Shqiptarët e mesjetës dhe kultura e shkrimi

Nga Genciana Abazi-Egro

Kultura e shkrimit në Mesjetë prej kohësh ka qenë pjesë e studimeve mbi Mesjetën e Europës dhe të vendeve në pellgun e Mesdheut. Ajo është trajtuar si pjesë e historisë së institucioneve dhe e diplomacisë. Ndërsa në dekadat e fundit, të fokusuar në përdorimin e shkrimit në jetën publike, studiuesit kanë ndriçuar marrëdhëniet që vendos shkrimi me strukturën e shoqërisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ka patur fjala e shkruar në jetën e përditshme dhe në krijimin e mentalitetit modern europian mbi shkrimin dhe leximin.

Në studimet shqiptare historia e kulturës së shkrimit te shqiptarët e Mesjetës mbetet ende një fushë e paeksploruar. Mungon identifikimi dhe inventarizimi i llojit të dokumenteve dhe teksteve që shqiptarët kanë shkruar gjatë Mesjetës. Studimet historike në mënyrë josistematike kanë dhënë informacion lidhur me gjuhët që përdornin kancelaritë e fisnikëve shqiptarë të Mesjetës. Përveç kësaj, studiuesit kanë identifikuar shqiptarët e njohur të Mesjetës që kanë botuar vepra në latinisht. Por dhe kjo dukuri është parë vetëm si pjesë e trashëgimisë dhe kulturës europiane, duke lënë jashtë vëmendjes lidhjet që këto autorë dhe veprat e tyre kishin në përgjithësi me vendin e tyre të lindjes dhe në veçanti me kulturën e shkrimit te shqiptarët e Mesjetës. Madje edhe Gjon Muzaka, i cili më 1510 shkroi në italisht një testament-kujtesë deri më sot është konsideruar produkt i mjedisit italian, ndonëse në Itali është vendosur në një moshë të rritur dhe ka treguar kujdes që në veprën e tij të shfaqë njohuritë e mira që gëzonte në greqisht dhe t’i referohet vazhdimisht shtetit të Bizantit.

Marrëdhënia që shqiptarët e Mesjetës vendosën me shkrimin, pavarësisht gjuhës që përdorën (latinisht, greqishte bizantine, sllavisht dhe më vonë turqishten osmane) krijoi shtratin ku mori jetë shkrimi në gjuhën amtare. Kjo e bën të domosdoshme njohjen e kësaj kulture si fazë fillestare dhe pararendëse të kulturës së shkrimit në gjuhën shqipe.

Nga ana tjetër, shkrimi i shqipes shënon fillimin e shkëputjes që shqiptarët patën nga përdorimi i gjuhëve dominante të kohës. Shkrimi i shqipes është pikërisht zgjerimi në mënyrë graduale i përdorimit të gjuhës shqipe drejt sferave që kontrollonin gjuhët dominante të kohës. Nga njohja e deritanishme kuptojmë se shqipja, së pari, sferën e përdorimit të saj e zgjeroi në liturgji dhe katekizëm, d.m.th. në sferën fetare (Formula e pagëzimit 1462; Meshari i Gjon Buzukut 1555 …), vazhdoi duke krijuar mirëfilli letërsi në gjuhën shqipe (shek. e 18-të), tekste shkollore (shek. e 19-të) dhe fitoi statusin e gjuhës zyrtare me shpalljen e pavarësisë në 28 nëntor 1912. Në këtë mënyrë në shek. e 20-të shqipja plotësoi spektrin e përdorimeve të mundshme të një gjuhe, duke konkurruar me gjuhët e tjera në të gjithë funksionet e saj.

Marrëdhënia që shqiptarët e Mesjetës vendosën me shkrimin u ndikua drejtpërsëdrejti nga marrëdhënia që ata kishin me fuqitë e mëdha kohës të cilat kontrollonin hapësira të caktuara të Shqipërisë Mesjetare. Këto fuqi pushtetin e ushtronin me ndërmjetësinë e gjuhës së tyre. Me fjalë të tjera përdorimi i gjuhës që ata flisnin dhe shkruanin ishte i domosdoshëm në hapësirën që ata sundonin. Në këtë kuadër gjuha vlerësohet dhe si një mjet i pushtetit. Kështu harta e përdorimit të gjuhëve në Shqipërinë mesjetare ndryshonte në varësi të zhvillimeve politike. Njohja dhe përdorimi i një gjuhe varej drejtpërsëdrejti nga fuqia e shtetit sundues në atë segment të caktuar kohor. Kështu, më 1467 udhëtari grek Mikail Apostolosi gjatë vizitës në krahinën e Shkodrës konstaton me keqardhje se në këtë zonë ishte e vështirë të gjeje dikë që dinte greqisht, ndonëse disa dekada më parë përdorimi i greqishtes kishte qenë evident në korrespondencat e fisnikëve shqiptarë, në marrëveshjet tregtare dhe në dokumentet e hartuara te noteri.

