“Shtetësia’: Pse e kishin refuzuar presidentët e tjerë Janullatosin

Kreu i Shtetit ka firmosur dekretin që e bën kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare me nënshtetësi shqiptare. Dekreti vjen pas 25 vitesh në krye të Kishës. Të gjithë presidentët e mëparshëm kishin refuzuar ta firmosnin dhënien e nënshtetësisë për shkak të ndjeshmërive të brendshme të shqiptarëve

Pas plot një çerek shekulli, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare, Anastas Janullatos ka mundur të bëhet shqiptar me letra. Ilir Meta ka vrarë “frikën” e të gjithë paraardhësve të tij në krye të shtetit shqiptar dhe i ka dhënë kreut të Kishës Ortodokse, shtetësinë shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur dje vetë Presidenti Meta, me anë të një mesazhi në rrjetin social Facebook, ndërsa mediat më pas nxituan të publikojnë edhe dekretin me firmën e tij. “Të dashur miq, në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos”, shkruante Meta në Facebook. Ndërkohë që rendiste si motivacion për këtë vendimmarrje që kanë qenë e pamundur për paraardhësit e tij pikërisht rolin që ka luajtur Janullatos në organizimin dhe funksionimin e Kishës Ortodokse Shqiptare. “Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë, por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë”, shkruante Meta. Më tej ai rendiste edhe rolin që ka luajtur kreu i ortodoksëve shqiptarë edhe në forcimin e bashkëjetesës shqiptare. “Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë. Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve!”, mbyllte shënimin e tij Meta. Ndërkohë, kreu i shtetit i është drejtuar edhe me anë të një letre Janullatosit, ku i shpreh gjithashtu vlerësimet e tij për kontributin që ka dhënë në këto 25 vite në çështjet fetare dhe në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Në këtë ditë të bekuar të Krishtlindjeve, jam shumë i lumtur t’ Ju bëj me dije se kam marrë vendimin, edhe në vijim të vullnetit Tuaj “…për të vërtetuar lidhjen e pandashme me vendin që doni sinqerisht dhe i shërbeni me vetësakrifikim…”, t’Ju jap shtetësinë shqiptare, nëpërmjet Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Nr. 10700, të datës 22 dhjetor 2017. Duke shprehur bindjen time se ky veprim, jo vetëm përmbush një detyrim institucional, por është edhe shprehje e mirënjohjes ndaj Jush dhe aktivitetit e përkushtimit Tuaj shpirtëror në Shqipëri”, shprehet Meta në letrën drejtuar Janullatosit. Ai nuk nguron ta cilësojë atë edhe si një nga drejtuesit më të lartë fetarë në vend që ka punuar për forcimin e vlerës së harmonisë fetare. “Jam i lumtur të pohoj se Fortlumturia Juaj i përket pikërisht këtyre udhëheqësve të nderuar të besimeve fetare të popullit shqiptar. E kam ndjekur me vëmendje aktivitetin Tuaj të palodhur ndërkombëtar, vizitat në Vatikan dhe në vende të shumta të botës, duke i shërbyer jo vetëm njohjes ndërkombëtare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por veçanërisht përhapjes, përtej kufijve të Shqipërisë, të vlerave e pasurisë së harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare të popullit shqiptar”, shprehet Meta. E duket se vendimit të Metës i ka shërbyer edhe një intervistë e vetëm para pak ditësh e vetë Janullatosit dhënë për mediat greke, ku ai fliste me tone paqtuese dhe bënte të ditur se tashmë Kisha ortodokse Shqiptare kishte potencialin njerëzor për t’u drejtuar nga një shqiptar. “Padyshim që pasuesi im do të jetë shqiptar. Ne nuk kemi vajtur atje për të ndërtuar një koloni, por për të ndërtuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, u shpreh Janullatos për televizioni Skay. I pyetur nga gazetari për raportet mes Tiranës e Athinës, kreu i Kishës Ortodokse Anastas Janullatos jep këtë mesazh: “Greqia mbetet gjithnjë fqinji. Fqinjët gjenden gjithmonë në momente të vështira. Njerëzit duan që këto marrëdhënie të jenë të përforcuara dhe të sinqerta. Të mos biem viktima të tensioneve por të ngremë ura”, theksoi kryepeshkopi. Në këtë frymë ai e shikonte edhe çështjen e Himarës ndryshe nga sa e sheh edhe Greqia, duke deklaruar se në thelb ishte një çështje e përgjithshme pronësie që ekziston edhe në gjithë Shqipërinë. “Është një çështje e përgjithshme, jo vetëm në Himarë nuk janë kthyer pasuritë. Madje as neve për kishën nuk na janë kthyer shumë prona”, do të shprehej kreu i Kishës Ortodokse.

