sinonim i së keqes në Shqipëri, e jo vetëm. Problemi është tepër i ndërlikuar dhe duhet një politikë e zgjuar dhe largpamëse për ta përballuar. Përvoja e shteteve të tjera dhe porositë e organizmave ekonomike ndërkombëtare kanë një peshë të madhe në politikën ekonomike të Shtetit tonë, për më tepër që ne synojmë t’i bashkohemi Vendeve të Bashkësisë evropiane. Por zbatimi shabllon i këtyre porosive, pa i kaluar në filtrin e mundësive reale të qytetarëve tanë, do të çonte në një gjendje pasigurie të brendshme, si pasojë e një varfërimi skajor të popullsisë. Prandaj, në këtë drejtim, çdo rekomandim, në ujdi me përvojat e tjera të Evropës e botës, duhet marrë me rezervë, madje i duhet përshtatur të dhënave reale të të ardhurave të popullsisë shqiptare. Me që këto të ardhura vazhdojnë të jenë ndër më të ulëtat në Evropë, nuk mund të zbatohen mbi to taksa me të njëjtat shifra e përqindje që zbatohen në Vendet me të ardhura shumë më të larta. Kështu p.sh. TVSH në 20 %, njësoj me Vende, si: Gjermania, Italia, Franca etj., mbi produktet e konsumit të gjerë, më duket një anakronizëm, për të mos thënë një marrëzi.

Si pasojë e një politike dritëshkurtër ekonomike, Shqipëria është kthyer në një Vend konsumator, shumë më tepër se sa prodhues. Po t’i shtojmë çmimeve të tregut të jashtëm që eksporton në Shqipëri mallrat e tij me shumicë, një TVSH 20%, do të thotë të shesim ato me çmime më të larta se sa shiten në Vendet prodhuese. Kjo, përballë të ardhurash që janë, për ata që punojnë, së paku katër herë më të ulëta e për ata që janë në pension, e janë shumica, edhe gjashtë herë më të ulëta. Nuk ka asnjë arsye, as shumica në Kuvend, as integrimi në Evropë, as këshillat e ekspertëve të huaj që të detyrojnë vendime të këtilla, të cilët vënë në gjunjë pjesën e stërmadhe të popullsisë. Kurse nga ana tjetër, për një vendim, sa të paarsyeshëm po aq edhe imoral, përjashtohen nga taksat për dhjetë vjet pronarët e hoteleve me shumë yje në bregdet!!!

Ka një parim të shenjtë të lënë nga të parët tanë: “shtriji këmbët sa ke jorganin”. Me fjalë të tjera harxho aq sa fiton. Shteti ka nevojë për nikoqirllëk e jo për hovarda e duhet të udhëhiqet nga parimi se kush ka më shumë duhet të paguajë më shumë. Ky është një ligj moral së pari, por dhe ekonomik e, në këtë drejtim, strategjia e Opozitës për taksën e sheshtë 9% është vetëm një demagogji zgjedhore e, po të vihet në zbatim, mund të rrezikojë falimentimin e plotë të Vendit. Nëse, për mendimin tim modest, kriteri i taksimit të të ardhurave është i drejtë për kushtet e Shqipërisë, taksat e tërthorta kanë nevojë për një rishikim rrënjësor, përfshirë këtu TVSH apo taksat për rrugët që, simbas kryeministrit, do të shtrihen në të gjithë Vendin.

Besoj se asnjë shqiptar nuk do të kundërshtonte një sistem taksash që do të ishte i arsyeshëm e i përballueshëm. Krahas kësaj duhet të shkojë hetimi i pasurive që janë vënë nëpërmjet veprimeve të paligjshme. Si ka mundësi të jenë krijuar pasuri në Shqipëri me milionë euro e dhjetëra apo qindra të tillë, që investohen në objektet faraonike të Tiranës? Një Shtet që nuk është në gjendje të zbulojë e të marrë masat përkatëse për këtë kategori qytetarësh, nuk ka të drejtë as morale as ligjore të kërkojë shlyerjen e detyrimeve krejtësisht të papërballueshme nga shumica e popullsisë.

Ndërmjet shtetit pa taksa, siç mund të bëjë demagogji ndonjëri dhe Shtetit me taksa të shpërpjesëtuara me mundësitë, siç mëtojnë ata që qeverisin, duhet gjetur rruga e mesme, ajo e taksave të arsyeshme. Taksat e arsyeshme janë ato që, të bazuara në kritere të drejta, mbajnë parasysh gjithmonë mundësitë reale të taksapaguesve e në raste shtrëngesash ekonomike veprojnë në drejtim të pakësimit të shpenzimeve e jo të shtimit artificial të të ardhurave, nëpërmjet vendimesh arbitrare dhe imorale që rrezikojnë të kalojnë në gjendje urie kronike shtresa të tëra të popullsisë. Ky është një problem i madh, me të cilin përballemi në nivel politik e shoqëror e një papërgjegjshmëri apo arrogancë vetëkënaqësie, mund të na çojë në pasoja dramatike.

E keqja shtohet, sepse në nivelin e përgjithshëm politik nuk mendohet se si të gjendet rruga për të pajtuar shumë kërkesa, si të Shtetit ashtu edhe të qytetarëve, por shfrytëzohen mangësitë e gabimet për të zhvilluar luftën politike që, në fund të fundit, nuk është tjetër veçse përpjekje për të zaptuar kolltukët e Shtetit, e për të përfituar nga dobitë e shumta e të mëdha që sigurojnë ata kolltukë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Rikthimi i Avni Rustemit’: Kush e porositi vrasjen e Esat Pashës?

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi sot se populli shqiptar mund të...
Read More