Shqiptari “kryekuzhinjeri i terroristëve”, del në bankën e të akuzuarve

Në Vjenë filloi gjyqi kundër islamistit 19-vjeçar austriako-shqiptar Lorenc K. Sipas aktakuzës ai ka nxitur një dymbëdhjetëvjeçar në Gjermani për të bërë atentat në tregun e krishtlindjeve në Ludwigshafen.

“Shko te tregu i krishtlindjeve, më shumë njerëz”, – qe mesazhi që Lorenz K. i dërgoi dymbëdhjetëvjeçarit Yad A, në nëntor 2016. Yad A. më parë kishte ndërtuar një bombë sipas udhëzimeve që austro-shqiptari Lorenz K. kishte publikuar në internet me pseudonimin “kryekuzhinjeri i terroristëve”.

Me bombën në çantë, Yad A. donte të bënte një atentat vetëvrasës në një kishë protestante në Ludwigshafen. Fat, që rripi me bomba me gozhdë, nuk shpërtheu. Fat që Yad A. e hodhi në gëmushë.

Tani Lorenz K. është në bankën e të akuzuarve në Vjenë, ndër të tjera,  për nxitje të një akti terrorist dhe përkatësi në një organizatë terroriste e kriminale. 

Të mërkurën, më 4 prill 2018, kur filloi procesi nën masa të rrepta sigurie, Lorenz K. pranoi se i është betuar Shtetit Islamik, IS, por jo se ka qenë ai nxitësi i atentatit të dështuar të dymbëdhjetëvjeçarit në Ludwigshafen.

Avokati i tij, i cili sikurse gjykatësit dhe prokurorët, nuk pranojnë të përmenden me emër, për shkaqe sigurie, thotë se asokohe 17-vjeçari ka qenë vetë viktimë e ideologjisë së milicisë terroriste. Sipas tij, atij i është “shpëlarë truri” nga një mentor. Akuzat e prokurorisë se ai planifikonte një atentat në Vjenë, për të cilin kishte folur edhe me shokët e vet, avokati i quan “dërdëllitje rinore”.

Prokuroria përfaqëson një tjetër tezë: Sipas saj, i pandehuri ka shërbyer si shembull për djalin dhe se Lorenz K. planifikonte edhe atentate të tjera kundër bazave ushtarake në Gjermani. Nëse akuzat e prokurorisë dalin të vërteta, Lorenz K. mund të dënohet me 15 vjet burg.

Nga ateist në islamist

Lorenz K.  nuk ishte i panjohur për drejtësinë vjeneze. Dy herë kishte bërë vjedhje me dhunë, për çfarë deri në tetor 2015 kishte qenë nëntë muaj në burgun e të rinjve, ku, sipas raportimeve të disa mediave, thuhet të ketë ndodhur edhe afrimi i tij me fenë islame.

Pak kohë pasi doli nga burgu ai u konvertua në fenë islame. Një vit më vonë shkoi në Gjermani për t’u martuar sipas ritit islamik me një vajzë 16-vjeçare që e kishte njohur në internet dhe që i përkiste skenës salafiste gjermane.

Së bashku me të, dhe një tjetër bashkëpunëtor nga Gjermania, ai kishte planifikuar të bënte atentatet vetëvrasëse. Por i ati i të shoqes, që kishte qenë kundër martesës së tyre, e kishte denoncuar në polici. Edhe dy të tjerët tani janë në arrest në Gjermani.

Sesa besimtar është në të vërtetë Lorenz K, kjo është diskutuar gjerë e gjatë në mediat austriake. Prindërit e tij me prejardhje nga Shqipëria janë ateistë.

Në profilin e tij në Facebook, që ende ka afro 600 miq,  në postimet e pesë viteve më parë, sheh një 14-vjeçar krenar për prejardhjen e tij shqiptare, por edhe që adhuron dhunën me armë dhe kulturën e gangsterëve. Në atë kohë ainuk kishte pasur lidhje me fenë islame.

Por radikalizimi i ndodhur më vonë, si pasojë e të cilit ai ndërroi emrin në Sabur Ibn Gharib, duket se është rrënjosur thellë. Sipas organeve zyrtare, as programi që po përdoret aktualisht për çradikalizimin e tij, nuk po tregon rezultat.

Në qelinë e tij janë gjetur vizatime kishash të djegura dhe xhihadistë të gatshëm për dhunë. Veç kësaj, thuhet se ka bërë përpjekje të konvertojë edhe të burgosurit e tjerë.

Proces gradual

Edhe pse, pas humbjeve më të fundit të IS-it në Siri, entuziazmi për milicinë islamiste duket se ka rënë, skena salafiste në Gjermani vazhdon të rritet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, numri i salafistëve gjatë pesë vjetëve të fundit është dyfishuar.

Nga 5500 simpatizantë të kësaj dege ultrakonservatore të sunitit islam që ishin në vitin 2013 ndërkohë janë bërë 11000.

Siç bën të ditur gazeta gjermane “Der Tagespiegel”, duke iu referuar burimeve të Entit të Landit të Berlinit për Mbrojtjen e Kushtetutës, numri më i madh i salafistëve është në Hamburg dhe Berlin.

Gati gjysma e salafistëve që jetojnë në Hamburg, gjithsej 798, klasifikohet si xhihadiste, pra e gatshme për dhunë dhe akte terroriste.

Qeveria gjermane ka parashikuar në koalicionin e saj vazhdimin dhe forcimin e programeve për parandalimin e radikalizimit të të rinjve.

Por ato deri tani kanë treguar pak efekt. Ekspertët janë të mendimit se programe të tilla kanë efekt kur nisin që me shenjat e para të radikalizimit: “Nuk janë procese të rrufeshme, por transformime graduale”, i tha Deutsche Welles eksperti i salafizmit, Michael Kiefer.

“Dhe vendimtare është që këto shenja të kuptohen vetvetiu.

E rëndësishme është para së gjithash, që mësuesit, punëtorët socialë, prindërit, por edhe njerëzit e tjerë përreth të bëhen më të vëmendshëm dhe të pyesin qysh herët. “Çfarë po ndodh me ty?” Dhe pastaj t’i tregojnë të riut se janë të shqetësuar për të, të jenë më prezentë dhe në rast nevoje të ndërhyjnë, e t’ua ndalojnë disa gjëra”, thotë Kiefer. Por ai e pranon se nuk ka një recetë që vlen për këdo, dhe se çdo rast duhet parë më vete”.

42184057_40138773400_401
 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Policia zbarkon në ‘Santa Quaranta’: Fati i trishtë i një resorti

  Kur u hap për herë të parë, resorti ‘Santa Quaranta’ dukej...
Read More