Shkrimi dhe këndimi në Mesjetë ka qenë një dukuri komplekse. Ata që dinin të lexonin nuk shfaqnin të njëjtën aftësi në shkrim. Pra, një lexues i mirë nuk ishte gjithnjë dhe një shkrues i mirë. Kështu që leximi dhe shkrimi nuk ecnin në të njëjtin raport me njëri-tjetrin. Prandaj kur flasim për shkrimin në Mesjetë më shumë se sa me përcaktimin e përqindjes së njerëzve që dinin të shkruanin dhe lexonin, problemi lidhet me aksesin që këta njerëz kishin në shkrim dhe se çfarë roli luante shkrimi në jetët e tyre. Te shqiptarët e Mesjetës kjo situatë komplikohej akoma më shumë për faktin se gjuhët dominante të kohës që përdoreshin në hapësirat e tyre territoriale shkruheshin dhe me alfabete të ndryshme. Që do të thotë, përveç faktit se u duhej të mësonin dhe të përdornin shumë gjuhë u duhej të njihnin gjithashtu dhe shumë alfabete (alfabetin latin, helen, cirilik dhe më pas arab me të cilin shkruhej turqishtja osmane).

Dokumentet e mbijetuara dhe dëshmitë që kanë ardhur nga mesjeta dhe veçanërisht Mesjeta e vonë dëshmojnë se te shqiptarët e Mesjetës shkrimi përfshinte gjithë aspektet e jetës: shtetin, fenë, biznesin dhe jetën e përditshme të njerëzve. Ky është një fakt që nuk iu takon vetëm qyteteve bregdetare (Durrës, Shkodër, Lezhë, Ulqin, Tivar…) dhe qyteteve që shihnin nga bregdeti (Kruja dhe Berati), por edhe qendrave urbane dhe atyre të fortifikuara në brendatokë si p.sh. Prizreni, Mati. Madje shkrimi ka qenë prezent edhe në zona rurale kryesisht malore si p.sh. Himara, Kurveleshi etj.

Shkrimi nga shqiptarët e Mesjetës është përdorur për të hartuar dokumente shtetërore (statute, rregullore, marrëveshje politike); për të përcaktuar kushtet në marrëdhëniet e tregtisë (kontrata); si mjet dokumentimi dhe rregullator i marrëdhënieve mes njerëzve (testamente, dokumente të ndryshme noteriale; mbishkrime kishash dhe objektesh kulti); si mjet komunikimi dhe informimi (letra, raporte, shkrim gjenealogjish etj.).

Në fillim të shek. të 13-të princi i Arbërit Dhimitri nënshkruan me Republikën e Raguzës (Dubrovniku i sotëm) një marrëveshje latinisht për sigurinë dhe mospagimin e taksave doganore në mënyrë reciproke nga banorët e të dy vendeve. Po kështu edhe korrespondenca e parë ndërshtetërore që njohim deri më sot mban autorësinë e Dhimitrit të Arbërit, i cili më 1208 i ka shkruar një letër Papa Inocentit III ku i kërkon dërgimin e një kleriku të lartë. Nga kancelaritë e fisnikëve shqiptarë gjatë Mesjetës kanë dalë dokumente të hartuar në tri gjuhë: greqishten bizantine, latinisht dhe sllavisht. Në arkivat e Venedikut, Dubrovnikut etj., gjenden marrëveshjet dhe korrespondenca që këta fisnikët kanë patur me sundimtarët e kohës, qysh në shek. e 13-të.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu drejtimin e kancelarisë së tij ia kishte besuar Pjetër Smaqit që mendohet se ka qenë nga fshati Smaq në Kurbin. Nga kjo kancelari deri më sot është dokumentuar të kenë dalë letra në latinisht/italisht, sllavisht dhe greqishten bizantine. Ndërsa letërkëmbimi që më 1460 Skënderbeu pati me fisnikët italianë (princin e Tarantit, Giovanni Antonio de Orsini) është futur në analet e korrespondencave europiane. Kjo korrespondencë fitoi një njohje të madhe në Europë edhe sepse një përmbledhje të saj papa Piu II e botoi në veprën e tij historike Commentarii.

