Shqiptari i kënaqësisë vs shqiptari i realitetit

 

Nga Elton Ndreka* – Ardhja e Freud në mendimin filozofik, për një pjesë të mirë të mendimtarëve pas tij, do ishte pothuajse e pamundur të mos merreshin me konceptet freudiane. Çështjet e ngritura mbi njeriun dhe për njeriun tashmë marrin një drejtim të pakthyeshëm në të konceptuarin e tij. Njeriu nuk është veç një qenie shoqërore, dhe as vetëm thjesht kafshë e arsyeshme, apo së fundmi qenie e aftë për të bërë botë.

Njeriu është dhe qenie me instinkte, e pandërgjegjshme dhe e dhunshme, është qenie e kënaqësisë, e egoizmit, e frikshme dhe e frikësuar, e shtypjes dhe e shtypur. Lëvizja e njeriut nëpër këto koncepte është një lloj tregimi i historisë së njeriut, ndoshta e atij tregimi që nisi formalisht me Darvinin dhe thellohet prej mendimit të Freud. Historia e njeriut sipas Freud është historia e shtypjes së instinkteve të kafshës brenda tij. Civilizimi nuk mund të ndodhte ndryshe veç si formë e kalimit nga gjendja e natyrës në atë të shtetit, apo organizimeve të ngjashme njerëzore.

Kalim, i cili e mbyll njeriun brenda një kornize ligjore duke ia ndrydhur dëshirat e shfrenuara prej kafshe. (Megjithëse, sot ky konceptim në mendimin bashkëkohor është deri diku i rimenduar, për arsyen se nuk është e qartë nëse shteti, gjendja civile e tanishme, parimi mbi të cilën është ngritur kjo gjendje i ka shtypur këto instinkte apo thjesht i ka zëvendësuar ato me të tjera, i ka reduktuar këto instinkte duke e bërë njeriun njerëzor apo orekset dhe dëshirat janë shtuar në njësi po ashtu dhe në persona?). Zëvendësimi i njeriut ne natyrë me atë në shtet nuk ia zhduk instinktin prej kafshe, por ia transformon atë në mënyrën e shfaqjes së tyre. Në këtë kuptim, sipas Freud, nuk ia vlen të flasim për njeriun si aspak kafshë, por duhet të flasim për një kafshë e cila e ka shndërruar parimin mbi të cilin është ngritur instinkti i tij.

Kështu, në një pasazh Freud shprehet se për njeriun nuk është e mjaftueshme të ndryshohet shfaqja e instinktit, por ndryshimi i sistemit të vlerave që e qeverisin atë. Ky ndryshim është i njëjtë me atë të transformimit të parimit të kënaqësisë (që është mungesë e qytetërimit) në parimin e realitetit (që duhet ta ketë njeriu i qytetëruar)

  1. nga kënaqësi e menjëhershme, në kënaqësi e shtyrë
  2. nga pëlqime, në kufizim i pëlqimeve
  3. nga gëzim (lojë), në vështirësi (punë)
  4. nga pranim, në prodhim (krijim)
  5. nga mungesë e shtypjes, në siguri

Ajo çfarë do të thotë me ndryshim të vlerave nuk ka të bëjë vetëm me shndërrimin e tyre në shprehi, por para së gjithash me shndërrimin e tyre në perceptim, të jetuarit të asaj përvoje që shpall shprehi të tilla. Kësisoj vetë shprehia mund të bëhet konteksti i analizës së parimit. Thënë ndryshe, e vetmja mënyrë që kemi për të parë këtë parim vlerash, formën që i vendosin individit njeri, është përmes analizës së formave më cilat shprehen ato. Nga njëra anë, njeriu i shndërruar i qaset problemit të instinktit në formë krejt tjetër: përmes mënyrës se si e shpreh kënaqësinë dhe dhimbjen, por edhe përmes mënyrës si i përmbledh në vetë këtë kënaqësi apo dhimbje. Nga ana tjetër, analizimi i themelit mbi të cilin ngrihet parimi mund ta bëjmë përmes, njërës prej pasojave që është, shprehia e kësaj dhimbjeje apo kënaqësie. Në këtë kontekst do ishte me interes të shikonim përmes këtyre dy shtyllave që ta dallonim shqiptarin e parimit të kënaqësisë nga shqiptari i parimit të realitetit. A janë shqiptarët, ashtu siç shpesh thuhet, Realistë?

