Shqiptari u vra pas sherrit për Kacifas, reagon më në fund Tirana zyrtare

Ministria e Jashtme e Shqipërisë u bën thirrje autoriteteve greke të kryejnë hetim të plotë në funksion të zbradhjes tërësore të rrethanave të vrasjes së shqiptarit Petrit Zifle më 3 dhjetor në Korfuz.

Zëdhënësja e MEPJ Edlira Prendi, bëri me dije se: “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbradhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes”.

Mediat greke raportuan dje identitetin e viktimës, i cili mësohet se është shtetasi Petrit Zifla. Ndërkohë, sipas të dhënave të Policisë, dyshohet se 63-vjeçari është me origjinë nga Berati. Ngjarja ndodhi më 25 nëntor, në Dragotina, Korfuz. Siç kanë pohuar banorë të zonës, Zifla ishte konfliktuar me fjalë një ditë para vrasjes në një lokal të fshatit me autorin, për çështje të karakterit etnik. Autori, i cili është një 44- vjeçar nga Korfuzi, kishte hapur debat brenda në lokal, pasi kishte konstatuar se mjaft prej klientëve nuk ishin shtetas grekë. Sipas të dhënave, ai e ka nisur debatin me disa persona të tjerë fillimisht për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Më tej dyshohet se anëtari i Agimit të Artë ka replikuar me 63- vjeçarin për vrasjen nga forcat shqiptare të RENEA-s në Bularat të Gjirokastrës të Konstantinos Kacifas. Situata ka precipituar dhe është dashur ndërhyrja e klientëve në lokal që ta ndalin. Pasi janë ndarë nga të tjerët, 44- vjeçari grek është larguar duke kërcënuar Ziflën, të cilin në Greqi e quanin me emrin Petro.

Një ditë më pas, autori i ka zënë pritë viktimës dhe pasi e ka vrarë, e ka hedhur në një kanal. Trupi i 63-vjeçarit u gjet nga kalimtarët në Korfuz.

Pas gjetjes së kufomës, Policia nisi hetimet dhe në një kohë mjaft të shpejtë arriti të identifikonte autorin. Ky i fundit u vetëdorëzua katër ditë më pas, pasi emri i tij figuronte në listën e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 63-vjeçarit. Mësohet se pas arrestimit ai e ka pranuar krimin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Intervista për MAPO LETRARE, Rudi Erebara: Kurani më bëri të vlerësoj veprat me një shkallë njerëzore

Shkrimtari Rudi Erebara është fitues i Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë...
Read More