Në Shqipërinë mesjetare edhe marrëdhëniet tregtare garantoheshin dhe rregulloheshin nëpërmjet shkrimit. Komunat autonome në brigjet e Adriatikut marrëdhëniet e tregtisë dhe taksat i përcaktonin me anë të marrëveshjes që lidhnin me simotrat e tyre, p.sh. me Raguzën apo Venedikun, por edhe me tregtarë të veçantë, siç është marrëveshja që këshilli drejtues i Tivarit më 10 korrik 1369 ka lidhur me tregtarin raguzian Paulo de Baraba. Po kështu fisnikët shqiptarë jetën ekonomike në principatat që ata drejtonin e mbështetnin mbi dokumentet e shkruara. Gjon Kastrioti, sundimtari i krahinës së Matit më 25 shkurt 1420 harton në sllavisht një marrëveshje me Republikën e Raguzës me anë të cilës garantohej siguria e tregtarëve dhe përcaktohej vlera e taksave që duheshin vjelë për produkte të caktuara. Madje edhe marrëdhëniet thjesht të punësimit garantoheshin me anë të marrëveshjeve. Gjergj Topia në shtator 1388 mjekun që do ta kuronte e sjell nga Dubrovniku me anë të një kontrate të nënshkruar nga përfaqësuesit e tij. Por edhe kjo shihej e pamjaftueshme dhe parashikohej që puna e mjekut të garantohej edhe me një kontratë tjetër e cila do të lidhej pasi mjeku të vizitonte Gjergj Topinë në Durrës.

Sot kanë mbijetuar dhe kontratat që pleqtë (institucioni drejtues) në zonat rurale si në Himarë, Borsh, fshati Shulash në Çamëri etj., kanë nënshkruar gjatë shek. të 14-të, 15-ë dhe 16-të kryesisht me autoritetet në Korfuz lidhur me blerjen apo shitjen e drithit.

Kontrata lidhnin edhe individë të veçantë që merrnin përsipër të kryenin tregti të dimensioneve të ndryshme. Për shembull Gjon Vllasi më 8 nëntor 1603 nënshkruan një kontratë me autoritet lokale osmane të porteve të Çamërisë për të blerë drithin e vjelë nga të dhjetat dhe po në të njëjtin vit nënshkruan një kontratë në italisht me autoritet e Korfuzit për shitjen e drithit në fjalë. Edhe tregtari nga Berati, Nikolla Jani, më 1624 shkruan në Korfuz një dokument greqisht në të cilin e ndjen të nevojshme të pohojë: “Unë Nikolla Jani e shkruajta dhe e shkruajta me dorën time”.

Është një fakt i njohur që qytetet në brigjet e Adriatikut gjatë Mesjetës kanë patur një sistem noterial të zhvilluar, të ngjashëm me kulturën noteriale në të gjithë qytetet e krishtera të Mesdheut. Këto noteri janë drejtuar nga banorë vendas sikurse Klimensi i biri i Gjinit në Shkodër më 1330, apo nga anëtarë të fisnikërisë vendase në Tivar. Në gjysmën e dytë të shek. të 14-të Venediku vendosi që noteritë të drejtoheshin nga noterë italianë, por zëvendësnoterët vazhduan të ishin vendas. Megjithatë banorët e Ulqinit më 1406 vazhdojnë me këmbëngulje t’i kërkojnë Venedikut që t’i lejojë të kenë noterët e tyre. Kërkesën e tyre e mbështesin në dy fakte që noteri italian nuk ishte në gjendje t’i përmbushte: 1) noteri ulqinak shkruante letrat dhe vendimet e qytetit sipas zakoneve vendase; 2) noteri ulqinak u mësonte fëmijëve të Ulqinit shkrim e këndim. Një hulumtim i mëtejshëm i kësaj problematike do të çonte në një njohje më të madhe mbi sistemin e shkollimit në qytetet bregdetare dhe për të përcaktuar saktësisht se çfarë gjuhe noteri vendas u mësonte fëmijëve të Ulqinit?

