Shtetëror dhe fetar mund të jetë partikulariteti, jo universiteti!

Nga Klementin Mile

Ndërsa këto ditë po debatohet intensivisht për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, nuk duhet harruar se ky debat ka një rezonancë më të gjerë, e cila lidhet me fatin e shkencës në këtë vend dhe, në nivel institucional, implikon formën që duhet të ketë universiteti.

Qëkurse u krijua në Mesjetë, universiteti ka marrë forma të ndryshme. Kështu, disa universitete u ngritën nga kisha, të tjera nga princat, e të tjera nga administratat bashkiake. Disa universitete synuan specializimin profesional të studentëve, të tjera formimin e përgjithshëm të njeriut. Sot flitet për universitete kombëtare, ndërqeveritare, publike, private dhe shtetërore. Kjo larmi manifestimesh e universitetit na vendos përpara modelesh që pretendojnë të gjitha vlefshmëri. Por, në bazë të çfarë kriteri mund të zgjidhet ndërmjet tyre?

Sigurisht, për të trajtuar një çështje si kjo ka shumë mënyra. Për shembull, mund të shihet suksesi në treg i një forme universiteti. Ose mund të merret parasysh efektiviteti për të përcjellë dije në përputhje me linjën shtetërore. Ose mund të shihet sa rezistencë ndaj pushtetit gjeneron ky universitet. Ose mund të merret në konsideratë mendimi themeltar që prodhohet aty.

Megjithatë, për të vendosur për formën e universitetit nuk duhet të nisemi nga të dhënat empirike, pasi kështu mund të justifikojmë ose hedhim poshtë gjithçka. Në emër të tregut mund të hedhim poshtë shtetin, në emër të rezistencës mund të hedhim poshtë mendimin, në emër të shtetit mund të hedhim poshtë rezistencën etj.

Vendimi për formën e universitetit duhet marrë pasi të jetë shqyrtuar esenca e tij; pra, pasi t’i jetë dhënë përgjigje pyetjes “Çfarë është universiteti?” Në këtë pikë na vjen në ndihmë etimologjia e termit ‘universitet’. Në latinishten mesjetare përdorej fjala universitatem (forma emërore e universitas), e cila shënjonte “tërësinë, agregatin” dhe ishte e lidhur ngushtë me konceptin e “universit”. Në kuptimin akademik, universiteti shënjohej si universitas magistrorum et scholarium, “bashkësi mjeshtrash dhe shkollarësh”.

Pra, element esencial i universitetit është universaliteti i tij; çka do të thotë se universiteti nuk mund të pranojë kufizime dogmatike të objektit, të perspektivës, të teorisë apo të metodës. Universiteti është vendi ku dija nuk mund të ngurtësohet dhe imponohet, por trajtohet gjithmonë si injorancë e pjesshme. Në funksion të kësaj është një element i dytë esencial i universitetit: liria akademike. Kjo e fundit përkufizohet si “liria e mësimdhënësit për t’i shprehur opinionet e veta hapur dhe pa frikën e ndëshkimit”.

Kështu, nisur nga esenca e universitetit, mund të pyesim “Cila është forma që mund ta realizojë më besnikërisht këtë esencë?” Pra çfarë forme duhet të ketë bashkësia e mjeshtrave dhe shkollarëve, në mënyrë që të jetë universalisht e hapur ndaj dijes dhe të gëzojë liri akademike? Cila instancë mund ta garantojë universalitetin dhe lirinë akademike: shteti, institucioni fetar, apo operatori privat?

Përgjigja e pyetjes gjendet te natyra e këtyre entiteteve. Por do të ishte e pavend t’i referoheshim Hegelit, që e përkufizon shtetin si altruizëm universal dhe shoqërinë civile (tërësinë e operatorëve privatë) si egoizëm universal. Nuk është çështja te dallimi egoizëm / altruizëm, por te fakti që, në raport me dijen, as shteti as operatori privat dhe as institucioni fetar nuk mund të jenë universalë. Në raport me dijen, të tre këto entitete paraqiten si partikulare. Secili prej tyre ka perspektivë, objektiva dhe interesa të veçantë, çka i veçon nga ideali universalist i dijes universitare.