Le ta mendojmë këtë përmes kësaj loje

Shqiptari i kënaqësisë

  1. Të paturit fuqinë, pasurinë, artin, kulturën etj., të Europës, ose të kënaqurit me të qenit gjeografikisht në Europë. Shprehi të tilla reduktohen te kënaqësia e të qenit gjeografikisht në Europë, apo edhe tek identiteti i tillë, për shkak të elementeve arbitrare dhe formale. Tek elementet arbitrare mund të fusim faktin e të paturit gjuhë indoeuropiane, apo përdorimi i shkronjave latine. Të dyja rastet nuk na thonë shumë për mënyrën e sjelljes së shqiptarëve. Por është një formë e shfrenimit në kënaqësi, sepse tashmë e mendon vetën të plotësuar. Nga ana tjetër, të qenit formalisht pjesë e organizmave si NATO dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve me BE, qëllimi dhe angazhimi ynë për të qenë pjesë e BE janë forma të Europës që nuk është identitet i mirëfilltë, por synon një lloj identiteti prandaj është edhe formal, sepse pret të mbushet me përmbajtje. Gjithashtu shprehitë e para, të cilat janë shprehi të kënaqësisë në formën e dëshirës shfaq simptomën e një oreksi që duhet të përmbushet nga fakti i të qenit gjeografikisht Europë. Në këtë kuptim, konteksti i shprehive të tilla e shfaq njeriun shqiptar si të plotë dhe përplot me oreks.
  2. Sikur të isha gjerman, francez, italian, zviceran (të isha Europë), jam Europë. Të pëlqyerit është atribut i cili nuk e përcakton objektin dhe subjektin. Kur thua “të pëlqej” nuk kuptohet nëse jam unë ai i cili të pëlqej ty, apo je ti që më pëlqen mua. Siç mund të shihet ende nuk është e qartë se kush pëlqen kë, nuk kuptohet ku ndodhet ndjeshmëria, te personi që e shpreh apo të personi që e dëgjon. Në këtë kuptim, shprehja e pëlqimit është zhdukje e subjektit, ose rasti kur subjekti është po aq sa objekt. Është njëlloj asimilimi që i bëhet subjektit në objekt. Pra, shqiptari i cili e ka këtë pëlqim bëhet kontekst i asimilimit te pëlqimi i tij. Por, ky asimilim te pëlqimi nuk e bën subjekt në përpjekjen për t’u bërë ai që pëlqen, por e kthen atë në objekt të teknikave asimiluese dhe bëhet kontekst i kolonializmit (mos të harrojmë se arsyeja mbi të cilën u legjitimua kolonializmi është pikërisht fakti i të instaluarit demokracinë te popujt e “pacivilizuar”).
  3. Liberalizimi i vizave. Besoj i mbani mend organizimet festive kur u mor lajmi i liberalizimit të vizave? Çfarë gëzimi, çfarë loje! Liberalizimi i vizave, marrë në kuptimin e saj të parë si e drejta e lëvizjes, e reduktonte shqiptarin në një gjallesë që ka hapësirë më të madhe për të lëvizur dhe për pasojë për të luajtur. Ky gëzim nuk e kishte parashikuar, ta zëmë, boshatisjen e pjesëve të ndryshme të territoreve shqiptare, përkundrazi na kishte reduktuar në trupa që mund të lëvizim ligjërisht nga një shtet në tjetrin. Liberalizmi i vizave nuk është diçka që nuk duhej të bëhej (që të mos keqkuptohemi), por përjetimi i saj është konteksti mbi të cilin manifestohet instinkti. Në këtë kuptim, parimi mbi të cilin qeveriset instinkti është ai e lojës dhe gëzimit.
  4. Ku na pyet qeveria ne. Nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë. Këto ndoshta janë shprehjet më të shpeshta që dëgjohen për ne të thëna nga ne. Forma e pranimit të asaj çka shihet, perceptohet dhe përjetohet si e pandryshueshme, nuk është parimi i realitetit, por i rehatisë, tërheqjes nga sakrifikimi i rehatisë për shkak të një konteksti të pranuar dhe të legjitimuar si me qenë forcë e natyrës. Pra, çështja nuk është te pamundësia e ndryshimit, por te parimi mbi të cilin qeveriset instinkti për ta pranuar çdo gjë ashtu siç shërbehet.
  5. Nuk kemi pse protestojmë dhe as luftojmë për të drejtat e shqiptarëve. Përgjithësisht biologët bien dakord se frika është instinkti bazë i cili ruan jetën e llojeve. Një parim instinktiv i ngritur mbi mosdhunimin, mbi shmangien e të qenit i shtypur, jo përballja me shtypjen, por ikja nga vendi i shtypjes është instinkti bazë i mbijetesës.