Refuzimi i presidentëve

Vendimi i Metës për të dhënë pikërisht në vigjilje të festës së Krishtlindjes duket i guximshëm, po të kemi parasysh pikërisht ndjeshmëritë antigreke që ekzistojnë në Shqipëri, nga e cila është edhe origjina e Janullatosit. Kështu, të gjithë paraardhësit e Metës në krye të institucionit të Presidentit, kishin refuzuar të hidhnin firmën mbi dekretin dhe për këtë duket se i trembeshin pikërisht ndjeshmërive nacionaliste brenda vendit. Një gjë të tillë do ta deklaronte para disa vitesh edhe ish-presidenti, Bamir Topi, i cili gjithashtu ka refuzuar të hedhë firmën mbi një kërkesë të vjetër të Janullatosit për të marrë nënshtetësinë shqiptare. Topi e justifikonte refuzimin me diplomaci kur deklaronte se është “vetëm një gjë në proces, ku duhen marrë në konsideratë disa ndjeshmëri të brendshme”. Ndaj pavarësisht dasive politike dhe njerëzore që kishin njëri me tjetrin të gjithë Presidentët e mëparshëm duket se të vetmen porosi që i linin pasardhësit ishte pikërisht, kujdes me nënshtetësinë e Janullatosit. Ndërkohë që ky vendim i papritur i kreut të shtetit shqiptar solli një valë reagimesh kryesisht nga opinion publik dhe media, kjo edhe për shkak të një lloj fryme anti Janullatos që është ushqyer në gjithë këto vite në vendin tonë, ku nuk kanë nguruar edhe cilësime me konotacion negativ si “grek” kjo nisur pikërisht nga fakti se zgjedhja e Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare u shoqëruar që në krye të herës me kontestime për shkak të origjinës së tij .

Greqia

Një reagim ka ardhur edhe nga Greqia, ku ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka përshëndetur vendimin e Presidentit Meta për t’i dhënë Janullatosit nënshtetësinë shqiptare. “Përshëndes vendimin e Presidentit Meta për t’i dhënë shtetësinë shqiptare një burri të mençur si kryepeshkopi Anastas. Një vendim që njeh kontributin e tij të thellë njerëzor dhe përforcimi në besimin ndërmjet dy popujve tanë”, shkruan Kotzias në Tëitter. Ndërkohë që kanë munguar reagimet e politikës shqiptare lidhur me këtë vendim, e cila megjithëse ka refuzuar t’ia japë nënshtetësinë Janullatosit, duket se në heshtje ka miratuar vendimin e Kreut të Shtetit. I vetmi që ka reaguar prej saj ka qenë anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, Dritan Shano, i cili gjithashtu e ka përshëndetur vendimin e presidentit Ilir Meta. Përmes një postimi në Facebook, Shano shkruan se më në fund kërkesa shumëvjeçare e Orthodoksëve shqiptarë u bë realitet. “Kërkesa jonë shumëvjeçare për t’i dhënë shtetësinë Shqiptare Kryepeshkopit tonë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit, njeriut që prej 26 vjetësh na shërben ne shqiptarëve ortodokse, për më shumë se çerekun e jetës së tij, pa fjalë dhe vetëm me vepra, duke na mësuar se ilaçi kundër urrejtjes është vetëm dashuria, më në fund u plotësua zyrtarisht! Me letra. Sepse, të jetë e qartë, shpirtërisht për ne qindra mijërat shqiptarët ortodokse Kryepeshkopi ka qenë i yni, Shqiptar në fjalë e në vepra që në fillim të punës së tij për rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të besimit të rrënuar në Zotin Jezu Krisht”, shkruante Shano. Janullatos ka lindur më 4 nëntor 1929 në Pire të Greqisë dhe momenti i fronëzimit të tij si kryepeshkop i kishës ortodokse autoqefale shqiptare në vitin 1992 u shoqërua me kundërshtimin e një pjese të ortodoksëve shqiptare. Kundërshtimet erdhën pikërisht sepse Anastas Janullatos nuk ishte shqiptar dhe kjo mund të çonte në humbjen e Autoqefalisë së kishës. Madje në vitin 1994 u tentua me projektkushtetutën e re largimi përfundimtar i Kryepeshkopit, por kushtetuta u rrëzua me referendum më 6 nëntor 1994.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Opozita: Tahiri mbështeti një grup të strukturuar kriminal

Në emër të opozitës, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj lexoi raportin e përgatitur...
Read More