E megjithatë, ndërmjet shtetit dhe fesë nga njëra anë dhe operatorit privat nga ana tjetër, ka një dallim thelbësor. Shteti dhe feja, për nga natyra, janë hegjemonë – ata priren të rregullojnë dhe / ose kontrollojnë të gjitha aspektet e funksionimit të gjërave në juridiksionin e tyre. Shteti e bën këtë për të ruajtur gjendjen e gjërave (çka nënkupton termi “shtet”, state, stato, Staat, état, estado) dhe për të shmangur të gjitha ato ngjarje që do e cenonin atë gjendje, ndërkohë që feja e bën për hir të ruajtjes së kohezionit në komunitetin e besimtarëve, për të parandaluar devijimet prej dogmës fetare, çka do të përbënte sakrilegj, blasfemi etj. Pra si shteti ashtu dhe feja e kanë të domosdoshëm kufizimin e universalitetit të dijes dhe të lirisë akademike. Me fjalë të tjera, as shteti dhe as feja nuk mund të krijojnë dot universitet, në kuptimin esencial të fjalës.

Përkundër tyre, operatori privat e lë të hapur mundësinë e krijimit të universitetit. Mundësia (por jo domosdoshmëria) qëndron në faktin se, edhe pse ka perspektivë, interesa dhe qëllime partikulariste, operatori privat nuk është hegjemonik. Operatorit privat mund t’i interesojë fitimi financiar, por ky qëllim partikular mund të realizohet në dy forma: (a) duke e kufizuar universalitetin dhe lirinë akademike; (b) duke mos e kufizuar. Në këtë formë të dytë, të cilën e përmban natyra e operatorit privat, çelet mundësia e krijimit të universitetit. Dhe në fakt, përvoja botërore ka treguar se operatorët privatë që kanë zgjedhur të mos e kufizojnë universalitetin e dijes dhe lirinë akademike kanë patur më shumë fitim.

Kur dëgjoj argumentet e atyre që mbështesin “universitetin” shtetëror dhe dënojnë universitetin privat, më kujtohet episodi i një seriali komik anglez. Jemi para dy shekujsh, kur gratë jo vetëm nuk kishin të drejtën e votës, por as të drejtën për të qenë aktore në skenën e teatrit. Përveç roleve mashkullore, edhe rolet femërore i luanin burrat, të maskuar si gra. Në episod tregohet për një grua që dëshiron të aktrojë në një rol femëror. Për të arritur këtë, fillimisht ajo maskohet si burrë. Pastaj, këtë pseudo-burrë e maskojnë si grua. Mirëpo lind një problem: nuk po dinin ku t’ia vendosnin sutjenat!

Ashtu si te ky episod, çka duhet të paraqitet në skenën publike është universiteti. Por kushtëzimet ligjore dhe paragjykimet kulturore nuk e lejojnë shfaqjen e tij. Kur universitetin merr përsipër që ta ofrojë shteti, publikut i paraqitet vetëm një maskë. Kur universitetin merr përsipër që ta ofrojë operatori privat, këtij të fundit i duhet të vërë së pari një maskë shtetërore (duke u përballur me legjislacion dhe rregulla nga më absurdet nga pikëpamja e universalitetit dhe lirisë akademike) dhe pastaj një maskë të dytë, universaliste. A nuk do të ishte më e thjeshtë, më autentike dhe cilësore që rolin e gruas ta luante një grua dhe rolin e universitetit një operator privat?

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lapsusi i ardhmërisë

Letër nga kryeqyteti i dytë (5) Nga Baton Haxhiu Ukraina është njëra...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.