Shqiptari i realitetit

  1. Që të jesh europian do duhet të bësh luftërat, pushtimet, konceptimet, shtetin dhe kombin që kanë shtetet europiane. Këtu nuk është përjetimi i një kënaqësie, por vendosja e një kornize mbi të cilën zhvillohet kënaqësia. Është shtyrja e kënaqësisë për në një kohë tjetër, në kohën pas. Por nuk është as mungesë e kënaqësisë, vetë projekti është kënaqësia që do duhej të vinte në arritjen e qëllimit, që në të njëjtën kohë nuk shkrihet i tëri në një çast të dhënë të kënaqësisë për një qëllim të arritur, por është përjetim i zgjatur nëpër akte të projektit që tenton realizimin e qëllimit.
  2. Jam shqiptar dhe Europa nuk është Shtet e as identitet nacional. Të pëlqyerit tashmë është kufizuar te një subjekt, ai i shqiptarit. Tashmë nuk është dikush që shpreh pëlqimin duke mos e dalluar më veten nga objekti që pëlqen, por është një subjekt që kufizohet për ta pëlqyer veten. Kjo shpallje e pëlqimit të vetes është rasti kur subjekti dhe objekti i pëlqimit janë të njëjtë. Ai që e shpall pëlqimin është i njëjtë me atë që pëlqehet: është i kufizuar te pëlqimi i vetës. Dhe këtu nuk kemi të bëjmë me objekt të pëlqimit, sepse vetë shpallësi është objekti i vetes. Nëse në këtë rast do kishim ngatërresën mes objektit dhe subjektit, atëherë do kishim të bënim me një subjekt me probleme psikike. Pra, nëse shpallësi i pëlqimit është i njëjtë me atë që pëlqehet, dhe nuk kuptohet kush pëlqen kë, atëherë shpallësi që është dhe objekt i shpalljes mund të ketë problemin e të qenit i çarë në dy persona.
  3. Andej nuk është se do jetoj pa punuar dhe respektuar ligjet e shtetit të një kombi tjetër. Kjo temë që te “shqiptari i kënaqësisë” i korrespondon temës “liberalizimit të vizave”, e shndërron parimin mbi të cilin qeveriset instinkti nga përjetimi i gëzimit dhe lojës në parimin e vështirësisë së gjithandejshme për të ndërtuar një jetë të mirë përmes punës së ndershme.
  4. Shqipëria dhe shqiptarët bëhen kur të mundohemi për të prodhuar dhe krijuar atë që i mungon Europës. Shprehia e këtushme nuk është vetëm refuzimi i një ligjërimi që bëhet për shqiptarët nga shqiptarët, por është dhe propozimi i qëndresës deri në të qenit i domosdoshëm për Europën. Të refuzuarit e asaj “Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë” e detyron që ky vend të bëhet nga vendasit. Këtë e pranon në parim, por jo edhe në përmbajtje. Parimisht refuzon një parim që qeveris instinktin të formatuar nga shtypja që iu është bërë shqiptarëve, qoftë edhe, përmes shprehive si ato të akademikëve dhe politikanëve serbë, grekë apo dhe gjermanë (Bismarku) etj., që “shqiptarët nuk mund dhe nuk dinë të ndërtojnë shtet”. Në përmbajtje kërkon që Shqipëria të bëhet përmes rindërtimit teorik, estetik, etik, praktik dhe industrial të vendit. Ajo çfarë kërkon kjo pikë është një barasvlerësim mes subjekteve nëpër statuse të ndryshme të shqiptarëve (gazetarë, kamerierë, ligjvënës, intelektual, studiues etj.), me ato të shteteve dhe kombeve europiane. Europës nuk i mungon një kopjac.
  5. Bashkë jemi më të sigurt se të ndarë. Në emisionin “Dritare” në vizion plus, para 1 viti (16.01.2017) diskutohej tema “A do ketë luftë në Ballkan”. Sigurisht kjo luftë mund të plasë edhe sepse shqiptarët kërkojnë të bashkohen në një shtet. Pikërisht në këtë diskutim ish-Komandanti i UÇK Dilaver Goxhaj, shprehej se Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bashkohen për këtë arsye, por nga ana tjetër lufta mund të plaste nëse Serbia tenton përsëri ta pushtojë Kosovën. Profesor Hysamedin Feraj, jo me shaka, pyet: pse Serbia me 6 përqindje serbë mund ta pushtojë Kosovën e ne me 92 përqindje shqiptarë nuk mund ta pushtojmë atë? Ky debat i qëndron pikërisht ndarjes që bëhet mes mungesës së shtypjes (paçka shtypja mund të ndodhë pa vullnetin tonë ), dhe vullnetit për ta shtypur vetë instinktin me synim sigurinë e përbashkët. Ndërsa e para i përket parimit qeverisës së instinktit për të mbijetuar, e dyta i përket parimit të qeverisjes së instinktit që pranon dhunimin e tij për t’u siguruar. Le ta themi kështu, shtypja dhe vuajtja që kanë pësuar shqiptarët do e kthente idenë e bashkimit në fiction. Dhimbja e përjetuar në gjithë këta shekuj dhe shfaqja e tanishme e jona përmes shprehive dhe veprimeve tregon shumëçka për mënyrën si ne po e përjetojmë dhimbjen apo se si ne e kemi harruar atë që mos ta dhunojë instinktin.

*pedagog, UET

Shkruar Nga
More from Redaksia

Horoskopi i ditës, 2 qershor

Dashi Gjatë kësaj të shtune do të ndiheni disi të dekurajuar dhe...
Read More