Në këto qytete qytetarët marrëdhëniet mes tyre i ndërtojnë dhe garantojnë me anë të dokumenteve të shkruara te noteri. Ata hartojnë testamente, lëshojnë prokura, përpilojnë kontrata qiraje, punësimi etj., madje sipas dëshirës mund të dokumentonin edhe përmbajtjen e prikës. Testamentet e shumta të hartuara te noteri nga njerëz të shtresave të ndryshme të shoqërisë që nga klerikët e lartë dhe fisnikët e deri te njerëzit pa ndonjë status të spikatur social dëshmojnë se trajta e shkruar e testamentit ka mbizotëruar ndaj transmetimit me gojë të dëshirës së fundit. Nga ana tjetër këto testamente mund të vlerësohen si forma modeste e shkrimit të gjenealogjive siç shkroi në italisht Gjon Muzaka më 1510 apo Andrea Ëngjëlli në latinisht më 1553.

Shqiptarët e Mesjetës kanë patur prirje që shkrimin ta përdorin si mjet për dokumentim. Në godinat e kultit që kanë mbijetuar nga Mesjeta gjendet i gdhendur informacion i plotë mbi datën e ndërtimit dhe ndërtuesin. Karl Topia më 1381 rindërtoi nga themeli kishën e Gjon Vladimirit në Elbasan, të shkatërruar nga tërmeti. Në portalin jugor të kishës ai gdhend në tri gjuhë (greqisht, latinisht dhe sllavisht) informacionin e plotë mbi ndërtimin dhe autoritetin e tij sundues, shoqëruar dhe me stemën e tij. Madje dokumentimi i sponsorizimit jepet edhe në objekte të veçanta kulti si p.sh. kryqe. Piktori Onufri në disa prej afreskeve krahas emrit të vet tregon kujdes të dokumentojë dhe emrin e personit që ka sponsorizuar pikturimin e afreskut.

Shkrimi i letrave ka qenë një ngjarje e zakonshme te shqiptarët e Mesjetës. Krahas letrave të fisnikëve shqiptarë, dokumentet e kohës identifikojmë individë të thjeshtë të cilët u drejtohen sundimtarëve dhe organeve drejtuese të vendeve të tjera. Në vitin 1483 Orazio Ragami nga Shkodra i shkruan sulltanit letër dhe dënohet për këtë akt. Më shkurt 1503 Gjon Bazili nga Durrësi i shkruan proveditorit venecian te Lezhës që t’i dërgojë letër e bojë sepse kërkon ta informojë lidhur me zhvillimet në Durrës, i revoltuar nga që është konvertuar në mysliman. Joan Erakli nga Peloponezi më 1557 i shkruan italisht letër Papës dhe i vetëprezantohet si “mbret e zot i shqiptarëve, ashtu siç kishin qenë më parë edhe gjyshërit e tij nga baba e nga nëna.” Jeronim Kombi (kapiten i stratiotëve) i shkruan dy memoriale mbretit të Spanjës më 1577 dhe 1613 ku si shpërblim për shërbimet e tija i kërkon mbështetje financiare për veten, nënën dhe vëllezërit. Më 1601 Jeronim Kombit përzgjidhet për një mision sekret në Epir nga Mbretëria e Spanjës sepse dinte dhe shkruante greqishten dhe shqipen. Përveç kësaj në analet e historisë së shqiptarëve kanë hyrë dhe letrat që pleqtë e Himarës në mënyrë periodike i dërgojnë sundimtarëve të kohës (më 1501, sundimtarëve të Korfuzit; më 1530, 1531, 1533, 1575, 1576 mëkëmbësit të mbretërisë së Spanjës në Napoli; më 1532 markezit Alarcon, Puglia; më 1532 markezit të Atripaldës; më 1577, 1581, 1593 Papës Gregori XIII; më 1759 careshës ruse Elizabeta Petrovna).

Të gjitha këto të dhëna të vjela nga burime autentike përbëjnë një dëshmi e cila mund të zgjerohet edhe më tej mbi kulturën e shkrimit te shqiptarët e Mesjetës. Faktet tregojnë se shkrimi ka qenë një instrument i rëndësishëm në organizimin dhe strukturimin e jetës te shqiptarët e Mesjetës së vonë dhe në kapërcyell të periudhës osmane.

  • pedagoge, UET
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Është krijuar ideja se, hapja e negociatave me BE është e sigurt

Nga Ervis Iljazaj Ashtu sikurse ndodhi me anëtarësimin në NATO të Shqipërisë,...
Read More